Lajm18 May 2020

Protestuesit kërkojnë dorëheqjen e Veliajt dhe përgjegjësi penale për shembjen e Teatrit Kombëtar

Disa qindra qytetarë protestuan në Tiranë të Hënën pasdite për shembjen e Teatrit Kombëtar nga ana e Edi Ramës dhe Erion Veliajt dhe kërkuan dorëheqjen e këtij të fundit dhe përgjegjësi penale për shembësit.

Autor: Gjergj Erebara BIRN Tiranë
Printo

Protesta e 18 Majit 2020 ndaj shembjes së Teatrit Kombëtar. Foto: Nensi Bogdani/BIRN

Protestuesit e thirrur nga Aleanca për Teatrin u mblodhën në bulevardin Dëshmorët e Kombit pranë Ministrisë së Brendshme ndërkohë që qindra forca policore qëndruan në gadishmëri. Por artistët dhe aktivistët e pranishëm bënë të qartë se nuk dëshironin kurrfarë përplasjeje me policinë, ndonëse shkrimtari Fatos Lubonja theksoi atë që e quajti “përgjegjësia ligjore dhe morale” e të gjithë forcave të policisë që morën pjesë në atë që protestuesit e quajnë krim dhe paligjshmëri kundër identitetit historik dhe kulturor të Tiranës.

Regjisori Robert Budina deklaroi se protesta mbetet një nismë qytetare jashtëpartiake pavarësisht mbështetja e partive politike është e mikpritur.

Budina theksoi se pas dy vjetësh e gjysmë beteje, aktivistët protestues nuk kanë interes të bëjnë protagonizëm politik ndërsa kërkoi nga prokurorët të hetojnë krimin.

Aktori Neritan Liçaj, i cili përfundoi i ndaluar në komisariat dhe i tërhequr zvarrë nga forcat policore natën e 17 Majit kur po bënte roje brenda ndërtesës së teatrit, tha se në rrënojat e teatrit gjenden ato që ai i quajti “kufoma politike”.

“Në atë skenë aty ka mbetur zëri im dhe një pjesë e imja”, deklaroi Liçaj me zë të ngjirur. “Por jam i bindur se me atë skenë janë edhe dy kufoma politike. Rama dhe Veliaj”.

Shkrimtari Fatos Lubonja i bëri thirrje protestuesve që mbrëmjen e sotme kur të kthehen në shtëpi të mendohen për hartimin e një plani kombëtar kundër asaj që ai e quajti bandë kriminale. Lubonja kërkoi dorëheqjen e kryebashkiakut të Tiranës Erion Veliaj dhe vënien e tij para përgjegjësisë penale.

“E para, duhet bërë me një kërkesë për të nxjerrë përpara gjyqit të të gjithë autorëve të këtij krimi. Duhet të kërkojmë dorëheqjen e Erion Velisë dhe duhet ta kërkojmë sot, nesër dhe vazhdimisht derisa të ikë atje dhe të jetë i gatshëm për prokurorinë për shkeljet që ka bërë,” deklaroi Lubonja.

“Duhet të protestojmë në mënyrë të vazhduieshme përpara prokurorisë, e cila përballë dokumenteve të shkatërrimit, këta duhet të japin llogari. Mendoj se pa dyshim që ky proces duhet të na çojë tek kryetari i bandës që është Edi Rama dhe jo vetëm tek shkatërrimi i gjithë mekanizmit të të gjithë pushtetit që ka ngritur duke përdorur paratë e krimit për të gjeneruar pushtet dhe pushtetin për të gjeneruar paratë e krimit,” vijoi më tej Lubonja.

Teatri Kombëtar i Tiranës u shemb të Dielën ndërsa policia akuzohet se përdori dhunë të tepruar dhe të pajustifikuar ndaj protestuesve.

Bashkimi Europian dhe disa ambasada perëndimore kritikuan shembjen dhe e konsideruan ngjarjen një cënim të shtetit të së drejtës në Shqipëri.

Protesta e 18 Majit 2020 ndaj shembjes së Teatrit Kombëtar. Foto: Nensi Bogdani/BIRN

Protesta e 18 Majit 2020 ndaj shembjes së Teatrit Kombëtar. Foto: Nensi Bogdani/BIRN