Në praninë e Tom Doshit, i shpallur i padëshirueshëm nga qeveria e SHBA, Luan Harushës dhe Senida Mesit u konstituua këshilli bashkiak i Shkodrës, ndërkohë që qindra protestues të Partisë Demokratike u përplasën me policinë dhe e kundërshtuan mbledhjen si të paligjshme.
Partia Socialiste dhe aleatët e saj të vegjël konstituan këshillin bashkiak të Shkodrës paraditen e së hënës, ndërkohë që qindra mbështetës të Partisë Demokratike protestuan para Prefekturës dhe u përplasën me forcat e policisë në hyrje të bibliotekës së universitetit “Luigj Gurakuqi”.
Situata e tensionuar, e krijuar edhe si pasojë e ngërçit ligjor që la pas dorëheqja e detyruar e kryetarit të votuar më 30 qershor, Valdrin Pjetri i detyroi organizatorët që ta zhvendosnin mbledhjen në bibliotekën e Universitetit, nga godina e rektoratit ku ishte lajmëruar më parë.
Partia Demokratike përmes sekretarit të Përgjithshëm të saj, Gazmend Bardhi e quajti konstituimin një cirk të paligjshëm, që sipas tij tentoi të “grabiste me krimin pushtetin vendor”.
Mbledhja u zhvillua në rrethana të jashtëzakonshme; brenda rrethimit të bibliotekës u vendosën forcat e FNSH-së, të pajisur me skafandra dhe gaz lotësjellës, ndërkohë që protestuesit jashtë godinës tentuan disa herë të çanin kordonin e policisë.
Mbledhja u hap nga prefekti Çesk Millja, ndërsa të pranishëm ishin deputeti i PSD, Tom Doshi, i shpallur i padëshirueshëm nga qeveria e Shteteve të Bashkuara si dhe deputetët Luan Harusha dhe Senida Mesi nga PS. Të pranishëm ishin gjithashtu 50 nga 51 këshilltarët e rinj, nga të cilët 40 të Partisë Socialiste, 9 të PSD, 1 nga PDS dhe një nga Partia Socialiste e Moderuar.
Kryetare e këshillit bashkiak u zgjodh kandidatura e vetme, Brisela Kadia, e cila mori 47 vota pro dhe dy vota të pavlefshme. Gjithashtu u zgjodhën tre nënkryetarë të këshillit si dhe anëtarët e këshillit të qarkut.
E vetme nga radhët e PD-së në sallë, kryetarja aktuale e këshillit të qarkut, Greta Bardeli u përfshi në një incident nga anëtarët e pranishëm. Bardeli e konsideroi mbledhjen ilegjitime dhe antikushtetuese dhe paralajmëroi se për këtë situatë do të mbahej përgjegjësi.
Kryetarja e sapozgjedhur e këshillit, Kadia deklaroi se për postin e kryebashkiakut do t’i drejtoheshin KLQZ-së, në përputhje me Kodin Zgjedhor. Valdrin Pjetri, 37 vjeç, e fitoi mandatin me 10.3% të votave si kandidat i vetëm, por dha dorëheqjen nga marrja e mandatit pasi Partia Demokratike publikoi dokumente të një dënimi të tij për shpërndarje droge në vitin 2003 në Firence të Italisë, dënim të cilin ai nuk e ka deklaruar në formularin e dekriminalizimit.
Ligji për Vetëqeverisjen Vendore [Link] thotë se kur posti i kryetarit mbetet vakant, një nënkryetar kryen funksionet e kryetarit deri në zhvillimin e zgjedhjeve të parakohshme. Problemi është se nënkryetari është një person që emërohet dhe shkarkohet nga kryetari (neni 61) dhe në kushtet aktuale, ky post mbetet gjithashtu vakant.
Ngërçi mund të zgjidhej nga një dekret për zgjedhje të pjesshme vendore, por presidenti i Republikës nuk i njeh zgjedhjet e 30 qershorit dhe për rrjedhojë, ka deklaruar se nuk do të shpallë zgjedhje të parakohshme për Shkodrën.
Në këto kushte, qeverisja vendore për Shkodrën mbetet në ngërç edhe pas konstituimit të këshillit bashkiak.
Situata e tensionuar ka vazhduar edhe pas shpërndarjes së mbledhjes së këshillit bashkiak, ku protestuesit kanë goditur me shishe uji këshilltarët dhe deputetin Tom Doshi, i cili ka ecur nëpër rrugët e qytetit i shoqëruar nga rojet e tij personale dhe këshilltarët e Partisë Socialdemokrate.
Një pjesë e protestuesve kanë shoqëruar sekretarin e Përgjithshëm të PD-së, Gazmend Bardhi drejt bashkisë së Shkodrës, ku ndodhej kryetarja Voltana Ademi.
“Do të qëndroj në bashki, derisa të ketë zgjedhje të ligjshme,” tha Ademi, e cila u shfaq e përlotur para mediave. “30 qershori do të zhbëhet kudo në Shqipëri,” përfundoi ajo.