Presidenti rus Vladimir Putin tha gjatë vizitës së tij në Serbi se ndante të njëjtin shqetësim me Beogradin në lidhje me qëllimin e Kosovës për të krijuar një ushtri, të cilin ai e quajti shkelje të Rezolutës 1244 të OKB-së.
Presidenti rus Vladimir Putin kritikoi vendimin e Kosovës për të formuar një ushtri të enjten, pas takimit me presidentin serb Aleksandër Vuçiç, i cili tha se Beogradi kishte marrë “mbështetje të konsiderueshme” nga presidenti rus mbi çështjen e Kosovës.
“Mendimi i Rusisë dihet. Ne jemi dakord se nevojitet një zgjidhje e pranueshme reciprokisht e bazuar në Rezolutën 1244 të OKB-së,” tha Putini pas bisedës me Vuçiçin.
Rezoluta u miratua në fund të konfliktit të viteve 1998-1999 midis forcave serbe dhe shumicës shqiptare etnike të Kosovës dhe rregullon mandatin e misionit të OKB-së atje.
Vuçiç këmbënguli që Serbia ishte gati për kompromis me Kosovën, pavarësinë e të cilës Beogradi ka refuzuar ta njohë që kur ajo e shpalli atë në vitin 2008.
“Ne do të vazhdojmë të kërkojmë kompromis, por përsëris, dhe ia thashë Putinit këtë, nuk do të lejojmë që dikush ta poshtërojë Serbinë,” tha Vuçiç.
Të dy presidentët riafirmuan lidhjet e forta midis Beogradit dhe Moskës, duke përmendur numrin e madh të marrëveshjeve dypalëshe të nënshkruara gjatë vizitës njëditore të Putinit.
Të dy vendet thuhet se kanë nënshkruar një total prej 21 marrëveshjesh. U njoftua më parë se marrëveshjet do të kishin të bënin me përdorimin paqësor të energjisë atomike, zhvillimin digjital teknologjik dhe inovacionin në sektorin e energjisë elektrike, ndër të tjera.
Putin tha se pritej të nënshkruhej një marrëveshje deri në fund të vitit mbi krijimin e një zone tregtie të lire me Bashkimin Ekonomik Euroaziatik i udhëhequr nga Rusia, EAEU, dhe Serbinë.
Para konferencës së përbashkët për shtyp, Putini i dha Vuçiç një çmim, Urdhrin Alexander Nevsky, i cili e vendos atë në shoqërinë e një numri udhëheqësish botërorë jo të njohur për parimet e tyre demokratike. Presidenti Vuçiç i dhuroi Putinit një qen.
Gjatë vizitës së presidentit rus, mijëra qytetarë nga pjesë të ndryshme të Serbisë u mblodhën përpara Kishës së Shën Savës në Beograd për të mirëpritur liderin rus, i cili është popullor mes shumë serbëve.
Por partitë opozitare serbe akuzuan Partinë Progresive se po e organizonte tubimin në përgjigje të protestave kundër sundimit të Vuçiçit që janë mbajtur në Beograd çdo të shtunë gjashtë javët e fundit.
Një grup prej 17 OJQ-sh serbe për të drejtat e njeriut ndërkohë kritikuan atë që ata e quajtën “glorifikimi i regjimit autoritar të Vladimir Putinit”, duke vënë në dukje se anëtarë të komunitetit LGBT +, aktivistë të opozitës dhe gazetarë përballeshin me represion në Rusi.
“Vizita e presidentit Putin, me gjithë pompozitetin e medias, vepron si një vorbull për erozionin e institucioneve demokratike, të drejtat dhe liritë e qytetarëve serbë, nën maskën e miqësisë serbo-ruse,” thanë organizatat në një deklaratë për shtyp.
Gazetarët e BIRN-it në Serbi e shfrytëzuan rastin e vizitës së Putinit për të vendosur pankarta nga zyrat e tyre, duke i bërë thirrje presidentit të lirojë gazetarët e burgosur në Rusi dhe që të tregojë respekt më të madh për të drejtat e njeriut.