Së paku katër deputetë u plagosën kur mbështetësit e ish-partisë në pushtet VMRO DPMNE sulmuan parlamentin pasi ky i fundit zgjodhi ish-kryetarin e opozitës, shqiptarin Talat Xhaferi, kryetar të parlamentit duke i hapur rrugën krijimit të qeverisë së re.
Dhuna shpërtheu brenda parlamentit të Maqedonisë të enjten kur protestuesit që mbështesin partinë ish qeverisëse VMRO DPMNE sulmuan ndërtesën, të zemëruar nga zgjedhja e kryetarit të ri të parlamentit, Talat Xhaferin, shqiptarin e parë që merr këtë pozicion të lartë në politikën maqedonase.
Njerëz që mbanin maska për të mbuluar fytyrën dhe protestues të tjerë fillimish thyen hyrjen kryesore dhe më pas, pasi u përleshën me policinë, arritën të hyjnë te salla e shtypit ku shumë deputetë nga maxhoranca e re dhe shumë gazetarë mbetën të bllokuara deri në çastin e këtij lajmi (ora 9.00). Protestuesit hynë gjithashtu në sallën kryesore plenare të parlamentit.
Udhëheqësi i partisë kryesore të maxhorancës së re – presidenti i SDMS Zoran Zaev – si dhe tre ligjvënës të tjerë u raportuan nga media si të dëmtuar nga grushtet brenda sallës. Mes të dëmtuarve qe edhe deputeti shqiptar Zijadin Zela.
Ambasadorët e BE-së dhe SHBA-së në Shkup dhanë një deklaratë të përbashkët ku bënë thirrje për “dialig” duke nxitur policinë të rivendosë kontrollin në parlament.
Kreu i VMRO DPMNE Nikola Gruevski deklaroi në Facebook se “dhuna nuk është zgjidhje” duke nxitur protestuesit të qetësoheshin.
“Të dashur qytetar, vendi im, unë ju uroj ju për zgjedhjen e kryetarit të ri të parlamentit dhe Zoti na ndihmoftë ne të gjithëve,” deklaroi Zaev në një konferencë për shtyp brenda parlamentit pak para se sulmuesit e VMRO DPMNE hynë në ndërtesë.
VMRO DPMNE ka qenë duke penguar mbledhjen e parlamentit për mbi një muaj, duke mos lejuar zgjedhjen e kryetarit të ri.
Ajo thotë se e konsideron zgjedhjen e kryetarit të ri të kuvendit një “përpjekje për grusht shteti dhe krijim të institucioneve paralele” gjë që nuk do ta lejojë.
Kryeparlamentari i ri Xhaferi hodhi poshtë këtë pretendim duke thënë se në parlament kishte një shumicë legjitime dhe se kjo “nuk përbën grusht shteti”.