Analize14 Jan 2019

Qeveria vendos të “ndihmojë” librin duke rritur taksat

Një kërkesë e Shoqatës së Botuesve për të ulur barrën fiskale për librin u mbështet me dashamirësi nga zëvendëskryeministri Erjon Braçe dhe deputetja Milva Ekonomi, por rezultati final duket se është një barrë shtesë fiskale e lehtë dhe një barrë shtesëadministrative e rëndë për shtëpitë botuese dhe librarët.

Autor: Gjergj Erebara BIRN Tiranë
Printo

Pamje nga Panairi i Librit 2016. Në panairin e ardhshëm të librit lexuesit do të duhet të paguajnë TVSH në masë 6%. Foto Ivana Dervishi/BIRN

Kuvendi i Shqipërisë vendosi TVSH në masën 6% për shitjen e librave në nëntor 2018, pas një propozimi të deputetit Erjon Braçe, i cili thotë se synimi i tij ishte në fakt ulja e taksave për librin dhe jo shtimi i tyre. Por në mënyrë surprizë, propozimi i Braçes është përkthyer në ligjin final të miratuar në seancë plenare si vendosje e TVSH mbi librin, gjë që në fakt nuk ishte kërkuar as nga Ministria e Financave në propozimet fillestare.

Që nga koha kur Shqipëria vendosi për herë të parënjë ligj për Tatimin mbi Vlerën e Shtuar në vitin 1995, maxhorancat e ndryshme parlamentare kanë qenë gjithmonë mbështetëse të lehtësimit sa më të madh të mundshëm të botuesve dhe librarëve nga taksat.

Ligji i TVSH-së është ndryshuar shumë herë që nga ajo kohë, por libri ka vijuar të mbetet pjesë e nenit 53 të ligjit, që mbart mallrat dhe shërbimet e përjashtuara nga TVSH. Kjo duket se ka ndryshuar nga 1 janari 2019 kur një dashamirësi tjetër për librin nga ana e ligjvënësve, pavarësisht se synonte reduktimin e barrës fiskale për librin, solli në praktikë vendosjen e TVSH-së, duke krijuar pasiguri fiskale për botuesit dhe librarët.

Ligji i ri, i cili ka hyrë në fuqi zyrtarisht nga 1 janari 2019, sanksionon që libri hiqet nga lista e mallrave të përjashtuar të renditura në nenin 53 dhe të vendoset në nenin 49, ku renditet lista e mallrave me TVSH të reduktuar në masën 6%.

Shoqata e Botuesve të Shqipërisë, një organizatëqë përfaqëson disa nga shtëpitë botuese kryesore në Tiranë, ka kërkuar që nga viti 2006 që përveç shitjes së librit, TVSH zero të zbatohet edhe për furnizimet e kryera në funksion të prodhimit të librit, të tilla si shtypshkrimi, energjia elektrike, etj. Shqetësimi kryesor i botuesve deri më sot ishte detyrimi për të paguar 20% TVSH në shtypshkronjë sa herë që botohet një libër. Në kushtet e tirazheve të ulëta, shtypshkronja është një kosto relativisht e lartë për botuesit, e cila varion në 20 deri në 30% të çmimit të shitjes së librit.

Afro dy javë pasi ligji i ri ka hyrë në fuqi, Petrit Ymeri, kryetar i Shoqatës së Botuesve, i tha BIRN se për të mbetej e paqartë se si do të zbatohet ndryshimi në praktikë.

“Ne morëm pjesë në mbledhjen e Komisionit Parlamentar për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik,të ftuar pas letrës sonë drejtuar Komisionit të Ekonomisë dhe komisionit të Kulturës dhe Ministrave përkatës  të Kulturës dhe të Ekonomisë,” tha Ymeri për BIRN.

“Në letrën tonë ne kërkonim përmirësimin e sistemit fiskal. Specifikisht uljen dhe barazinë e TVSH në blerje dhe në shitje dhe uljen e tatimit mbi honoraret”, shtoi ai.

“Për situatën aktuale, jemi interesuar zyrtarisht në DPT dhe me sa kuptojmë ne, tatimet janë në pritje të udhëzimit të Ministrisë së Financave. Mendimi i ekspertëve është që ky duhet të jetë 6 % në të dy krahët,” shtoi ai.

Por në një përgjigje për BIRN, tatimet e lexojnë situatën ndryshe. Ata thonë se TVSH për furnizimet e librit do të vijojë të jetë 20% dhe TVSH në shitje të librit do të jetë 6%.

Ngatërresa duket se filloi me kërkesën e botuesve në komisionin parlamentar të Edukimit. Në relacionin e këtij komisioni, relatorja Milva Ekonomi i rekomandohet seancës plenare “të shohë mundësinë” për të plotësuar këtë kërkesë të botuesve. [Link relacioni]

Deputeti ErjonBraçe shkoi më tutje duke bërë një propozim 24 orë para seancës plenare më 30 nëntor 2018.

