Lajm3 Nov 2021

PS kërkon të hetojë strukturat e PD për ‘mbrojtjen e votës’

Në komisionin hetimor parlamentar për zgjedhjet e 25 prillit, deputetët socialistë i kanë kërkuar kreut të PD-së, Lulzim Basha dhe Policisë së Shtetit informacion për strukturën që u përfshi në përplasjen e armatosur në Elbasan.

Autor: Blerina Gjoka BIRN Tiranë
Printo

Nga një mbledhje e komisionit hetimor parlamentar për zgjedhjet e 25 prillit. Foto: LSA

Komisioni hetimor për zgjedhjet e 25 prillit pranoi të mërkurën kërkesën e anëtarëve socialistë për të hetuar një strukturë të ngritur nga Partia Demokratike gjatë fushatës zgjedhore me qëllim mbrojtjen e votës.

Nënkryetari i komisionit, Toni Gogu, tha se kërkohej informacion nga Partia Demokratike dhe nga Policia e Shtetit për mënyrën se si kanë funksionuar këto struktura dhe për përfshirjen e tyre në incidente të armatosura gjatë fushatës.

“Nga Partia Demokratike dhe kryetari i saj, Lulzim Bashën, kërkojmë informacion të detajuar, kur është themeluar struktura e mbrojtjes së votës, me çfarë platforme, akti që e ka themeluar strukturën në fjalë… ,” tha Gogu.

Po ashtu, ai tha se do t’i kërkohej edhe Policisë së Shtetit informacion i detajuar nëse ka qenë në dijeni të kësaj strukture dhe a janë përfshirë individë të saj në incidente të dhunshme.

Me anë të kësaj kërkese, PS kërkon të përfshijë si pjesë të hetimit parlamentar përplasjen e armatosur mes mbështetësve të Partisë Demokratike – ish punonjës të Policisë së Shtetit dhe militantëve të Partisë Socialiste në Elbasan, ku humbi jetën Pjerin Xhuvani.

Gogu sqaroi se nuk ishin kërkesa për të thirrur dëshmitar kreun e PD-së dhe drejtorin e Policisë, por vetëm për informacion.

Më herët,  Partia Demokratike ka prezantuar kërkesat e saj për informacion për 21 institucione të ndryshme, që nga ato të drejtësisë, institucione të pavarura, krerët e qeverisjes qendrore dhe lokale, duke kërkuar informacione për krimet zgjedhore dhe përdorimin e burimeve shtetërore në fushatë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *