Zgjedhjet e së dielës në qarkun e Dibrës u dhanë nga dy mandate PS dhe PD, ndërkohë që gara e ashpër u zhvillua për vendin e tretë mes PDIU-së dhe LSI, të cilat fituan secila nga një mandat. Rreth 6 mijë dibranë duket se refuzuan të votonin.
Partia Socialiste dhe ajo Demokratike do të dërgojnë secila nga dy deputetë të qarkut të Dibrës në Parlament, ndërkohë që një betejë e ashpër u zhvillua për vendin e tretë mes Lëvizjes Socialiste për Integrim dhe Partisë për Drejtësi, Integrim dhe Unitet.
Pas debutimit të debatueshëm të PDIU-së në zgjedhjet lokale të 2016 për bashkinë e Dibrës, kandidatja 22-vjeçare, Reme Lala [Link CV] i rrëmbeu mandatin Partisë Demokratike dhe në deklaratën e saj të fitores mesnatën e së hënës, e vuri atë në dispozicion qeverisë së Edi Ramës.
Partia Socialiste zuri vendin e parë në qark me 25 mijë vota ose 34.46 %, duke dërguar në parlament ish-ministrin e Shëndetësisë, Ilir Beqja [CV Link] dhe deputeten Almira Xhembulla [CV Link]. Ndërsa Partia Demokratike zbriti në kuotën e 21 331 votave ose 29.65 për qind, duke u përfaqësuar nga deputetët Dhurata Çupi [CV link] dhe Xhemal Gjunkshi [Link CV].
Lëvizja Socialiste për Integrim doli forcë e katërt në qarkun e Dibrës me 12 mijë vota, përmes së cilave i siguroi megjithatë mandatin deputetit të saj, Përparim Spahiu.
Partia Socialiste mori 300 vota më pak në Dibër në krahasim me zgjedhjet e vitit 2013, por ndryshimi në rezultat duket se erdhi nga fakti që Partia Demokratike mori gati 9 mijë vota më pak. Lëvizja Socialiste për Integrim u rrit me 2,200 vota ndërsa PDIU u rrit nga 248 vota më 2013 në mbi 12 mijë vota ditën e dielë.
Zgjedhjet e së dielës u karakterizuan nga një pjesmarrje e ulët në votime, por qarku i Dibrës ishte më pak i ndikuari nga bojkoti. Drejt kutive të votimit shkuan 73.7 mijë banorë ose 56 për qind-pjesëmarrja më e lartë në rang vendi. Në zgjedhjet e vitit 2013, pjesëmarrja qe 60 për qind.
Rezultati në mandate, 2 PD, 2 PS dhe nga një për LSI dhe PDIU ndryshon në faktin që PD ka humbur një mandat në krahasim me vitin 2013, mandat që e mori PDIU, ndërsa PS e LSI nuk patën ndryshime. Ashtu si në pjesën tjetër të vendit, Partia Demokratike shënoi rënie të fortë në vota dhe në përqindje. Në zgjedhjet e vitit 2009, PD pati marrë 49 për qind dhe katër mandate në Dibër, ndërsa të dielën mori vetëm 30 për qind të votave.
Pushteti vendor në qark ndahet në katër bashki, të cilat kontrollohen nga PD, PS dhe LSI. Dibra, e cila ka gati gjysmën e votuesve të qarkut, kontrollohet nga Partia Socialiste. Bulqiza, me 29 mijë votues, kontrollohet nga LSI. Mati kontrollohet nga Partia Demokratike, dhe po kështu bashkia e Klosit, e cila ka 15,600 votues të regjistruar.
Të dy partitë kryesore, PD dhe PS, kanë premtuar në mënyrë të përsëritur për banorët e këtij qarku ndërtimin e Rrugës së Arbrit, një projekt që synon të lidhë Tiranën me Klosin përmes një tuneli nën Qafën e Murrizit duke shkurtuar rrugën ekzistuese me mbi 100 kilometra. Por përpjekjet për ndërtimin e kësaj rruge, e cila vlerësohet se mund të kushtojë mbi 200 milionë euro, kanë mbetur në vendnumëro.