Lajm13 Feb 2018

Pyetjet për luftën ‘u ndaluan’ gjatë vizitës së Vuçiç në Kroaci, thonë deputetët

Deputetë të opozitës në Kroaci kritikuan zyrtarët në Zagreb të cilët udhëzuan gazetarët të mos e pyesnin presidentin serb Aleksandër Vuçiç për retorikën e tij nacionaliste gjatë luftërave të viteve 1990.

Autor: Sven Milekic BIRN Zagreb
Printo

Vuçiç dhe Kolinda Grabar Kitaroviç në një konferencë për shtyp të hënën. Foto: BETAPHOTO/HINA/Daniel KASAP/MO

Disa deputetë kroatë të opozitës të martën kritikuan zyrtarët që u thanë gazetarëve të mos e pyesnin Aleksandër Vuçiçin për retorikën e tij polemike gjatë luftërave të viteve 1990 gjatë një konference për shtyp që pasoi takimin e tij me presidenten kroate Kolinda Grabar Kitaroviç.

Më i zëshmi ishte Bojan Glavaseviç, një deputet i Partisë Social Demokrate të opozitës, SDP, i cili citoi raportet e mediave në të cilat gazetarët ishin udhëzuar në mënyrë specifike nga zyra e presidentes kroate që të mos e pyesnin Vuçiçin për një deklaratë që ai bëri në qytetin kroat të Glinës në mars 1995.

Në Glina, e cila në atë kohë ishte nën kontrollin e serbëve rebelë të Kroacisë, Vuçiç foli në një takim publik dhe tha: “Shteti ustash s’do të vijë më kurrë këtu.”

Fjalimi prej katër minutash në Kroaci shihet gjerësisht si nacionalist.

“Fakti që presidentja kroate i ndaloi gazetarët ta pyesnin Vuçiçin për fjalimet e tij luftënxitëse ishte një poshtërim dhe një shuplakë në fytyrën e çdo viktime të luftës,” tha Glavaseviç në parlament të martën.

Ai u shpreh se “Kroacia u poshtërua” nga vizita e Vuçiçit, pasi ai nuk erdhi si mik ose “nuk kishte ndonjë qëllim të mirë ndaj Kroacisë”.

Babai i Glavaseviçit, gazetari radiofonik Sinisa Glavaseviç, u vra në nëntor 1991, pasi qyteti lindor kroat i Vukovarit u mor nga Ushtria Popullore Jugosllave dhe paraushtarakët serbë.

Kur u njoftua për herë të parë se Vuçiç do të vinte në Zagreb, Glavaseviç përmendi çështjen sesi Partia Progresiste Serbe e Vuçiçit kishte ftuar Veselin Sljivancaninin, një ish-oficer i Ushtrisë Popullore Jugosllave i dënuar nga Gjykata e Hagës për përgjegjësinë për masakrën e Vukovarit në vitin 1991, në eventet e partisë së tij.

“Vuçiçi është njeriu që ende  edhe sot është mik me Veselin Sljivancanin, kasapin e vërtetuar ligjërisht të Vukovarit,” tha Glavaseviç në fjalimin e tij të martën.

“Ka një rrugë drejt pajtimit, por Vuçiç dhe Grabar Kitaroviç nuk mund të na udhëheqin në atë rrugë. Vetëm njerëzit e mirë mund të na udhëheqin në këtë rrugë,” shtoi ai.

Miro Bulj, një deputet opozitar nga Ura e Listave të Pavarura, MOST, kritikoi gjithashtu vizitën e Vuçiçit, duke thënë se ai i tha Vuçiçit të shkonte në Glina ndërsa ai kalonte në korridoret e parlamentit të hënën.

Vuçiç të martën po viziton komunitetin serb në qytetin e Vrginmost në Kroacinë qendrore. Bulj tha se ai “duhet të shkojë në Glina dhe t’u kërkojë falje njerëzve me etni serbe”.

Ai theksoi se Vuçiç ishte një anëtar i Partisë Radikale Serbe gjatë luftërave të viteve 1990 në ish-Jugosllavi.

Në një artikull për Politico të martën, Vuçiç përmendi shkurtimisht të kaluarën e tij të kohës së luftës pa kaluar në gjëra specifike.

“Si i ri që isha atëherë, nuk e kuptova se çfarë mund të fitohej nga bashkëpunimi mes vendeve të ndara. Por tani e di që vendi im pagoi një çmim të lartë për ekseset nacionaliste,” shkroi ai.

Artikulli fliste për një bashkëpunim më të madh ekonomik midis vendeve të Ballkanit, duke i bërë thirrje atyre “të përqendrohen në atë që na lidh bashkë”.

“Çështjet që na bashkojnë janë shumë më të forta sesa ato që na ndajnë,” shkroi Vuçiç.