Pasi Gjykata Administrative e Apelit hodhi poshtë një vendim të Këshillit të Ministrave që zgjeronte kufijtë e parkut kombëtar në malin e Tomorrit, Ministria e Turizmit dhe Mjedisit është angazhuar në një fushatë ndërgjegjësuese kundër këtij vendimi.
Të rinjtë e projektit “Smile Albania”, që shpërndajnë informacion për turistët e huaj që vizitojnë Shqipërinë gjatë sezonit të verës, kanë marrë ditët e fundit përsipër dhe një tjetër mision në Berat – mbledhjen e firmave për një peticion për mbrojtjen e parkut kombëtar në malin e Tormorrit.
“Do të kisha dalë menjëherë për të mbledhur firmat kundër aktivitetit të guroreve në Tomorr edhe nëse nuk do të isha përfshirë në projektin e guidave, pasi gjithë zona po zhvillohet nëpërmjet turizmit, që është mali, lumi dhe qyteti”, tha Anxhela, e cila është pjesë e projektit ‘Smile Albania’ për të dytin vit radhazi.
Të rinjtë e projektit janë shpërndarë në lagjet historike të Beratit, fill pas një vendimi të Gjykatës Administrative të Apelit që shfuqizoi vendimin e Këshillit të Ministrave për zgjerimin e Parkut Kombëtar të Malit të Tomorrit, duke i hapur rrugë rikthimit në punë të guroreve në këtë zonë malore të mbrojtur.
Vendimi i gjykatës ishte akti i fundit i një konflikti 2 vjeçar midis Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit dhe bizneseve të nxjerrjes së gurit në malin e Tomorrit. Sipas ministrisë, ky aktivitet shfrytëzimi minerar ndër vite i ka shkaktuar një dëm të pariparueshëm mjedisor zonës, ndërkohë, bizneset ankohen se ato kanë operuar kundrejt të gjitha lejeve dhe ligjeve të shtetit shqiptar.
Mali i Tomorrit është shpallur park kombëtar në vitin 1996, me një sipërfaqe prej 4 mije hektarësh. Në vitin 2012, sipërfaqja e mbrojtur u gjashtëfishua në 24,723 hektarë; ndërkohë që vitin e kaluar, qeveria e zgjeroi parkun duke e bërë me sipërfaqe 26,106 hektarë.
Vendimi i qeverisë për zgjerimin e sipërfaqes së mbrojtur të parkut nxori nga aktiviteti 12 subjekte minerare, të cilat të bashkuara në shoqatën e Shoqërive Minerare Berat e ankimuan VKM-në 467, datë 26.07.2018, të Këshillit të Ministrave në Gjykatën Administrative të Apelit.
Sipas vendimit të gjykatës, një kopje e së cilës është siguruar nga BIRN, Ministria e Turizmit dhe Mjedisit ka dështuar në ndjekjen e procedurave për konsultim me grupet e interesit përpara draftimit dhe miratimit të VKM-së.
“Ministria e Mjedisit dhe Këshilli i Ministrave nuk morën mendim nga Bashkia Skrapar, nuk kryen as konsultim publik me komunitetin e zonës, pronarët, privatë dhe grupet e interesit,” shkruhet në vendim, i cili shton se propozimi i Ministrisë së Mjedisit kaloi në Këshillin e Ministrave pa pasur vendim nga Këshilli Kombëtar i Territorit.
“Ministria e Mjedisit nuk e mbështeti propozimin me studime paraprake apo të thelluara nga komuniteti shkencor. Këshilli i Ministrave e mori vendimin pa argumentuar vlerat e biodiversitetit që u kërkua të mbrohej”, argumenton gjykata.
Trupa gjykuese në Gjykatën Administrative të Apelit ka pasur relator gjyqtaren Alkelina Gazidedja dhe anëtarë Amarildo Laçi, Bari Shyti, Blerona Hasa, Fjoralba Prifti.
