Blog7 Oct 2019

Pse në Shqipëri numërimi i votave zgjat me javë?

Deri në vitin 2001, numërimi i votave në Shqipëri kryhej në qendrat e votimit. Por për shkak të manipulimeve të stërmëdha dhe pandëshkueshmërisë, në ndryshimet e kodit zgjedhor në vitin 2003 u vendos që numërimi të bëhej në90 qendra kombëtare, të cilat supozohet se mbikëqyren më lehtë.

Autor: Gjergj Erebara BIRN Tiranë
Printo

Numërues votash në shkollën Vasil Shanto në Tiranë më 1 korrik 2019 pas zgjedhjeve për pushtetin vendor. Foto: Gjergj Erebara/BIRN

Shqiptarët u çuditën gjatë natës së kaluar nga shpejtësia me të cilën sistemi zgjedhor i Kosovës arriti të nxjerrë rezultatet e zgjedhjeve parlamentare. Pak orë pas mbylljes së kutive të votimit, ndarja e pushtetit parlamentar u bë e qartë: Vetëvendosje e para, pasuar nga LDK e PDK.

Gjithsesi, numërimi i votave në Kosovë nuk ka përfunduar dhe pritet të zgjasë edhe disa ditë. Kosova zbaton sistemin elektoral proporcional kombëtar me lista të hapura. Kjo do të thotë se kosovarët kanë mundësi njëkohësisht të zgjedhin partinë që pëlqejnë dhe deputetin që duan të dërgojnë në parlament nga kjo parti.

Të gjitha votat numërohen në qendrat e votimit, gjithsej 2257 njësi, të cilat numëruan natën e kaluar mesatarisht 321 vota secila.

Në Shqipëri ndodh ndryshe dhe për rrjedhojë, numërimi zgjat me ditë, e me raste, me javë. Në Shqipëri votat numërohen në 90 qendra të quajtura Komisionet Zonale të Administrimit Zgjedhor, (KZAZ) në të cilat krijohen disa grupe numërimi për të numëruar zakonisht rreth 1.6 milionë vota të hedhura në mbi 5,500 qendra votimi. Duke qenë se kutitë e votimit duhet fillimisht të transferohen nga qendrat e votimit për në KZAZ, afërsisht në orën kur në Kosovë shpallet rezultati i zgjedhjeve, në Shqipëri nis procesi i numërimit të votave.

Shqipëria i ka numëruar votat në të njëjtën mënyrë me Kosovën nga viti 1991 deri në vitin 2001, plot pesë zgjedhje parlamentare dhe tre zgjedhje për pushtet vendor. Por në zgjedhjet e vitit 1996 dhe në veçanti, në ato të vitit 2001, pati akuza për manipulim të rezultatit zgjedhor në qendrat e votimit. Në vitin 1996, komisionerët socialistë braktisën qendrat e votimit në shenjë proteste ndaj asaj që dukej se ishte manipulim në shkallë të gjerë i zgjedhjeve dhe pas largimit të tyre, aludohet se kutitë u mbushën sipas qejfit dhe votat u numëruan sipas qejfit gjithashtu. Në vitin 2001 nuk pati largim komisionerësh, por pati akuza se socialistët patën arritur të blinin apo të shantazhonin komisionerët demokratë për të mbushur procesverbalet e procesit të numërimit sipas dëshirës së socialistëve. Zgjedhjet u konsideruan si të manipuluara nga OSBE.

Problemi i Shqipërisë atëherë, njësoj si edhe sot është që krimet elektorale përfundojnë në shumicën dërrmuese të pahetuara dhe të pandëshkuara. Rrjedhimisht kur PD dhe PS të përfaqësuar nga Sali Berisha dhe Fatos Nano arritën një marrëveshje në vitin 2003, marrëveshja rregulloi edhe dy aspekte të procesit të administrimit zgjedhor. E para ishte sistemi i kontrollit të ndërsjellët, njohur në gjuhën e gazetarëve si sistemi “hajduti ruan hajdutin”. Grupet e numërimit përbëhen nga katër anëtarë, dy nga maxhoranca dhe dy nga opozita. Ndërhyja e dytë ishte që komisionet e mbi 5,500 qendrave të votimit në të gjithë vendin të zhvishesin nga procesi i numërimit të votave. Që nga ajo kohë, numërimi u krye në KZAZ. Të dyja ndërhyrjet e vonojnë procesin e numërimit, por vijnë si rrjedhojë e mungesës së besimit dhe ndëshkimit të vjedhësve të votave më 1996 e më 2001. Të dyja ndërhyrjet janë së paku zvarritëse. Nga njëra anë, mbingarkimi i rreth 450 grupeve të numërimit me numërimin e rreth 1.6-1.7 milionë votave, me një mesatare prej mbi 3,500 vota për grup numërimi, natyrisht që kërkon kohë.

Por fakti që grupet e numërimit janë të balancuara, i jep mundësi palëve të zvarrisin procesin e numërimit në disa zona në pritje për të mësuar rezultatet e zonave të tjera. Kulmi në këtë proces zvarritjeje të ndërsjelltë duket se u shënua në zgjedhjet e vitit 2011 për pushtetin vendor në Tiranë, ku kreu i PS Edi Rama garoi përballë Lulzim Bashës, i cili më vonë u bë kryetar i PD-së. Zgjedhjet u zhvilluan më 8 maj, por numërimi zgjati disa javë, ku votimi në KZAZ 35 në Shkollën Vasil Shanto u kthye në një sheshbetejë militantësh të djersitur.

Dhe kur vjen puna për pyetjen se sa realisht e kanë zgjidhur problemin e vjedhjes së votave dhe manipulimit të numërimit të votave sistemi i vitit 2003 në dëm të vonesave të nxjerrjen e rezultatit, nuk është lehtë të thuash se ka ndodhur ndonjë zhvillim pozitiv. Në veçanti, partitë e vogla mbetën të  papërfaqësuara në sistemin “hajduti-ruan-hajdutin” dhe supozohet se u vodhën rregullisht nga partitë e përfaqësuara në grupet e numërimit. Kjo ka bërë që në politikën shqiptare, disa nga debatet më të ashpra janë lidhur me çështjen e përbërjes së grupeve të numërimit më shumë se sa me çfarëdolloj sistemi apo platforme qeverisëse.

Një kthim te sistemi i mëparshëm i numërimit të votave në qendrat e votimit duket se është i paimagjinueshëm sot. Pandëshkueshmëria në krimet elektorale duket se është përshkallëzuar që nga viti 2001 në vend që të pakësohej. Në këto kushte, vijimi i numërimit të ngadaltë në qendrat zonale të administrimit zgjedhor është i destinuar të vijojë.