Një vendim i Qeverisë “Rama” transferon 41 parcela toke nga Vlora deri në Ksamil në pronësi të Ministrisë së Turizmit “për projekte të investimit në zonat që kanë përparësi zhvillimin e Turizmit”. Organizata Omonia dhe Ministria e Jashtme Greke e dënuan vendimin si shpronësim të banorëve të fshatrave të jugut.
Një vendim qeverie i 21 nëntorit, i publikuar vetëm pak ditë më parë në Fletoren Zyrtare [Link], i transferon Ministrisë së Turizmit në Tiranë 41 parcela toke në zonën bregdetare nga bregdeti në veri të Vlorës deri në Ksamil me sipërfaqe të përgjithshme prej mbi 1 mijë hektarësh me synimin e “projekteve të investimit në zonat që kanë përparësi zhvillimin e turizmit”.
Vendimi përmban një listë me pronat që zyrtarisht sot janë ara ose kullota dhe të cilat qeveria thotë se janë pronë publike në zonat më tërheqëse turistike të vendit, përfshirë zonën pranë fshatit Akërni në Vlorë, Gjilekë, Dhërmi, Porto Palermo, Lukovë, Vuno, Jalë, Livadh dhe Potam të Himarës, Piqeras, Nivicë dhe Ksamil. Sipas vendimit, Ministrisë së Turizmit i lejohet vetëm që t’i japë këto toka ” me qëllim përdorimin e tyre për zhvillimin e qëndrueshëm në turizëm”.
“Ministrisë përgjegjëse për turizmin i ndalohet të ndryshojë destinacionin e përdorimit të pronave të paluajtshme, sipas pikës 1 të këtij vendimi, t’i tjetërsojë ose t’ua japë ato në përdorim të tretëve, përveç projekteve të investimit në zonat me përparësi zhvillimin e turizmit,” thuhet në vendim.
Omonia, një organizatë që përfaqëson minoritetin grek të Shqipëri, e kritikoi vendimin si “shkelje të të drejtave të pronësisë së banorëve”.
“Këto sipërfaqe qe po nëpërkëmbën nga Ministria e Turizmit me qellim dhënien me konçension të tyre kundrejt çmimit 1 euro, janë prona private të banorëve të Krishterë Orthodhoksë Grekë të Bashkisë së Himarës,” thuhet në një njoftim për shtyp të Omonias të publikuar të martën.
Pak pas publikimit të njoftimit të Omonias, edhe Ministria e Jashtme e Greqisë e kritikoi vendimin, të cilin e konsideroi “Arbitrar”.
“Ne shprehim shqetësim të thellë mbi vendimin e fundit të Këshillit të Ministrave të Shqipërisë që jep në mënyrë arbitrare Ministrisë së Turizmit parcela toke që përfshijnë prona private të shtetasve grekë,” thuhet në njoftim.
“Ky vendim si dhe një projektligj i lidhur me të sjellin një dhunim flagrant të të drejtave të njeriut, përfshirë të drejtat e pronësisë së minoritetit grek në Shqipëri,” vijon deklarata.
“Ne i bëjmë thirrje qeverisë shqiptare të revokojë këtë vendim dhe të rishikojë projektligjin për të siguruar që të gjithë titujt e pronësisë të jepen drejtpërsëdrejti për të gjithë pronarët legjitimë pa përjashtim.”
Qeveria shqiptare ka propozuar paralelisht me vendimin, një projektligj në kuvendin e Shqipërisë që synon të anulojë vendimet e shpërndarjes së tokave në zonat bregdetare duke sjellë shpronësim faktik pa dëmshpërblim të banorëve të këtyre zonave. Edhe në projektligjin në fjalë, synimi i deklaruar është përdorimi i këtyre tokave “për investime strategjike”.
Një projektligj i propozuar nga qeveria e kryeministrit Edi Rama synon të anulojë Aktet e Marrjes në Përdorim të Tokës Bujqësore në zonat bregdetare duke refuzuar regjistrimin e pronësisë së tyre në të gjitha rastet kur parcelat e tokave “janë zënë nga ndërtimet pa leje” ose janë zënë nga të ashtuquajturit “investitorë strategjikë”.
Projektligji “Për Përfundimin e Proceseve Kalimtare të Pronësisë në Republikën e Shqipërisë”, në nenin 10, pika 2 [link], parashikon që toka bujqësore e shpërndarë më parë dhe për të cilën, fshatarët kanë aplikuar për ta regjistruar nën pronësi, duhet të plotësojë disa kushte, mes të cilave, kjo tokë “nuk duhet të jetë e zënë nga ndërtimet pa leje” si dhe “nuk duhet të jetë objekt i investimeve strategjike”.
Projektligji në fjalë parashikon gjithashtu që ndërtimet pa leje, pavarësisht se ku gjenden, të mund të blejnë tokën kur atë ia kanë grabitur të tjerëve (situatë e rëndomtë kjo në bregdetin shqiptar) si dhe të paguajnë çmimet e hartës së qeverisë “Rama”, çmime shumë të debatuara që janë disa dhjetëra herë më të ulëta se sa çmimet e tregut.