Analize24 Nov 2015

Qeveria vendos të regjistrojë IMEI-n, numrin që mundëson përgjimin e celularëve

Plani i shumëkritikuar i vitit të kaluar për të regjistruar numrat personalë të çdo celulari në përdorim në Shqipëri, u rikthye këtë vit me të njëjtat argumente, të cilat rrezikojnë privatësinë e të gjithë qytetarët.

Autor: Gjergj Erebara BIRN Tiranë
Printo

IMEI. Foto kortezi: Flickr

IMEI. Foto kortezi: Flickr

Plani i qeverisë për krijimin e një databaze me të gjithë numrat e identifikimit unik të telefonave celularë, IMEI, me qëllim, luftën kundër evazionit fiskal në këtë segment tregu, u kthye sërish një vit pasi vetë qeveria u tërhoq, ndërkohë që përfitimet e pritshme duket se janë bazuar në llogari të dyshimta.

Qeveria e pati tërhequr vendimin e saj pak muaj pasi e mori, pasi u bë e qartë se Gjykata Kushtetuese mund ta shpallte atë antikushtetues. Por regjistrimi i IMEI-t u rikthye këtë vit me të njëjtat argumente të një viti më parë.

Duke filluar nga viti i ardhshëm, çdo qytetar shqiptar që ka një telefon celular, do të duhet të dorëzojë numrin e aparatit të tij celular në një regjistër që do të mbahet nga Ministria e Financave.

Më 4 qershor 2014, qeveria shqiptare miratoi në heshtje një vendim që urdhëronte tregtarët e celularëve dhe qytetarët që të regjistronin pranë Ministrisë së Financave IMEI-n e çdo aparati celular që sillej në Shqipëri, përkundrejt një pagese 500 lekëshe.

Aktivistë të ndryshëm kundërshtuan me forcë vendimin duke argumentuar se regjistrimi paraprak i IMEI-t në një zyrë të qeverisë, do të ekspozonte çdo qytetar para mundësisë së përgjimit nga autoritetet, të cilët, duke poseduar IMEI-n, do të mund të përgjonin jo vetëm bisedat telefonike të kryera në rrjetin e zakonshëm, por edhe të gjitha komunikimet e tjera elektronike të kryera përmes internetit.

Partia Demokratike në opozitë e ankimoi vendimin në Gjykatën Kushtetuese, me argumentin se ky vendim qe i kundërligjshëm dhe se cënonte rëndë kriteret kushtetuese për mbrojtjen e privatësisë.

Gjykata kushtetuese vendosi në shtator 2014 të pezullojë zbatimin e vendimit deri sa ajo të shtyrtonte çështjen në tërësi.

Por ndërsa Gjykata Kushtetuese pritej të shqyrtonte çështjen në themel, Këshilli i Ministrave në tetor 2014 vendosi të shfuqizojë vendimin.

Në dhjetor, Gjykata Kushtetuese vendosi pezullimin e diskutimit me argumentin se vendimi i qeverisë i ankimuar nga deputetët e opozitës, qe tërhequr dhe rrjedhimisht, çështja nuk qe më interes i kësaj gjykate. Gjithsesi, dy nga anëtarët e Gjykatës, dhanë një opinion pakice, ku argumentuan se çështjet e privatësisë dhe hierarkisë ligjore, të cilat qeveria akuzohej se kishte shkelur, qenë të rëndësishme në parim dhe se kjo gjykatë do të duhej ta gjykonte çështjen në themel, pavarësisht se qeveria e kishte tërhequr vendimin.

Gjithsesi, për shkak se formalisht Gjykata Kushtetuese nuk është shprehur për kushtetutshmërinë apo jo të krijimit të një regjistri të tillë me të dhëna personale, të cilat lidhen me komunikimin dhe rrjedhimisht, me të drejtën kushtetuese të privatësisë së komunikimit, qeveria u rikthye në planin e saj fillestar.

Në shtator të këtij viti, bashkë me masat e rrepta ndëshkuese në kuadër të luftës kundër evazionit fiskal, qeveria propozoi ndryshime në ligjin për procedurat tatimore, ku sanksionoi sërish regjistrimin e IMEI-t, kësaj here pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve, pa marrë mundimin të japë shpjegime në lidhje me rreziqet për shkeljet e privatësisë që mbart krijimi i një regjistri të tillë.

