Në përfundim të një dite të tensionuar, qeveria e kryeministrit Edi Rama shembi banesat dhe bizneset e 33 familjeve në zonën e Astirit në Unazën e Re të Tiranës ndërsa opozita hodhi akuza për korrupsion.
Qindra forca policore sulmuan një grusht banorësh rezistues në zonën e Astirit në Tiranë mëngjesin e së martës ende pa gdhirë për t’i hapur rrugën shembjes së banesave dhe bizneseve të tyre, shembje që janë kërkuar nga qeveria e kryeministrit Edi Rama për llogari të projektit kontrovers të zgjerimit të Unazës së Madhe të Tiranës.
Mësohet se brenda pak minutash policia i mposhti banorët e paktë, të cilët kanë protestuar që prej një viti për të kërkuar kompensim të drejtë për pronat e humbura.
Në fund të ditës, Inspektorati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit, IKMT, njoftoi se ka shembur 33 ndërtesa.
“…mjetet e IKMT kanë prishur edhe objektin e 33 në zonën e “Astirit”. Nga operacioni që filloi mëngjesin e sotëm, u prishen 15 objekte një katëshe, 11 objekte 2 katëshe, 6 objekte 3 katëshe dhe 1 objekt katër katësh,” njoftoi ajo.
Gjatë ditës, kreu i opozitës Lulzim Basha akuzoi qeverinë për korrupsion ndërsa vizitoi një prej banorëve të plagosur gjatë përplasjes me policinë në spital. Presidenti i Republikës Ilir Meta bëri thirrje për dialog ndërsa mbështetësit e qeverisë në median sociale u shprehën në përgjithësi të çliruar nga ajo që e quajtën “bllokim dyvjeçar” të projektit, i cili ka qenë i mbushur me akuza për korrupsion.
“Ky është një skenar i përgatitur me kujdes me qëllimin e vetëm që ti çonte ata drejt konfrontimit me forcat e rendit për të fshehur vjedhjen e madhe që Edi Rama, Erjon Veliaj dhe të tjerë, kanë planifikuar tek i ashtuquajturi “projekti i Unazës së Re,” deklaroi Lulzim Basha.
Aksioni policor duket se tërhoqi edhe vëmendjen e Lëvizjes Vetëvendosje në Prishtinë, e cila është aktualisht në proces për të marrë qeverisjen e Kosovës. Qendra e kësaj lëvizjeje në Shqipëri i rikujtoi shqiptarët për skandalin e njohur si DH Albania, kompania fantazmë që fitoi dy tenderë me vlerë të përgjithshme 30 milionë euro dhe që rezultoi se kishte dokumente të falsifikuara.
“Korrupsioni, skandalet, parregullsitë dhe standardet e dyfishta e kanë karakterizuar të gjithë procesin e projektit të “Unazës së Re”. Një shtet i së drejtës nuk ndërtohet përmes një pushteti arbitrar me dhunë strukturore e direkte ndaj qytetarëve. Çështja e pronave në zonën e “Astirit” duhet të zgjidhet duke përdorur një standard të drejtë e të barabartë për të gjithë qytetarët,” shkroi Vetëvendosje e Tiranës në Facebook.
Pavarësisht se procesi i fitimit të një tenderi për punë komplekse si ai i unazës përfshin dorëzimin e një game të gjerë dokumentesh në organin tenderues, përfshirë emra inxhinierësh e lista mjetesh pune, një vit pas zbulimit të skandalit DH Albania nuk ka asnjë të ndaluar dhe asnjë të dërguar për gjykim.
Qeveria shqiptare është kritikuar në mënyrë të vazhdueshme për shembjen pa dëmshpërblim apo për shembjen përkundrejt çmimeve shumë më të ulëta se sa tregu si dhe për mospagesë të dhjetëramiliona eurove detyrime shpronësimi, shkelje që kanë lënë pas një zinxhir vuajtjesh dhe varfërie për qytetarët e pafuqishëm.