Lajm8 Nov 2018

Qeveria vuan të mbyllë vrimën e evazionit të krijuar nga taksa progresive

Kuvendi i Shqipërisë filloi shqyrtimin e ndryshimeve të propozuara nga Ministria e Financave në Ligjin për Procedurën Tatimore, hera e tetë në më pak se pesë vjet që ky ligj ndryshohet, ndërsa vrima e krijuar më 2014 me taksën progresive vijon të krijojë hapësirë për shmangie fiskale për një grusht shqiptarësh me të ardhura të larta.

Autor: Gjergj Erebara BIRN Tiranë
Printo

Ministri i Financave Arben Ahmetaj duke prezantuar ndryshimet në ligjet fiskale para Komisionit Parlamentar të Ekonomisë më 7 nëntor 2018. Foto: Malton Dibra/LSA

Kuvendi i Shqipërisë filloi këtë javë shqyrtimin e ndryshimeve të reja në ligjin e procedurave tatimore, ligji më i rëndësishëm fiskal i vendit që sqaron mënyrën se si llogariten dhe vilen detyrimet tatimore, ku ndryshimet e reja synojnë të shënjestrojnë boshllëqet e krijuara për shmangie fiskale të ligjshme nga reforma fiskale e ndërmarrë nga qeveria aktuale në kuadër të sloganit “taksim i ndershëm”.

Ndryshimi i parë i propozuar është ndalimi i të drejtës së një individi për të hapur dy kompani biznesi duke u regjistruar dy herë si person fizik.

“Një person fizik me të njëjtin numër të identifikimit personal regjistrohet vetëm një herë nga Qendra Kombëtare e Biznesit. Atij i lind e drejta të regjistrohet dhe të pajiset me një NIPT/NUIS të ri nga Qendra Kombëtare e Biznesit, vetëm mbas çregjistrimit të NIPT-it/NUIS-it ekzistues,” shkruhet në ndryshimin e propozuar.

Sipas Ministrisë së Financave, synimi i kësaj ndërhyrjeje është që të shmangë mundësinë që kanë individët ta deklarojnë një aktivitet të vetin në dy subjekte sipërmarrëse të regjistruar si person fizik, duke ndarë kështu të ardhurat në dy njësi raportimi dhe rrjedhimisht duke përfituar përjashtimet fiskale ekzistuese për bizneset e vogla të vendosura nga qeveria aktuale.

Aktualisht bizneset me të ardhura nën 2 milionë lekë në vit nuk i nënshtrohen tatimit mbi vlerën e shtuar dhe as tatimit mbi fitimin. Detyrimi i vetëm fiskal është pagimi i sigurimeve shoqërore e shëndetësore për së paku një të punësuar me një kosto mujore prej vetëm 7 mijë lekësh, ndërkohë që një subjekt tatimpagues që merr të njëjtat të ardhura në formë page, paguan çdo muaj mbi 7 herë më shumë në formën e sigurimeve dhe tatimit mbi të ardhurat personale. Biznesi i vogël ka mundësi të deklarojë fitime neto deri në 1.8 milionë lekë në një NIPT për të cilat paguan zero lekë detyrime fiskale. Nëse ka dy nipte, mund të deklarojë fitime deri në 3.6 milionë lekë. Deri vitin e kaluar, kur pragu i përfshirjes në TVSH u ul nga 5 në 2 milionë lekë, një individ i tillë mund të deklaronte fitime neto dero në diçka më pak se 5 milionë lekë për të cilat paguante zero lekë tatim mbi fitimin.

Qeveria aktuale vendosi heqjen e tatimit të thjeshtuar mbi xhiron e biznesit të vogël dhe vendosi tatim zero mbi të ardhurat personale për këtë kategori tatimpaguesish në vitin 2013, si pjesë e premtimit për “taksim të ndershëm”. Problemi është që bizneset e vogla tregtare në shumicën dërrmuese të rasteve nuk përfituan ulje sepse aktiviteti kryesor tregtar nuk pret të realizojë miliona lekë fitime. Ato që përfituan janë një numër profesionistësh, të tillë si juristë, ofruesit e shërbimeve profesionale apo mjekë, të cilët regjistruan biznese të vogla dhe i faturuan shërbime pa TVSH subjekteve ku punojnë.

Në çdo rast, nuk është e sigurt që ndërhyrja në ligj do të shmangë fenomenin e ndarjes së të ardhurave në dy subjekte fiskale. Individët vijojnë të kenë të drejtën të regjistrojnë dy ose më shumë shoqëri me përgjegjësi të kufizuara. Ose ata mund të krijojnë shoqëri me ortak një prej familjarët.

Nga ana tjetër, nuk është e qartë se në çfarë mase, kufizimi i regjistrimit si person fizik në një nipt të vetëm është i mjaftueshëm për të shmangur fenomenin e deklarimit të të ardhurave nga paga si të ardhura nga biznesi i vogël.

Shqiptarët paguajnë sigurime shoqërore e shëndetësore si dhe tatim mbi të ardhurat personale në varësi të faktit nëse janë të punësuar apo të vetëpunësuar. Për shkak se vetëpunësimi taksohet në mënyrë të diferencuar, shumë të punësuar kanë zgjedhur të shpallen të vetëpunësuar, duke lëshuar fatura fiskale pa TVSH te subjektet ku realisht janë të punësuar.

Kështu, nëse ke një pagë prej 100 mijë lekësh në muaj, paguan sigurime në masën 25% dhe tatim progresiv që është nga zero për të ardhurat deri në 30 mijë lekë, në 13% për të ardhurat në këtë masë. Nga ana tjetër, nëse regjistronnjë biznes të vogël dhe faturon kompaninë ku punon si shitës shërbimi, atëherë paguan vetëm sigurime në masën e një të vetëpunësuari dhe zero tatim mbi të ardhurat personale.

Gropa fiskale e krijuar më 2013 ka gjasa do të vijojë të jetë e hapur për të gjithë shqiptarët që kanë të ardhura vjetore më të pakëta se sa 2 milionë lekë, pra shumica dërrmuese e shqiptarëve. Numri i shqiptarëve me të ardhura mbi 2 milionë lekë është shumë i vogël.

Ndërsa shmangia e sigurimeve shoqërore dhe TAP përmes kësaj forme është një problem relativisht i vogël për të ardhurat e buxhetit të shtetit, një rrezik tjetër është përdorimi i kësaj hapësire ligjore për pastrim parash. Një person që ka të ardhura, fjala vjen, nga korrupsioni, mund të përdorë një biznes të vogël nën pronësinë e familjarëve të vet për të kryer faturime fiktive dhe për të legalizuar të ardhurat nga korrupsioni me një kosto fiskale pothuajse zero.

 

Lexo më shumë:

Korporatat shqiptare mund të përfitojnë dhjetëramilionë euro ulje taksash

Republikë kryeministrore, ligje personale dhe dashuria Edi Ramës për hotelet me 5 yje

Qeveria ul në minimum taksën për “objektet turistike”

Ta bëjmë Shqipërinë si Turqia