Komiteti Teknik që menaxhon pandeminë e koronavirusit të ri kërkoi ndalimin e qarkullimit të qytetarëve nga ora 10 deri në orën 6 të mëngjesit si dhe “smart working” për administratën publike, në masat më të fundit kundër COVID-19, sëmundja që ka vrarë deri tani 559 shqiptarë dhe ka sëmurë mbi 24 mijë vetë.
Autoritetet shëndetësore urdhëruan mbyllje të pjesshme të vendit për tre javë duke nisur nga dita e mërkurë por mbyllja është e kufizuar vetëm gjatë orëve të natës ndërsa punonjësit e shtetit rekomandohet që t’i nënshtrohen një procesi të prezantuar si “smart working”, por pa shpjeguar se për çfarë bëhet fjalë.
Komiteti urdhëroi ndalimin e qarkullimit të qytetarëve në të gjithë vendin nga ora 10 e natës deri në orën 6 të mëngjesit dhe mbylljen e lokaleve dhe restoranteve në orën 10.
Kryetarja e Komitetit, Mira Rakacolli, deklaroi se faktori R, ose numri i njerëzve të inflektuar nga çdo person i infektuar, është aktualisht në Shqipëri 1.3, gjë që do të thotë që masat e deritanishme parandaluese kanë dështuar të frenojnë përhapjen e virusit.
Komiteti thotë se situata aktuale është “me intensitet mesatar”.
Shqipëria shënoi nivelin më të lartë të infektimeve ditore dje me 501 persona të konfirmuar pozitiv. Vetëm një javë më parë, rekordi i shënuar ishte 321 në ditë.
Aktualisht në Shqipëri ka gati 12 mijë të sëmurë me COVID-19 dhe këto ditë pritet që numri i personave të sëmurë të kapërcejë numrin e personave të shëruar.