Lajm16 Mar 2017

Qeveria paguan faturën e dixhitalizimit: mbi 5 milionë euro për mediat private

Një projektligj i dorëzuar në Kuvend parashikon vënien e një fondi më të madh se 5 milionë euro në dispozicion të mediave audiovizive me qëllimin e kompensimit të kostove të tyre për kalimin në transmetimet numerike.

Autor: Aleksandra Bogdani BIRN Tiranë
Printo

Nga një mbledhje e Këshillit të Ministrave.

Nga një mbledhje e Këshillit të Ministrave.

Qeveria synon të paguajë faturën e dixhitalizimit të mediave në Shqipëri, duke vënë në dispozicion të operatorëve audiovizivë privatë një fond që i tejkalon 5 milionë euro.  Një projektligj i propozuar nga ministria e Financave dhe ministria e Shtetit për Inovacionin dhe Administratën Publike, i depozituar në Kuvend më 13 mars 2017 parashikon kompensimin e pjesshëm të kostove shtesë për investimet në teknologji që shoqëruan kalimin nga transmetimet analoge në ato numerike.

Sipas projektligjit, 1/5 e fondit do t’u vihet në dispozicion operatorëve ekzistues lokalë/rajonalë, të cilët duhet të paguajnë një tarifë për të transmetuar në rrjetin numerik të RTSH-së apo në rrjetet e tjera të licensuara numerike.

2/5 e fondit parashikohet të mbulojë investimet e shkuara dëm të operatorëve me eksperiencë në transmetimet numerike dhe po kaq pritet të përfitohet nga operatorët privatë historikë kombëtarë-Top Channel dhe TV Klan.

Sipas të dhënave të publikuara në faqen zyrtare të Autoritetit të Mediave Audiovizive, 70 operatorë lokalë dhe rajonalë pritet të përfitojnë nga fondi i vënë në dispozicion për të mbuluar një pjesë të kostove të tyre për transmetimin në rrjetet numerike.

Ndërkohë, operatorët me eksperiencë në platformat numerike, të cilat pritet të kenë akses në kompensim, sipas të dhënave të AMA janë Vizion +, Digitalb, Tring, Supersport dhe Alsat.

Në projektligjin e dorëzuar në Kuvend dhe relacionin shoqërues thuhet se ky vendim nuk do të shkaktojë kosto për buxhetin e vitit 2017, pasi do të mbulohet nga dhënia e të drejtave të përdorimit të frekuencave të Dividentit Numerik 1 për kompanitë celulare. Aktualisht, Dividenti Numerik 1 vazhdon të jetë i zaptuar nga operatorët që transmetojnë në analog.

Qeveria parashikon që AKEP të sigurojë rreth 80 milionë euro të ardhura nga dhënia e frekuencave të Dividentit Numerik 1 dhe 10 për qind e këtij fondi do t’u kthehet mbrapsht operatorëve televizivë.

“Ky ligj ka për qëllim të krijojë kushtet për lirimin e Dividentit Numerik 1, që përdoret aktualisht për transmetime audiovizive, dhe vënien e frekuencave të tij në përdorim të rrjeteve të komunikimeve të lëvizshme, sipas legjislacionit në fuqi për komunikimet elektronike dhe mediat audiovizive,” thuhet në projektligjin e dorëzuar në Kuvend.

Projektligji i jep të drejtën Autoritetit të Medias Audiovizive, AMA të administrojë fondet e kompensimit financiar për mediat audiovizive. Ai përcakton gjithashtu se subjektet që kanë ndërprerë aktivitetin, ato që nuk afektohen nga kalimi i transmetimeve nga analoge në numerike dhe subjektet që kanë detyrime ndaj AMA-s të përjashtohen nga e drejta e kompensimit financiar.

I nisur prej qershorit 2012 si një kusht i Bashkimit Europian, procesi i dixhitalizimit në Shqipëri është shoqëruar me zvarritje të shumta, akuza për favorizime dhe procese të vazhdueshme gjyqësore.Përgjatë kësaj kohe, AMA çeli dy herë procedurën për shpërndarjen e pesë licensave numerike kombëtare, por dështoi t’i përmbyllte ato.

Në mars 2016, Gjykata Administrative e Tiranës vendosi t’u japë tre prej licensave subjekteve “Top Channel”, “TV Klan” dhe “Digit-Alb”. Më pas, AMA i dha licensën e katërt operatorit Vizion Plus dhe më 27 janar 2017 shpërndau edhe licensën e fundit për kompaninë ADTN, e cila  zotërohet gjithashtu 100 % nga Digit-Alb.