Lajm27 Sep 2019

Qiramarrësi i radhës i Rafinerisë së Ballshit bie në vështirësi financiare

Bankers Petroleum, kompania që prodhon naftën krudo në Shqipëri bëri të ditur se ka ndërprerë furnizimin e Tosk Energji pasi kjo e fundit nuk siguroi letërkredi për të garantuar pagesat. Tosk është e treta kompani në pak vite e këtij lloji.

Autor: Gjergj Erebara BIRN Tiranë
Printo

Kombinati i thellë i përpunimit të naftës në Ballsh.

Rafineria e Ballshit ka ndërprerë prodhimin dhe aktualisht është pezull pasi prodhuesi kryesor i naftës bruto në vend ka bllokuar furnizimin në pritje të pagesave.

Bankers Petroleum, kompania e prodhimit të naftës bruto bëri të ditur përmes një njoftimi për shtyp se Tosk Energji, kompania që menaxhon rafinerinë e Ballshit, “nuk ka arritur të përmbushë termat dhe kushtet e Kontratës së Shitjes së Naftës Bruto për 2019”.

Sipas Bankers, palët kishin rënë dakord që Tosk Energji të garantonte pagesat përmes një letër krediti, gjë që e ka barë deri në gusht të këtij viti, por nga shtatori letërkrediti i nevojshëm për të vijuar operacionet mungon.

Sipas Bankers, Tosk Energji ka ndërprerë komunikimin me të që nga fillimi i shtatorit.

Tosk Energji nuk iu përgjigj një kërkese për koment të dërguar nga BIRN me email.

Kompania u themelua në Shqipëri në vitin 2015 ndërsa pronarët e saj janë të fshehur pas kompanive guackë të regjistruara në Zvicër.

Sipas të dhënave të bilancit të kompanisë të publikuara në Qendrën Kombëtare të Biznesit, Tosk Energji pati të ardhura prej afro 12 miliardë lekësh (100 milionë euro) gjatë vitit 2018 dhe 4.7 miliardë në vitin 2017. Kompania rezultoi me humbje në masën 1 miliardë lekë (8 milionë euro) gjatë vitit të kaluar.

Kjo është e disata herë që Tosk Energji, e cila ka një kapital të paguar prej vetëm 3.5 milionë lekësh,  bie në vështirësi financiare. Detyrimet afatshkurtra dhe afatgjata të kompanisë deri më 31 dhjetor 2018 ishin 4.1 miliardë lekë.

Tosk Energji u shfaq në Shqipëri në vitin 2015, pasi një kompani tjetër e quajtur IRTC u largua duke lënë pas dhjetëramilionë euro borxhe.

Lexo më shumë:

Qeveria bekoi shitjen e paligjshme të aseteve të ARMO

Pa rroga në ditë festash, naftëtarët marshojnë drejt Tiranës