Lajm24 Jun 2015

Qeveria dështon me të ardhurat buxhetore, janar –maj, mungojnë 6.6 miliardë lekë

Të ardhurat fiskale të qeverisë dështuan të realizojnë planin. Shpenzimet janë mbajtur të ulëta duke vështirësuar gjendjen ekonomike të shqiptarëve.

Autor: Gjergj Erebara BIRN Tiranë
Printo

duhan i tharë

Duhan i varur në serë për t’u tharë | Foto nga : Fejzi Braushi

Administrata doganore dhe ajo tatimore realizuan një nga bilancet më të këqija në shumë kohë për periudhën janar-maj 2015 ndërkohë që shpenzimet buxhetore u mbajtën të pakëta duke hequr nga ekonomia para për konsum dhe investime.

Të ardhurat e buxhetit të shtetit shënuan një rritje prej vetëm 5.1 për qind në krahasim me vitin 2014 pavarësisht se rritja e taksave të realizuara në janar të këtij viti dhe rritja ekonomike e parashikuar duhej të jepnin një rritje të të ardhurave buxhetore me së paku 10 për qind.

Të ardhurat tatimore dhe doganore patën ecuri shumë të keqe, sipas bilancit të publikuar sot nga Ministria e Financave, dhe të ardhurat mungojnë pikërisht në ato zëra ku rritja e taksave ka qenë më e ashpër. Te të ardhurat nga tatimet dhe doganat qeverisë i mungjnë 11 miliardë lekë (rreth 90 milionë euro) ku të problemet më të mëdha u shënuan te të ardhurat nga akcizat, tatimi mbi të ardhurat personale dhe taksat nacionale. Nga këto, të ardhurat nga akcizat janë për këtë vit janë 4.5 miliardë lekë më pak se plani, pavarësisht se akciza e cigareve u rrit nga 90 në 110 lekë për paketë në janar të këtij viti. Të ardhurat nga taksat nacionale janë 2.5 miliardë lekë më pak se plani, pavarësisht se në këtë zë llogariten edhe të ardhurat shtesë nga rritja e taksës së qarkullimit mbi naftën, e cila u rrit me 10 lekë për litër nga janari i këtij viti. Por rënia nga ky zë i dedikohet edhe rënies së arkëtimeve nga renta minerare, të cilat janë më të dobëta për shkak të çmimit shumë më të ulët të naftës bruto këtë vit në krahasim me vitin e kaluar.

Domethënëse qe edhe performanca e keqe e tatimit mbi të ardhurat personale. Të ardhurat nga ky zë qenë 3.2 miliardë lekë më të ulëta se sa plani, duke sugjeruar rritje të evazionit fiskal ose rënie të ndjeshme në të ardhurat e taksueshme të popullsisë.

Për të kompensuar performancën shumë të keqe në të ardhura, qeveria ka mbajtur të ulëta shpenzimet. Për pesëmujorin janar-maj, buxheti shpenzoi 14 miliardë lekë më pak se plani (rreth 100 milionë euro), e barazvlefshme kjo me 1 për qind të prodhimit të brendshëm bruto.

Qeveria do të duhet të rishikojë buxhetin e shtetit këtë vit për t’u përballur me nivelin shumë më të ulët nga sa pritej në të ardhura, gjë që ka gjasa do të penalizojë edhe rritjen ekonomike të këtij viti.

Të ardhurat e dobëta i dedikohen para së gjithash rritjes së evazionit fiskal në mallrat kycë, si duhan dhe naftë. Te duhani, rritja tepër e shpejtë e taksimit në krahasim me rënien e fuqisë blerëse të popullsisë ka bërë që një pjesë e konsiderueshme e popullsisë të zëvendësojë paketat e cigareve me duhan të hapur apo “cigare të mbushura”, të cilat janë duhan i hapur i futur në cigare me mjete të improvizuara dhe që shiten për vetëm 50 lekë për 20 cigare për shkak se nuk paguajnë taksa.