Lajm13 Mar 2018

Punëtorët emigrantë rumunë lënë pas 96 mijë fëmijë

Mbi 96,000 rumunë lajmëruan shtetin gjatë vitit 2017 që i kanë lënë fëmijët në kujdesin e të afërmve ndërsa janë larguar për të punuar jashtë shtetit, tregojnë statistikat zyrtare.

Autor: Ana Maria Luca BIRN Bukuresht
Printo

Fëmijët rumunë. Foto: Zoltan Balogh/EPA.

Emigrantët rumunë lanë mbi 96.000 fëmijë në kujdesin e të afërmve ndërsa të paktën një nga prindërit u largua nga vendi për të punuar jashtë shtetit, sipas statistikave për vitin 2017 nga Departamenti Rumun i Mbrojtjes së Fëmijëve të publikuara të hënën.

Rreth 20.000 fëmijë i kishin të dy prindërit me punë jashtë shtetit, veçanërisht në vende të tjera të Bashkimit Europian.

Megjithatë, punonjësit socialë pohojnë se shumë prindër shpesh nuk i njoftojnë autoritetet lokale dhe se numri i vërtetë është mbi 350,000 – më i madhi nga çdo vend europian.

Migrimi masiv ka ndikuar seriozisht në fuqinë punëtore të Rumanisë në dekadat e fundit. Sipas raportit më të fundit të OKB-së për migracionin ndërkombëtar me të dhëna nga viti 2015, Rumania renditet e dyta pas Sirisë në aspektin e emigrimit, me një rritje prej 7.3 për qind të emigracionit në vit.

Sipas studimit, nga viti 2010 dhe 2015, mbi 3.5 milionë rumunë u larguan nga vendi, duke arritur në 17 për qind të popullsisë.

Qeveria rumune dhe organizatat joqeveritare kanë kërkuar ndërgjegjësim për fatin e fëmijëve të lënë pas nga prindërit që shkojnë për të punuar jashtë vendit.

Ligji e kërkon që prindërit të njoftojnë autoritetet kur largohen nga vendi dhe të deklarojnë nëse ndonjë fëmijë ka mbetur pas në kujdesin e të afërmve. Sidoqoftë nuk ka ndonjë ndëshkim nëse ata nuk e bëjnë këtë.