Vendimi i gjykatës është kundërshtuar nga Ministri i Turzimit dhe Mjedisit, Blendi Klosi dhe zyrtarë të tjerë vendorë.
“Me procedurë dhe truke ligjore, kjo gjykatë kërkon të mbrojë dhe të lejojë veprimtarinë e disa biznesmenëve që prej 20 vitesh e shkatërrojnë atë pasuri të përbashkët, por gjyqtarët do të përballen me vetingun nëpërmjet peticionit”, tha Klosi gjatë një proteste simbolike të mbajtur në Berat të shtunën, ku të rinj mbanin pankarta me sloganet “Tomorri Park Kombëtar”, “Mos ma prek malin’, ‘Vetingu do t’iu përgjigjet.”
Ndërkohë, pas dy vite betejash ligjore, drejtuesit e bizneseve minerare duken të vendosur për t’iu rikthyer punës.
“Lufta ndaj nesh nisi që me revokimin e lejeve mjedisore nga Ministria e Mjedisit – njëra pas tjetrës ne çështjet i fituam, por nuk na u lejua të punonim, ndaj dhe ju drejtuam Gjykatës Administrative të Apelit si rruga e vetme për të shfuqizuar vendimin,” tha për BIRN Jorgo Delisi, administrator i subjektit “Led-Bjon”.
Delisi dhe drejtues të tjerë guroresh shprehen se ata vazhdojnë të paguajnë taksat lokale dhe tarfia të tjera që iu ngarkohen, ndonëse nuk punojnë që prej gati dy vitesh.
“Ne paguajmë të gjitha taksat, që nga ato lokale por dhe çdo faturë tjetër deri tek ajo për rehabilitimin e zonës, ndërkohë që nuk jemi në punë, ndaj dhe ne do të kërkojmë zbatimin e vendimit të gjykatës kundër VKM-së, duke kërkuar ndjekje penale për këdo që se zbaton atë,” shtoi ai.
Për drejtorin e Zonave të Mbrojtura në Berat, Fatos Nako, vlerat e malit të Tomorrit janë të mëdha, qoftë nga pasuria natyrore, në bimësi, kafshë të egra, por dhe si vlerë për zhvillimin e turizmit fetar, ndaj dhe qeveria vendosi zgjerimin e sipërfaqes së mbrojtur atje.
“Historia e shpalljes së Tomorrit si Park Kombëtar ka filluar që në vitin 1996 me krahun perëndimor të malit që përfshin zonën e Beratit dhe kjo u bë realitet me Vendimin e Këshillit të Ministrave një vit më parë, por rrëzimi i këtij vendimi nxjerr më të rëndësishme bizneset e gurit përballë vlerave të malit,” tha Nako gjatë protestës.
Prefektja e Qarkut të Beratit, Valbona Zylyftari, e ka cilësuar gjithashtu si arbitrar vendimin e gjykatës dhe shprehet se nuk do të lejohet më shkatërrimi i malit të Tomorrit.
“Si kryetare e Komitetit të Menaxhimit të Zonave të Mbrojtura vetëm disa ditë më parë isha në mbledhjen e strukturave të degëve territoriale ku u bë e qartë se ‘lufta” për të mbrojtur zonat e rëndësishme është e pakthyeshme, ndërkohë që nga ana tjetër do të kemi dhe mbështetjen e qytetarëve të Beratit, të cilët po firmosin peticionin”, tha Zylyftari.
Mësohet se guidat e ‘Smile Albania’ kanë mbledhur rreth 500 firma nga qytetarët e Beratit dhe këtë peticion do t’ia përcjellin organeve të vetingut për gjyqtarët që dhanë vendimin për shfuqizimin e VKM-së për zgjerimin e parkut kombëtar të malit të Tomorrit.
Kjo ankesë do t’i shtohet dosjes se gjyqtarëve të Gjykatës Administrative të Apelit dhe do të trajtohet nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit kur ato të përballen me procesin e rivlerësimit.