Lajm9 Oct 2017

Qeveria korrekton pjesërisht nivelin e pagesave për komisionerët e vetingut

Këshilli i Ministrave vendosi të hënën që komisionerët e vetingut të marrin pagesë shtesë prej 50 për qind, por rritja e vlerës së trajtimit financiar është ende larg kërkesave të vetë drejtuesve të këtyre institucioneve.   

Autor: BIRN BIRN Tiranë
Printo

Kryetarja e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, Genta Tafa Bungo, Kryetarja e Kolegjit te Posaçëm të Apelimit të Gjykatës Kushtetuese, Natasha Mulaj dhe Komisionerët Publikë, Florian Ballhysa dhe Heral Saraçi, gjatë një mbledhje të komisionit parlamentar të Ligjeve, ku është diskutuar në lidhje me miratimin e strukturave të orgaveve të vetingut | Foto nga Malton Dibra/LSA

Këshilli i Ministrave vendosi të hënën të rrisë me 50 për qind pagesat e anëtarëve të tre institucioneve të vetingut, duke u tërhequr pjesërisht nga qëndrimi i mëparshëm për t’u akorduar atyre pagesa të barabarta me anëtarët e Gjykatës Kushtetuese apo Gjykatës së Lartë.

Ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjoni tha në një deklaratë për mediat pas mbledhjes së qeverisë se të gjithë anëtarët e rivlerësimit do të trajtoheshin me pagesa shtesë në masën 50 për qind.

Qeveria shqiptare, ashtu siç ka premtuar se do të mbështesë zbatimin e reformës në drejtësi në aspektin buxhetor dhe atë infrastrukturor, me vendimin e sotëm  konfirmoi edhe njëherë angazhimin e saj serioz,” tha ministrja Gjoni.

“ Mbështetja nga ana e qeverisë përsa i përket buxhetit është një detyrim sa kushtetues edhe ligjor, aq sa edhe shprehja e një vullneti të plotë për rritjen e pagesës me 50 për qind më shumë,” shtoi Gjoni.

Reduktimi i kërkesave të drejtuesve të institucioneve të vetingut shkaktoi debate të forta në mbledhjet e 19 dhe 25 shtatorit në Komisionin e Çështjeve Ligjore, ku deputetët socialistë i konsideruan propozimet për organikën të fryra. Kundërshtime pati gjithashtu edhe propozimi për nivelin e pagave me një shtesë për vështirësi në masën 200 %, i cili nuk u miratua.

Si rrjedhojë, Parlamenti votoi mëngjesin e 29 shtatorit një organikë të shkurtuar në masën 40 për qind nga propozimet fillestare si dhe nivelin G3 të pagës për komisionerët, e cila kap vlerën mesatare bruto të 302 mijë lekëve.

Këmbëngulja e deputetëve të mazhorancës për të reduktuar buxhetin e kërkuar nga institucioneve të vetingut u kundërshtuar nga Partia Demokratike dhe Lëvizja Socialiste për Integrim në opozitë, të cilën akuzuan qeverinë se po tenton të kontrollojë procesin përmes buxhetit. Ndërkohë, përfaqësues të shoqërisë civile e panë këtë akt si ekspozim të mungesës së vullnetit politik për zbatimin e reformës në drejtësi.

Me vendimin e së hënës, qeveria ka korrektuar pjesërisht nivelin e pagave, por është ende larg nivelit të propozuar nga drejtuesit e këtyre institucioneve. Të dhënat e siguruara nga BIRN tregojnë se komisionerët e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, Komisionerëve Publikë dhe Kolegjit të Apelimit do të marrin një pagesë bruto mujore prej 453 mijë lekësh.

Në deklaratën për mediat, ministrja e Drejtësisë, Gjoni tha se institucionet e reja kanë tashmë infrastrukturën, strukturën dhe shtesën e pagës dhe janë gati që të fillojnë nga procesi.

“Qeveria për një periudhë tepër të shkurtër arriti të ofrojë të gjithë mbështetjen e nevojshme, pavarësisht vështirësive ligjore dhe atyre financiare. Por tani mbetet të tregohet nga vetë organet e vetingut vullneti dhe angazhimi për fillimin e këtij procesi,” përfundoi ministrja e Drejtësisë.