Me 69 vota pro, dy kundër dhe dy abstenime, votat e Partisë Socialiste zgjodhën një prokurore të përgjithshme të përkohshme deri në ngritjen e Këshillit të Lartë të Prokurorisë, ndërkohë që salla e kuvendit u mbush me tym të kuq të hedhur nga opozita ndërsa protestuesit e opozitës u shtynë me policinë jashtë parlamentit në përpjekje për të ndërprerë seancën.
Deputetët e Partisë Socialiste zgjodhën mes protestave të opozitës prokuroren e Shkodrës Arta Marku si kryeprokurore të përkohshme në seancën e sotme parlamentare (18 dhjetor), në një seancë të pazakontë të zhvilluar mes tymit të kuq të lëshuar nga disa deputetë të opozitës.
Partia Demokratike dhe partia Lëvizja Socialiste për Integrim e konsideruan procedurën e ndjekur nga maxhoranca parlamentare antikushtetuese dhe u përpoqën me çdo kusht ta bllokonin seancën. Pavarësisht tymit të hedhur në sallën e seancave plenare dhe protestave me përplasje me policinë jashtë sallës së kuvendit, kryetari i Kuvendit Gramoz Ruçi urdhëroi hapjen e votimit dhe shpalli rezultatin, 69 vota pro Arta Markut, dy kundër dhe dy abstenime.
Menjëherë pas votimit, grupi i deputetëve socialistë kërkoi shtyrjen për seancën e ardhshme të votimeve të tjera ndërsa Ruçi kërkoi thirrjen e Markut për të kryer betimin për marrjen e detyrës.
Sipas CV-së së publikuar nga kuvendi, Arta Marku ka mbaruar studimet universitare në vitin 1999 dhe shkollën e magjistraturës në vitin 2002. Ajo ka punuar në prokurorinë e Fierit dhe atë të Shkodrës.
Zgjedhja e saj si prokurore e përkohshme u krye me votat e Partisë Socialiste, deputetët e së cilës vendosën të çojnë vetëm kandidaturën e saj për votim në Kuvend.
Përplasja për postin e kryeprokurorit nisi më herët këtë muaj, kur mandati shtatëvjeçar i kryeprokurorit aktual Adriatik Llala, mbaroi. Sipas kushtetutës së re të miratuar si pjesë e reformës së drejtësisë, kryeprokurori i ri duhej të zgjidhej me një procedurë tjetër, por institucionet që duhet të kryejnë procedurën, në veçanti, Këshilli i Lartë i Prokurorisë, nuk është ngritur ende. Për këtë arsye, Partia Socialiste deklaroi se synon të zgjedhë një prokuror të përkohshëm deri në ngritjen e institucioneve të reja. Dy partitë politike në opozitë e konsideruan këtë një përpjekje të maxhorancës parlamentare për të vënë nën kontrollin e vet institucionin e prokurorisë.