Lajm8 Jul 2019

Qendra e djathtë në Greqi fiton zgjedhjet me forcë

Konservatorët e Demokracia e Re, udhëhequr nga Kiriakos Mitsotakis mposhti partinë Syriza të krahur të majtë në një fitore bindëse në zgjedhjet parlamentare të së dielës.

Autor: Roza Ismailaj BIRN Athinë
Printo

Kiriakos Mitsotakis. Foto: Facebook

Partia Demokracia e Re mposhti Syrizën në një fitore masive të dielën, në zgjedhjet e para parlamentare që kur vendi doli nga sistemi i ndihmave ndërkombëtare kundër falimentit në gusht 2018.

Demokracia e Re, partia konservatore në opozitë, fitoi 39.75 për qind të votave ndërsa Syriza në pushtet mori vetëm 31.53 për qind. Demokracia e Re mori në këtë mënyrë 158 deputetë në parlamentin me 300 vende, mjaftueshëm për të krijuar një qeveri e vetme, për shkak se sistemi elektoral grek i jep bonus në deputetë partisë që del e para në votimin popullor.

Zgjedhjet në Greqi u zhvilluan tre muaj para kohe, pasi Syriza humbi zgjedhjet Europiane si dhe zgjedhjet për pushtetin vendor më herët këtë vit përballë Demokracisë së Re.

Pjesëmarrja në zgjedhjet e së dielës ishte 58%, veçanërisht e ulët në Greqi.

Kryeministri i sapozgjedhur Kiriakos Mitsotakis falënderoi elektoratin për “mandatin e fortë”. Ai tha se do të jetë kryeministër i të gjithëve për shkak se grekët “janë tepër pak për të qenë të përçarë”.

“Qytetarët kanë bërë zgjedhjen e tyre. Ne respektojmë plotësish votën popullore,” deklaroi kryeministri në larkim Alexis Tsipras të shtunën në mbrëmje. Tsipras premtoi se Syriza do të bëhet një parti opozitare që lufton për interesat e klasës punëtore.

Edhe katër parti të tjera arritën të hyjnë në parlament, por Agimi i Artë, partia neo-naziste që dikur kishte vendin e tretë, ra poshtë pragut kualifikues dhe nuk do të ketë përfaqësi parlamentare.

Por partia Zgjidhja Greke, një parti tjetër populiste e krahut të djathtë, udhëhequr nga Kiriakos Velopoulos, kapërceu 3% të votave dhe mori 10 vende në parlament.

Syriza erdhi fillimisht në pushtet në janar 2015, duke kundërshtuar masat e kursimit të imponuara nga dy programet e para të shpëtimit nga falimenti të ndërmarra nga bashkësia ndërkombëtare.

Por pavarësisht axhendës fillestare anti-kursim, Tsipras eventualisht ra dakord për një paketë të tretë shpëtimi, pas një referendumi dhe rizgjedhjes së partisë së tij. Masa të tjera kursimesh pasuan, ndërsa qeveria punoi për të plotësuar kushtet e kreditorëve.

Deri në janar 2019, Syriza qeverisi në koalicion me partinë Anexartitoi Ellines, një parti populiste e krahut të djathtë, e cila u tërhoq nga qeveria pasi Greqia arriti marrëveshje për emrin me Maqedoninë e Veriut, në përfundim të një përplasjeje që zgjati pothuajse tre dekada.

Gjithsesi, kjo lëvizje u përball me kundërshtim të fortë nga një pjesë e grekëve si dhe nga vetë Mitsotakis dhe partia e tij.

Mitsotakis, i cili do të jetë kryeministri i ri i vendit, është i biri i Konstantinos Mitsotakis, ish-kryeministër si dhe vëlla i ish-ministres së jashtme, Dora Bakoyanni. Ai është edhe xhaxha i kryebashkiakut të ri të Athinës.

Ai ka studiuar në Harvard dhe Stenford në SHBA dhe ka punuar në sektorin bankar para se të hynte në politikë.

Ai ka propozuar një Greqi më të orientuar për biznes, me fokus në investimet e huaja, reduktimin e taksave dhe më shumë privatizime.

Partia e tij Demokracia e Re ishte në pushtet kur Greqia hyri në krizën e parë financiare para se të humbte zgjedhjet më 2015 përballë Syrizës.