“Shkalla e reduktuar e tatimit mbi vlerën e shtuar, e cila aplikohet për furnizimin e librit dhe furnizimin e mallrave të destinuara për t’u përdorur vetëm për realizimin e veprimtarisë së prodhimit të librit është 6 për qind,” shkruhet në propozim. [Link propozimi]

Ndonëse nga propozimi duket se botuesit morën atë që kërkuan, përkthimi i propozimit në ligj nuk ishte një reduktim në masën 6% të TVSH-së së furnizimeve për librin, por një vendosje e TVSH-së 6% mbi shitjen e librit ndërkohë që TVSH-ja për furnizimet mbeti 20%. Sipas variantit final të ndryshimit ligjor të botuar nga Kuvendi, TVSH për “furnizimin e librave” është 6% ndërsa në listën e mallrave dhe shërbimeve të përjashtuara nga neni 53 i ligjit fjalët “dhe i librave”, hiqen.

Por për Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve, situata duket më e qartë.

“Subjekti, llogarit 6% TVSH-në në shitjen e librave, ndërkohë që zbret 20 % TVSH-në e paguar në blerjen e mallrave dhe shërbimeve në funksion të shitjes së librave,” thanë tatimet në një përgjigje me email për BIRN. [Link përgjigjja e tatimeve]

“Tatimi mbi Vlerën e Shtuar nuk është kosto për subjektin tregtar, pasi ai e zbret TVSH-në e paguar në blerje, madje zbritja e TVSH-së është e plotë (20%), pavarësisht se TVSH-ja në shitje është me shkallë të reduktuar (në rastin e librave, 6%)”, shkruajnë tatimet.

Kjo do të thotë se shtypshkronjat do të vijojnë të mbajnë TVSH 20% për botuesit, të cilët nga ana e tyre, do t’i faturojnë 6% TVSH librarëve dhe këto të fundit, blerësve. Ndonëse 20% duket më i lartë se 6%, në tregun e librit kjo përkthehet në një situatë ku kostoja totale e taksave rritet pak, ulet pak ose qëndron njësoj, ndërkohë që barra administrative e shtëpive botuese dhe librarive shtohet shumëfish.

Shumica dërrmuese e kostos së një libri përbëhet nga shërbime që nuk i nënshtrohen tatimit mbi vlerën e shtuar, të tilla si komisioni i librarit, zakonisht 25-30% e çmimit të shitjes, kostoja e përkthimit apo e të drejtës së autorit, e redaktimit apo korrektimit, 30-40% të tjera dhe në fund, kostoja e shtypshkrimit, e cila varion në 20-30% të çmimit të shitjes. Për rrjedhojë, ndërsa botuesve me të vërtetë do t’u njihet TVSH e zbritshme mbi koston e botimit, atyre do t’u duhet gjithsesi të paguajnë TVSH në shitje. Në totalin e kostos së një libri, nëse shtypshkrimi me TVSH është sa 20% çmimit të shitjes, TVSH e zbritshme është e barabartë me 4% të çmimit final të shitjes së librit dhe vendosja e TVSH-së në shitje në masën 6% nënkupton një rritje neto të barrës fiskale mbi librin në masën 2%. Në rast se kostot e furnizimeve me TVSH për librin janë sa 30% të çmimit të shitjes, atëherë TVSH e vendosur mbi librin është e barabartë me TVSH-në e zbritshme. Vetëm në raste të rralla, kur kostoja e shtypshkrimit dhe furnizimeve të tjera me TVSH është më e lartë se 30%, për botuesit regjimi i ri fiskal sjell një ulje të vockël të barrës fiskale.

Rritja apo ulja e barrës fiskale në varësi të librit është vetëm një nga shumë problemet që pritet të krijojë sistemi i ri. Barra administrative për mbajtjen e saktë të librave të shitjeve e të blerjeve dhe llogaritjes së detyrimeve të TVSH-së në shitje e TVSH-së në zbritje në blerje janë një telash i ri për librarët dhe botuesit, të cilët jetojnë në një treg në përgjithësi të varfër.

Botimi dhe shpërndarja e shitja e librit është sakaq një biznes i vështirë në Shqipëri, ku kostoja e librit është e lartë në krahasim me të ardhurat e pakta të popullsisë.

Shqetësimi tjetër i botuesve është edhe shpejtësia me të cilën ndryshimet ligjore hynë në fuqi. Ndonëse ligji ka hyrë në fuqi më 1 janar, Ministria e Financave nuk e ka publikuar ende udhëzimin për zbatimin e këtij ligji dhe librarët e botuesit nuk janë në gjendje të dinë se si duhet të veprojnë.

Libri është një produkt që shitet rrallë dhe aktualisht në qarkullim gjenden libra që janë botuar mbi një dekadë më parë. Për botuesit është e paqartë se si duhet të veprojnë me librat për të cilat kanë paguar në të shkuarën TVSH në shtypshkronjë por që shiten pas hyrjes në fuqi të TVSH-së në shitje.

Telashe pritet të shkaktohen nga ligji i ri edhe për shqiptarët që blejnë libra në internet. Ndërsa deri tani blerësit nga Shqipëria nuk kanë paguar TVSH për librat e importuar, tani e tutje do të duhet të paguajnë 6% për çdo pako libra me vlerë më të lartë se 22 euro. Edhe në këtë rast, përveç rritjes së barrës fiskale, problemi tjetër është rritja e “barrës administrative”. Aktualisht librat e blerë jashtë Shqipërisë shpërndahen pa taksa në zyrat e postave në të gjithë vendin. Por mallrat e taksueshëm duhet të tërhiqen vetëm në një zyrë të Posta Shqiptare në Kinostudio, gjë që do të thotë kokëçarje shtesë për lexuesit, përveç taksave.