Duke përdorur procedura emergjence, qeveria shkurtoi shpenzimet dhe të ardhurat me 4 për qind të planit të këtij viti për shkak se të ardhurat e gjysmës së parë qenë shumë më të ulëta se sa pritej.
Qeveria shqiptare vendosi të përdorë procedura emergjence për të ulur planin e të ardhurave dhe shpenzimeve për vitin 2015 duke miratuar një akt normativ më 29 korrik për shkak të performancës shumë të keqe të të ardhurave doganore dhe tatimore, të cilat kanë vënë në dyshim strategjinë aktuale që synon të rigjallërojë rritjen ekonomike të vendit duke ulur borxhin publik.
Akti normativ, i cili, sipas kushtetutës, mund të përdoret nga qeveria në rastet e emergjencës për të miratuar vendime me fuqinë e ligjit, të cilat hyjnë në fuqi para miratimit në kuvend dhe që për më tepër, duhet të shqyrtohen në kuvend me procedurë të përshpejtuar dhe pa ndjekur procedurat e zakonshme të miratimit të ligjeve, mban datën 29 korrik 2015. Qeveria i publikoi më datë 29 korrik të gjitha vendimet që u morën në mbledhjen e asaj dite në faqen e vet zyrtare kryeministria.al, por nuk e publikoi aktin normativ për buxhetin.
Përmes këtij akti normativ, shpenzimet dhe të ardhurat e buxhetit të shtetit shkurtohen me 16.2 miliardë lekë me synimin për të mbajtur deficitin të pandryshuar në 58.2 miliardë lekë për këtë vit. Shkurtimi është i barabartë me 3.9 për qind të të ardhurave dhe 3.4 për qind të shpenzimeve. Ai u publikua në Fletoren Zyrtare më 4 gusht 2015.
Qeveria e kryeministrit Edi Rama është kritikuar më herët për hapa prapa në drejtim të standardeve të transparencës, përmes mospublikimit të vendimeve të debatueshme, veçanërisht kur bëhet fjalë për buxhetin e shtetit apo për politikat fiskale.
Statistikat e Ministrisë së Financave të publikuara më herët këtë javë, treguan se të ardhurat nga taksat janë 96 milionë euro më të ulëta se sa plani për pjesën e parë të këitj viti. Kryeministri Edi Rama tha javën e kaluar se ai qe duke i studiuar arsyet e performancës së ulët. “Jemi në proces dhe drejt përfundimit të një analize shumë të thelluar të të gjitha arsyeve të rënies së të ardhurave, në raport me parashikimin”, tha ai.
Por ndërsa qeveria është ende duke analizuar shkaqet, Fondi Monetar Ndërkombëtar ka një ide paraprake. “Disa nga arsyet reflektojnë faktorë të jashtëm, si rënia e çmimit të naftës, interesat apo dhe inflacioni i ulët. Por disa të tjera lidhen me zbatimin e ligjit dhe rregullave tatimore. Pra, ka një problem administrimi. Taksat nuk janë aq të ulëta në Shqipëri, por performanca e të ardhurave nuk është e fortë”, deklaroi përfaqësuesi i FMN-së në Shqipëri Jens Reinke në një intervistë për Top Channel.
Qeveria ka premtuar të reagojë ndaj ecurisë së ulët të të ardhurave duke ashpërsuar masat ligjore dhe dënimet penale kundër evazorëve fiskalë si dhe duke kryer kontrolle masive shtatorin e ardhshëm. Megjithatë, shumë ekspertë vërejnë se një pjesë shumë e madhe e problemit të të ardhurave të buxhetit të shtetit gjendet në administratën e Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave, e cila është agjencia përgjegjëse për mbledhjen e shumicës së taksave në Shqipëri dhe që ka qenë edhe përgjegjësja kryesore për ecurinë e keqe të të ardhurave këtë vit.