Për të fituar arbitrazhin kundër Rapiscan, qeveria “Rama” pagoi 495 mijë euro firmën ligjore të bashkëshortes së Tony Blair, por e zgjidhi konfliktin me marrëveshje sipas sugjerimeve të “Omnia Strategy”.
Qeveria e majtë e Edi Ramës tërhiqet nga arbitrazhi ndërkombëtar me kompaninë Rapiscan Systems, duke rikthyer koncesionin e skanimit të kontenierëve në dogana. Më 5 qershor, Këshilli i Ministrave ka dorëzuar në Kuvend marrëveshjen e rinegociuar të koncesionit, në relacionin e së cilës thuhet se ” vlera e kontratës është ulur nga 316 milionë në 210 milionë euro”.
Rapiscan Systems fitoi një kontratë 15 vjeçare në prill 2013, teksa Shqipëria përpiqej të forconte kufijtë e saj dhe të ndalonte trafikun e drogës, duhanit, armëve si dhe atë të qenieve njerëzore. Por ky koncesion u kundërshtua nga kompanitë e biznesit për shkak të tarifave të larta dhe u anulua nga Shqipëria, pas zgjedhjes së Edi Ramës si kryeministër në shtator 2013.
Pas anulimit të koncesionit, Rapiscan Systems iu drejtua arbitrazhit ndërkombëtar në gusht 2014, duke kërkuar 350 milionë dollarë dëmshpërblim nga Shqipëria. Çështja i kaloi Avokaturës së Shtetit, ndërsa qeveria shqiptare kontraktoi firmën ligjore të bashkëshortes së Tony Blair, Omnia Strategy për të fituar çështjen në arbitrazh.
Me një vendim të datës 11 mars 2015, qeveria i pagoi 495 mijë euro zyrës së Cherie Blair për këtë shërbim. Por tre muaj më vonë dhe nën këshillimin ligjor të zonjës Blair, qeveria shqiptare vendosi të heqë dorë nga arbitrazhi dhe të zgjidhë me marrëveshje konfliktin me kompaninë Rapiscan.
Në relacionin që shoqëron marrëveshjen e re mes qeverisë shqiptare dhe kompanisë koncesionare Rapiscan thuhet se: “ zgjidhja me mirëkuptim jashtë arbitrazhit mbështetej fort edhe nga Omnia Strategy”.
Gjatë bisedimeve, përfaqësuesit e qeverisë shqiptare kërkuan rishikimin tërësor të marrëveshjes, por kompania Rapiscan pranoi ndërhyrje vetëm në vlerën e koncesionit dhe në saktësimin e kohëzgjatjes së tij.
Relacioni që shoqëron projektligjin shpjegon se kompania Rapiscan fitonte përmes kontratës së mëparshme 39 euro për çdo deklaratë doganore. Marrëveshja e rinegociuar përcakton se çdo biznes do të paguajë 5 euro për deklaratën doganore deri në 1 mijë euro dhe përtej kësaj vlere, taksa shkon 22 euro për deklaratë doganore.
“Nga ndryshimi i mënyrës së llogaritjes së çmimit të kontratës u arrit të kursehen minimalisht 106 milionë euro,” thuhet në relacionin që shoqëron projektligjin.
Dorëzimi përballë gjyqit në arbitrazh e shpëton qeverinë shqiptarë nga një gjobë 350 milionë dollarëshe në rast humbjeje, megjithëse një barrë financiare e përafërt do t’i transferohet bizneseve shqiptare në 15 vitet e ardhshme.
Paralelisht me koncesionin e Rapiscan, qeveria shqiptare ka një kontratë të hapur me Croën Agents, të cilën e paguan 8.5 milionë euro për dy vjet për rritjen e të ardhurave doganore dhe luftën kundër kontrabandës.