Ministrat thanë se media e keqkuptoi fjalimin e kryeministrit, i cili bëri thirrje për pajtim kombëtar, duke hedhur poshtë sugjerimet se kjo mund të nënkuptojë një ofertë amnistie për sulmuesit e parlamentit vitin e kaluar.
Ministrat e qeverisë kanë nxituar të hedhin poshtë frikën se thirrja e kryeministrit Zoran Zaev për “pajtim kombëtar” do të thotë se ai është i gatshëm të konsiderojë një amnisti për njerëzit që sulmuan parlamentin vitin e kaluar në këmbim të votave të deputetëve të opozitës në mbështetje të ndryshimeve kushtetuese për të ndryshuar emrin e vendit.
“Kryeministri foli për pajtim, për shtrirje duarsh dhe sqarim mosmarrëveshjes dhe nuk kishte absolutisht asnjë thirrje për amnisti,” tha për mediat të hënën Edmond Ademi, ministri pa portofol përgjegjës për diasporën.
Ademi këmbënguli se gjyqet në vazhdim të personave përgjegjës për sulmin e përgjakshëm në parlament më 27 prill të vitit të kaluar, ku u përfshinë disa deputetë nga partia kryesore e opozitës VMRO DPMNE, nuk kanë të bëjnë me thirrjen e Zaevit për pajtim.
“Është një fakt që ne jemi të ndarë, deputetët dhe shoqëria njësoj. Pajtimi ka një dimension njerëzor dhe një amnistia është diçka krejtësisht ndryshe,” tha ai.
Gjatë fjalimit të tij të hënën, në fillim të seancës plenare të parlamentit mbi ndryshimet kushtetuese të propozuara që do të ndryshonin emrin e vendit si pjesë e marrëveshjes me Greqinë, kryeministri Zaev shkaktoi konfuzion pasi përmendi disa herë se tani ishte momenti për pajtim, megjithëse ai nuk e përdori fjalën “amnisti”.
“Unë dërgoj një mesazh faljeje dhe pajtimi në lidhje me 27 prillin dhe ngjarjet që ndodhën,” tha Zaev.
Sulmi ndaj parlamentit në prill të vitit të kaluar ndodhi në mes të tensioneve të larta politike në vend, pasi ish-partia qeverisëse VMRO DPMNE u përpoq të ndalte social demokratët e Zaevit që të formonin një qeveri.
Një turmë plagosi rreth 100 vetë duke përfshirë dhjetë deputetë nga shumica e re. Zaev ishte midis të lënduarve.
Në mars të këtij viti, prokuroria ngriti akuza për terrorizëm kundër 30 personave që u përfshin në të, përfshirë ish-zyrtarë të lartë dhe deputetë aktual të VMRO DPMNE. Gjyqi është ende në vazhdim.
Fjalimi i fundit i Zaevit vjen në një sfond shqetësimesh të shumta në lidhje me faktin nëse qeveria do të mbledhë apo jo shumicën e nevojshme prej dy të tretash në parlament për të miratuar ndryshimet kushtetuese që parashikojnë ndryshimin e emrit të vendit në Republika e Maqedonisë së Veriut.
Ndryshimi i emrit të Maqedonisë për t’i dhënë fund një mosmarrëveshje të gjatë me Greqinë do të hapë ofertat e pranimit të vendit në BE dhe NATO. Qeveria e Zaevit ka këmbëngulur se nuk ka ndërmend të negociojë për mbështetjen e marrëveshjes me një amnisti për përfaqësuesit dhe mbështetësit e opozitës që po gjykohen aktualisht.
Dita e parë e debatit mbi ndryshimet kushtetuese të propozuara pa partitë në pushtet dhe opozitën ende të vendosura në pozicione të kundërta.
Ndërsa deputetët nga mazhoranca qeveritare vazhduan t’i bënin thirrje atyre të bashkoheshin me ta në marrjen e një vendimi historik për të ardhmen e vendit, për të cilin ata thanë se nuk ka alternativë, deputetët e opozitës vazhduan të këmbëngulin që marrëveshja e emrit të rrezikonte identitetin e maqedonasve.
Deputeti Ilija Dimovski i VMRO DPMNE sugjeroi se alternativa ishte një “partneritet strategjik me BE-në dhe NATO-n derisa të gjendej një zgjidhje për mosmarrëveshjen e emrit”.
Partitë qeverisëse mund të mbështeten vetëm tek 71 deputetë. Ata do të kishin nevojë që të paktën nëntë deputetë të opozitës të votonin në favor për të arritur numrin e kërkuar prej 80 votash pro në parlamentin e përbërë nga 120 deputetë.
Seanca parlamentare pritet të vazhdojë të martën pasi 50 ligjvënës të tjerë kanë kërkuar fjalën, por nuk e kanë bërë ende këtë.