Lajm11 Nov 2015

Qeveria synon të kriminalizojë shpifjen ndaj zyrtarëve të shtetit

Një shtesë në kodin penal, miratuar fshehtazi në qeveri dhe që po diskutohet në kuvend, synon të klasifikojë si “krim kundër shtetit” shpifjen ndaj një zyrtari publik dhe ta dënojë këtë veprim me deri tre vjet burg.

Autor: Gjergj Erebara BIRN Tiranë
Printo

Kjo është hera e tretë këtë vit që Rama, një piktor me profesion, ka hapur një ekspozitë personale jashtë shtetit pasi ka përfunduar axhendën e tij zyrtare. Foto: Facebook

Edi Rama. Foto: Facebook

Qeveria shqiptare synon të kriminalizojë shpifjen ndaj zyrtarëve të lartë duke e dënuar atë me deri tri vjet burg.

Projektligji i qeverisë i firmosur nga ministrja për marrëdhënien e parlamentit Ermonela Felaj, me nismë të kryeministrit Edi Rama.

Ndërhyrja synon të kryhet në seksionin e kodit penal që flet për “Vepra penale kundër veprimtarisë shtetërore të kryera nga shtetasit” në kreun “krime kundër autoritetit të shtetit”.

Sipas propozimit: “Shpifja e kryer botërisht ndaj një funksionari të lartë shtetëror apo të zgjedhur, me qëllim atribuimin atij të një fakti që parashikohet nga ligji si vepër penale, dënohet me gjobë ose me burgim deri në tre vjet.”

Sipas relacionit “Ky projektligj vjen si propozim i Kryeministrit. Arsyeja e propozimit të kësaj dispozite është ajo e penalizimit të cilitdo që, duke abuzuar me lirinë e shprehjes, përhap qëllimisht, me çfarëdolloj mjeti dhe mënyre, shpifje ndaj një zyrtari të lartë shtetëror apo të zgjedhur, të natyrës të tillë që i ngarkon këta të fundit me fakte që ligji penal i parashikon si vepra penale”.

Propozimi i qeverisë bie ndesh me rezolutën 1577 të vitit 2007 të miratuar nga Asambleja Parlamentare e Këshillit të Europës (PACE), me titull: “Drejt Dekriminalizimit të Shpifjes”. Në rezolutën e saj, PACE i bëri thirrje Vendeve Anëtare të garantojnë se nuk duhet të ketë abuzim me përndjekjen penale të shpifjes.

Qeveria në relacionin shoqërues të projektligjit argumenton se e ka ndërmarrë këtë nismë për shkak të “nevojës për të penalizuar sjellje që manifestohen përkundrejt funksionarëve të lartë shtetërorë ose të zgjedhur, në rastin kur ndaj këtyre të fundit shpifet me qëllim dhe publikisht lidhur me fakte të cilat ligji i parashikon si vepra penale”.

Relacioni vijon më tej se “pështjellimi, që “denoncime” të tilla shpifëse shkaktojnë në opinionin shoqëror, është i tillë që cenon maksimalisht dhe mbi të gjitha ndjenjën e sigurisë dhe të besimit që shteti nëpërmjet përfaqësueve të tij më të lartë shtetërorë përçon dhe ka për detyrë të përçojë te qytetarët”.

“Nisma në fjalë, që rikthen mbrojtjen e posaçme penale kundër shpifjes për zyrtarët e lartë, është tejet problematike. Sidomos po të kujtojmë se një figurë penale e ngjashme u shfuqizua me konsensus jo më larg se 2012, pas shume vitesh diskutimesh të zgjeruara me mediat dhe shoqërinë civile. Është një model, të cilit qartazi i ka kaluar koha dhe përbën një hap mbrapa,” tha Darian Pavli, ekspert ligjor dhe i të drejtës publike në Tiranë.

Shqipëria e dekriminalizoi pjesërisht shpifjen në vitin 2012 pas një lobimi të gjatë të shoqërisë civile. Por ndryshe nga klauzolat e mëparshme që dënonin shpifjen me burg, propozimi i ri i qeverisë është i i kufizuar vetëm te shpifja që bëhet ndaj “zyrtarëve të lartë publikë” dhe ndërhyrja bëhet në atë pjesë të kodit penal që flet gjithashtu për krime të tjera të rënda si kryengritja e armatosur kundër shtetit apo tradhëtia.