Lajm5 Nov 2019

Qeveria tenton të planifikojë buxhet krize ndërsa borxhi refuzon të ulet

Plani i qeverisë për buxhetin e vitit 2020 parashikon ulje të investimeve publike me synimin për të reduktuar deficitin buxhetor ndërsa të ardhurat planifikohen me rënie në raport me PBB-në në krahasim me vitin aktual.

Autor: Gjergj Erebara BIRN Tiranë
Printo

Ministrja e Financave Anila Denaj duke folur në Kuvendin e Shqipërisë më 4 nëntor 2019. Foto: LSA

Qeveria shqiptare ka hartuar një plan buxhetor për vitin 2020 në të cilin të ardhurat dhe shpenzimet publike parashikohen në rënie reale në krahasim me vitin aktual, si dhe me një rritje minimale në terma nominalë në krahasim me nivelin e pritshëm të vitit aktual. Projektbuxheti, i cili gjendet në fazë shqyrtimi në Këshillin e Ministrave para se të dërgohet për miratim në parlament, mbështetet edhe në një parashikim të rritjes ekonomike që nuk reflektohet në parashikimin e të ardhurave në para, një fenomen i ri në historinë e parashikimeve buxhetore të vendit.

Të ardhurat e qeverisë parashikohet të rriten me 3.3% në krahasim me vitin 2019 duke arritur në 502.7 miliardë lekë ndërsa shpenzimet pritet të rriten me 2.4% duke arritur në 532 miliardë lekë. Decifiti buxhetor shpresohet të jetë 29 miliardë lekë, ose 11% më i ulët se sa i pritshmi i këtij viti, gjë që besohet se do të sjellë ulje të borxhit publik, por kjo ulje e borxhit do të jetë në përputhje me atë që qeveria konsideron borxh dhe jo në përputhje me këshillat e Fondit Monetar Ndërkombëtar.

Ndërsa të ardhurat e qeverisë parashikohen të rriten në masën 3.3%, relacioni shoqërues i projektbuxhetit 2020 këmbëngul se rritja ekonomike parashikohet të jetë në terma realë në masën 4.1% ndërsa në terma nominalë, parashikohet rritje në masën 5.2%. Në këto kushte, rritja e të ardhurave buxhetore supozohet se duhet të jetë afërsisht e barabartë me rritjen ekonomike nominale, pra 5.2 dhe jo 3.3%. Qeveria nuk jep shpjegime në relacionin e projektbuxhetit për këtë diskordancë, e cila nënkupton që qeveria do të marrë vitin e ardhshëm 28% të PBB-së nga 28.5% që pritet të marrë këtë vit.

Qeveria planifikon të reduktojë investimet publike me rreth 5 miliardë lekë (40 milionë euro) nga plani i këtij viti si pjesë e përpjekjeve për të mbajtur shpenzimet e përgjithshme dhe deficitin buxhetor nën kontroll. Kjo do të thotë gjithashtu që qeveria nuk ka në plan të rrisë pagat dhe pensionet gjatë vitit 2020 por do të kufizohet vetëm te indeksimi i pensioneve për të mbajtur fuqinë blerëse të pensionistëve të njëjtë me vitin aktual.

Fondi i investimeve kapitale pritet të jetë 83 miliardë lekë. Në këtë shumë përfshihen edhe një pjesë e kontratave koncesionare të qeverisë “Rama”. Rreth 4 miliardë parashikohet t’i jepen kompanisë Gjoka Konstruksion për rrugën e Arbrit, 720 milionë konsorciumit Kastrati-Salillari për rrugën e Kombit, 661 milionë për kompaninë ALBTEK ENERGY, etj. Në total koncesionet pritet të marrin 14.6 miliardë lekë.

 

Buxheti 2020, të dhënat kryesore

Të ardhurat: 502.7 miliardë lekë ose afërsisht 4.2 miliardë euro

Shpenzimet: 532 miliardë lekë ose afërsisht 4.43 miliardë euro

Deficiti: 29 miliardë lekë ose afërsisht 244 milionë euro