Këshilli i Ministrave ka vendosur të shpallë gjendjen emergjencës për situatën e furnizimit me energji elektrike duke i dhënë mundësi qeverisë të ndërhyjë në treg.
Kryeministri Edi Rama shpalli gjendjen e jashtëzakonshme në lidhje me furnizimin me energji elektrike duke urdhëruar kompanitë e sektorit “të pezullojnë investimet” dhe Ministrinë e Financave të kërkojë burime për financimin e importeve të energjisë në kushtet e çmimeve stratosferike të tregut rajonal ndërkohë që opozita deklaroi se vendi nuk gjendet në krizë dritash dhe se shpallja e emergjencës është e pajustifikuar.
“Vendimi i emergjencës është i diktuar nga një situatë e përgjithshme e rritjes marramendëse të çmimit të energjisë elektrike në tregjet ndërkombëtare”- tha Rama në një komunikim me mediat pas mbledhjes. Ai lajmëroi një plan për menaxhimin e situatës që do të bëhet i ditur të shtunën.
Kryetari i opozitës Lulzim Basha deklaroi pak më vonë se kriza “nuk është energjetike por korruptive”.
“Rama po krijon kushte presione dhe frike per ata cfarë ai planifikon të bëjë për rritjen e çmimeve të energjisë, si një avokat i klientëve me të cilët po ndan si plaçkë Shqipërinë,” deklaroi Basha.
Emergjenca e shpallur nga Rama në bazë të nenit 90 të ligjit për Energjinë Elektrike lejon kompanitë e sektorit të kryejnë ndërprerje të furnizimit dhe të mos mbajnë përgjegjësi për dëmet që këto ndërprerje mund t’i shkaktojnë qytetarëve apo biznesit.
“Vendimi i emergjencës është i diktuar nga një situatë e përgjithshme e rritjes marramendëse të çmimit të energjisë elektrike në tregjet ndërkombëtare”- tha Rama në një komunikim me mediat pas mbledhjes. Ai lajmëroi një plan për menaxhimin e situatës që do të bëhet i ditur të shtunën.
“Ky vendim i jep qeverisë mundësinë që të ndërhyjë, qoftë me instrumente financiare, qoftë edhe me instrumente të natyrës administrative”- shtoi ai duke shtuar se shpallja e emergjencës “i hap rrugë edhe ekzekutimit të planit të posaçëm për të përballuar këtë situatë”.
Kreu i qeverisë nuk tha nëse do të rritet dhe sa do të rritet çmimi i energjisë për qytetarët, apo sa do të jetë fatura financiare e planit të emergjencës.
Sipas Ramës kriza energjitike sapo ka nisur dhe se ajo pritet të arrijë pikun e saj në mesin e vitit të ardhshëm, por dhe pas këtij momenti “çmimet nuk do të kthehen aty ku ishin”. Ai e krahasoi situatën me atë të pandemisë që preku të gjithë vendet.
Rama përsëriti disa herë se plani që po përgatit qeveria do të mbrojë konsumatorët dhe biznesin e vogël. “Rendi i prioriteteve do të jetë nga më të dobëtit te më të fortët”, tha Rama. Ai tha se Shqipëria është e detyruar të blejë energji në tregun ndërkombëtar me çmimet që i imponon tregu, pasi është e varur nga prodhimi natyror i energjisë.