Regjistrimi me ligj i IMEI-t zgjidh problemin e parë të diskutuar në Gjykatën Kushtetuese, atë të hierarkisë juridike, ku argumenti qe që qeveria nuk mund të ndërmarrë një vendim, i cili nuk është autorizuar në mënyrë specifike nga një ligj. Por ai nuk e zgjidh problemin privatësisë dhe Shqipëria është një nga vendet e pakta në botë që ndërmerr një hap të tillë.

Vitin e kaluar, kur qeveria e ndërmorri këtë vendim, një grup ekspertësh të teknologjisë së informacionit, njëri prej të cilëve punonte në qeveri në atë kohë, krijuan një peticion në internet dhe u përpoqën të ngrenë shqetësimin për shkeljen e privatësisë.

“Vendimi për të detyruar të gjithë përdoruesit e rrjeteve të telefonisë së lëvizshme për të regjistruar numrat e tyre IMEI, mundëson monitorim të plotë të të gjitha komunikimeve përmes celularëve si dhe aksesin e vendndodhjes fizike dhe të dhënat personale të përdoruesve pa një vendim gjykate apo prokurorie,” tha grupi i eksportëve i identifikuar vetëm si Zero1.

“Në historinë tonë, institucionet që marrin akses në të dhëna të tilla… përmes këtij vendimi të Këshillit të Ministrave, kanë treguar papërgjegjshmëri në administrimin e të dhënave personale,” shtoi grupi.

Shqipëria ka një histori aspak të mirë në këtë drejtim. Regjistri i parë i gjendjes civile i hartuar në format elektronik në vitin 2008, me kërkesë të palëve dhe me synimin primar të luftës kundër vjedhjes së votave, përfundoi në duart e një numri të stërmadh njerëzish, përfshirë partitë politike dhe gazetarë.

Në vitin 2011, disa qytetarë shqiptarë u zgjuan të alarmuar pasi morën mesazhe urimi për ditëlindje nga kandidati për kryetar bashkie i Tiranës Lulzim Basha. Basha deklaroi se i kishte mbledhur të dhënat nga rrjetet e medias sociale si Facebook, por nuk pati kurrë një hetim nëse sistemi aktual i regjistrimit të numrave të telefonisë celulare pranë kompanive celulare dhe kompanisë së lëshimit të pasaportave dhe kartave të identitetit qe i sigurtë dhe i paaksesueshëm nga një parti politike.

Përfitime të dyshimta për buxhetin

Qeveria argumenton se e ka ndërmarrë këtë hap për regjistrimin e IMEI-t me synimin për të luftuar evazionin fiskal në tregtinë e celularëve. Sipas qeverisë, të ardhurat shtesë nga kjo masë pritet të jenë rreth 7.5 milionë euro në vit. Por relacioni i projektbuxhetit 2016, i përgatitur nga Ministria e Financave sugjeron se përfitimet e mundshme janë llogaritur mbi aludime të dyshimta.

Relacioni thotë se në vitin 2014, në Shqipëri u importuan në mënyrë të rregullt dhe të taksueshme 140 mijë aparate celulare me çmim mesatar prej 15 mijë lekësh. Relacioni shpjegon se sipas llogarive të qeverisë, shqiptarët i mbajnë celularët e tyre mesatarisht 15 muaj deri në 18 muaj, por nuk jep ndonjë shpjegim se mbi çfarë studimi e bazon këtë konkluzion. Sipas relacionit, duke marrë parasysh kohëzgjatjen mesatare të celularëve, vlerësohet se rreth 500 mijë aparatë celularë importohen ilegalisht çdo vit.

Nuk është e qartë se për çfarë arsyeje, qeveria nuk e lufton evazionin fiskal duke kryer kontrolle nëpër dyqanet e shitjes së celularëve, por vendos që të paragjykojë të gjithë shqiptarët si evazorë fiskalë dhe t’i detyrojë të dorëzojnë të dhënat e tyre personale pavarësisht nëse kanë kryer apo jo evazion fiskal.