Partia Socialiste dorëzoi në Kuvend kërkesën për zgjatjen me 30 muaj të mandatit të institucioneve të vetingut. Amendimi i Kushtetutës kërkon edhe votat e opozitës, por kjo e fundit nuk ka ende një qëndrim zyrtar.
Partia Socialiste zyrtarizoi të premten kërkesën për zgjatjen e mandatit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit dhe Komisionerëve Publikë – dy institucionet e vetingut të parashikuara në Kushtetutë me mandat 5 vjeçar.
Sipas kreut të grupit parlamentar socialist, Taulant Balla, kërkesa për ndryshimin e Kushtetutës është firmosur nga 28 deputetë.
Mandati i Komisionit të Pavarur të Kualifikimit dhe të Komisionerëve Publikë përfundon në korrikun e vitit 2022 dhe mazhoranca kërkon zgjatjen e mandatit deri më 31 dhjetor 2024.
“…duke shtuar mandatin edhe 30 muaj të tjerë, të cilat unë besoj se janë të mjaftueshme për t’a përmbyllur procesin e Vetingut,” tha Balla. Ai e cilësoi këtë një çështje teknike, por të rëndësishme për vazhdimin e procesit të vetingut ‘me të njëjtin standard’.
Deri në fund të korrikut, Komisioni i Pavarur i Kualifikimit përfundoi procesin e rivlerësimit për 421 magjistratë nga 801 subjekte në total ose gati 52% të totalit. Nga këta, u konfirmuan në detyrë vetëm 174 magjistratë, ndërsa pjesa tjetër prej 60% u shkarkuan nga detyra ose u larguan përmes dorëheqjeve.
Partia Demokratike nuk ka deri më tani një qëndrim zyrtar nëse do ta mbështesë nismën për ndryshimin e Kushtetutës, ndërsa është shprehur skeptike ndaj reformës në drejtësi në tërësi. Të enjten në seancë plenare, kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha e akuzoi mazhorancën se e ka “shkatërruar reformën në drejtësi, duke kapur për bishti drejtuesit e drejtësisë së re”.
Konkretisht socialistët kërkojnë ndryshimin e një togfjalëshi në nenin 179/b pika 8 në Kushtetutë, ku thuhet se “Mandati i anëtarëve të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit dhe Komisionerit Publik është 5 vjet nga data e fillimit të funksionimit tyre”. Pjesa e dytë e këtij formulimi propozohet që të bëhet “përfundon në 31 dhjetor 2024”.
Reforma në Drejtësi u miratua me konsensus mes palëve në verën e vitit 2016.