Lajm18 Apr 2021

Qeveria, miting për inaugurimin e disatë të aeroportit të Kukësit

Aeroporti i Kukësit u inaugurua për të disatën herë në mes të një fushate elektorale. 

Autor: Bashkim Shala BIRN Kukës
Printo

Inaugurimi i aeroportit të Kukësit. Foto:LSA

Në aeroportin e Kukësit, i ripagëzuar “Zayed, Flatrat e Veriut”, u zhvillua të dielën mitingu i disatë elektoral me motiv fillimin e punës së tij.  Një aeroplan i kompanisë Air Albania, në të cilin udhëtonte kryeministri Edi Rama, ministrja e Infrastrukturës Belinda Balluku dhe disa dhjetra pasagjerë të zgjedhur, u ul në Kukës i nisur nga Rinasi.

Ky është përurimi i dytë zyrtar i aeroportit. Një avion u ul në aeroport fillimisht në vitin 2009 gjatë fushatës elektorale të atij viti. Ndërkohë në vitin 2010 tani presidenti Ilir Meta dhe kreu i opozitës Lulzim Basha, atëherë ministër i Brendshëm, inauguriuan përfundimin e ndërtimit të aeroportit. Ndërkohë premtimi i hapjes së tij dhe mitingje të ngjashme në prag fushate, janë zhvilluar aty disa herë.

Ministrja e Infrastrukturës Belinda Balluku tha në cermoninë e inaugurimit se aeroporti do të kishte disa testime të tjera dhe fluturimet fillonin zyrtarisht në 17 qershor, por nëse aeroporti do të jetë funksional është ende e paqartë. Ndërkohë kryeministri Edi Rama e cilësoi inaugurimin “Një ditë e rëndësishme për Kukësin, për Shqipërinë dhe për Kosovën”. Ai pretendoi se aeroporti do u shërbente të dy vendeve. 

Por kreu i opozitës në Kukës Arif Rexhmati tha se inaugurimi ishte elektortal, ndërsa akuzoi Zyrën e Punësimit në Kukës se po shkelte ligjin zgjedhor duke njoftuar hapjen e vendeve të punës në aeroport në kohë fushate edhe pse aeroporti nuk ishte gati. Rexhmati po ashtu tha se inaugurimi ishte në kundërshtim me ligjin dhe se ulja në aeroport e rrezikshme pasi ai ende nuk ishte testuar. “Në kundërshtim me të gjitha rregullat e shërbimit ajror po bëhet përurimi i sotëm duke rrezikuar jetën e njerëzve”, tha Rexhmati. Megjithatë ai tha se inaugurimi nuk do i sillte vota qeverisë në Kukës.  “Qytetarët po ikin nga ky vend pa shpresë dhe për mbijetesë”, tha Rexhmati.

Fjalimi i Ramës ishte përgatitur kundër kësaj retorike. Rama tha se vendi ishte i varfër, por pretendoi se aeroporti ishte një “fabrikë buke” dhe se do të krijonte vende të reja puna dhe mundësi biznesi e turizmi. 

Me këtë shpresë jetojnë prej muajsh edhe operatorët turistik në Kukës. “Do të ketë një ndikim mjaft pozitiv edhe në hoteleri e restorante. Me vënien në shfrytëzim të Aeroportit të Kukësit unë shpesoj që klientela në hotel të këtë një rritje me 50%”, tha Petrit Lleshi, pronar i hotelit “Oda Kukësiane”. Lleshi megjithatë tha se ishte skeptik deri sa të shihte që aeroporti do të funksiononte normalisht dhe se shpresonte që ai të kishte çmime konkuruese me aeroportet e rajonit.

Manushaqe Vata, drejtuese e një e agjencie udhetimesh në Kukës, tha se priste ndikim direkt të aeroportit në biznesin e saj, që siç tha ishte për momentin me humbje.  

“Me hapjen e aeroportit besoj se na është hapur një derë”, tha ajo, ndërsa shtoi se shpresonte që shumë prej emigrantëve të zonës të përdornin këtë aeroport në rrugëtimet e tyre.

Megjithatë suksesi i aeroportit mbetet i dyshimtë. Faruk Kaba, administrator i studios projektuese “INFRATRANSPROJECT”, projektues i Aeroportit të Kukësit, i tha BIRN se ai ishte ndërtuar pa një studim fizibiliteti. “Pra u bë pa studim fizibilteti. Ata sollën idenë e projektit pa fizibilitet”, tha ai duke iu referuar investitorëve. 

Sipas tij pista e aerodromit të Kukësit e cila ishte aty që në kohen e Mbretit Zog u gjet si zgjidhje provizore në vitin 1999, për aeroplanë që sillnin ndihma nga EBA për refugjatët.  Ai thotë se aeroporti ka qenë gati menjëherë pas përfundimit, por se nuk i dinte arsyet se pse nuk u shfrytëzua.

 Aeroporti i Kukësit u ndërtua në vitet 2000 me një financim 20 milion dollarë dhuratë nga princi i Emirateve të Bashkuara Arabe, emrin e të cilit mban. Qëllimi i tij i parë ishte të shërbente për të furnizuar me ndihmë refugjatët e dëbuar nga Kosova. Në vitin 2009 gjatë fushatës për zgjedhjet e qershorit të atij viti, në aeroport u bë një fluturim prove, por ai nuk mund të hapej për shkak se kontrata koncesionare për Rinasin nuk lejonte aeroporte të tjera në vend. 

Kontrata u rinegociua nga qeveria Rama dhe në vitin 2015 u njoftua zgjatja e saj në këmbim të heqjes dorë nga eskluziviteti dhe lejimin e fluturimeve në Kukës dhe në Vlorë. Por megjithëse u premtua se kishte kompani të gatshme të nisnin fluturimet, aeroporti nuk u arrit të vihej në punë përtej premtimeve në muajt e fushatës. 

Në vitin 2017 kryeministri riktheu në vëmendje fillimin e operimit të aeroportit, ndërsa premtoi aeroport të ri në Vlorë. Në janar 2019, pasi u gjet se aeroporti nuk ishte gati, ai iu dha me koncesion për 35 vjet, bashkimit të kompanive  “Global Technical Mechanichs” sh.p.k.,  e lidhur me grupin Kastrati, i cili ka ndërkohë koncesionin e aeroportit të Rinasit dhe “Bami” sh.p.k. që investuan 8 milion euro për vënien në punë të tij.