Këshilli i Ministrave ka vendosur të miratojë kërkesën e bashkisë Durrës për mbështetje financiare për depozitimin mbetjeve në landfillin e Sharrës në Tiranë.
Kompania koncesionare që menaxhon nëpërmjet një kontrate partneriteti publik privat landifllin e Sharrës, dot të përfitojë të paktën 3.8 miliardë lekë (30 milionë euro) në 10 vitet e ardhshme për depozitimin e mbetjeve të Durrësit.
Me 30 korrik Këshilli i Ministrave ka miratuar një kërkesë së bashkisë Durrës për mbështetje financiare për menaxhimin e mbetjeve të ngurta urbane, e cila kap një vlerë prej 430 milionë lekësh në vitet 2022-2024 dhe pastaj ulet gradualisht deri në 395 milionë lekë në vitin 2030.
“Shuma e mbështetjes financiare, sipas tabelës bashkëlidhur këtij vendimi, negociohet çdo vit fiskal gjatë hartimit të projektbuxhetit afatmesëm dhe atij vjetor, ndërmjet Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë dhe Bashkisë Durrës, në varësi të aftësive fiskal,” shkruhet në vendimin e Këshillit të Ministrave të botuar në fletoren zyrtare.
Sipas bashkisë së Durrësit, sasia e mbetjeve që evadohet çdo ditë nga qyteti është 206 ton ose 75,500 ton në vit. Në një mbledhje të jashtëzakonshme të enjten 4 gusht, Këshilli Bashkiak Durrës miratoi një vendim për përdorimin e fondit të miratuar nga qeveria për dërgimin e mbetjeve në Sharrë.
Duke folur në mbledhjen e Këshillit Bashkiak, kryetarja e Bashkisë Durrës, Emiriana Sako theksoi se me miratimin nga Këshilli të përdorimit të këtij fondi, bashkia do të procedojë me lidhjen e marrëveshjes me koncesionarin për depozitimin e mbetjeve në landfillin e Sharrës.
Sako theksoi se vendimi që po merrte Këshilli ishte i ligjshëm, pasi kishin ndërmarrë disa hapa ligjorë për të marrë opinionin e institucioneve për menaxhimin e mbetjeve.
“Ka qenë një vit i vështirë por kemi qenë skrupuloz ke pjesa e zbatimit të ligjit,” tha ajo.
Sipas Sakos Durrësi do mbulojë fillimisht 10% të kostos së depozitimit të mbetjeve në Sharrë gjatë tre viteve të para. Më vonë kjo kosto do të rritet gradualisht deri në 15%.
Kryebashkiakja e Durrësit i tha Këshillit se kostot e depozitimit të mbetjeve në Sharrë bazoheshin në një studimi të realizuar nga Agjencia Kombëtare e Ujësjellës Kanalizimeve dhe Infrastrukturës së Mbetjeve, AKUM, i cili ishte miratuar edhe nga Komiteti i Menaxhimit të Mbejteve.