Paraditen e së premtes u zhvillua nëpërmjet një takimi online dialogu mbi Axhendën Dixhitale në shtetet e Ballkanit Perëndimor, ku u theksua rëndësia e dixhitalizimit në kohë të tilla si viti pandemik që sapo lamë pas, dialog i bazuar në publikimin e muajit Gusht 2020 nga fondacioni Metamorphosis në Maqedonin e Veriut.
Përfaqësues të organeve shtetërore, organizatave jofitimprurëse dhe të shoqërisë civile në gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor, diskutuan të premten nëpërmjet një konference online mbi avantazhet, rregullat, dhe rëndësinë e përdorimit të axhendave dixhitale gjatë viteve të fundit në rajon.
Axhenda Dixhitale është një iniciativë e suportuar nga Bashkimi Europian, e përshtatur për 6 vendet e Ballkanit Perëndimor, e cila synon të sigurojë që qytetarët e secilit shtet mund të përfitojnë nga transformimet dixhitale nëpërmjet modernizimit të administratës, fuqizimit të sigurisë në internet, dhe përmirësimit të klimës së biznesit.
Romina Kostani, drejtoreshë per Inovacionin dhe Platformën e-Government IPA në Agjensinë Kombëtare të Shoqërisë sē Informacionit, cilësoi faktin se që prej vitit 2013 Shqipëria ka vënë në dispozicion të qytetarëve të saj platformën elektronike “e-albania”, duke siguruar 591 shërbime, si aplikime online, dokumente elektronike, aksesi i faturave, e të tjera shërbime që shënojnë progress në procesin e dixhitalizimit.
“Platforma qeveritare elektronike mundëson që të gjitha dokumentet shtetërore të jepen falas me vulë elektronike, shërbim nëpërmjet të cilit u kemi kursyer qytetarëve shqiptarë rreth 3 milion lekë në terma financiarë dhe 200 vite kohë nëse ata do të shkonin fizikisht nëpër zyra për të tërhequr këto dokumente”, u shpreh Romina Kostani gjatë prezantimit online.
“Qeveria shqiptare ka mbështetur revolucionin dixhital në Shqipëri”, vijoi znj.Kostani.
Shqipëria vepron sipas strategjisë për Axhendën Dixhitale të Shqipërisë për vitin 2014-2020, që synon të rrisë dhe të promovojë shërbimet elektronike publike për qytetarët dhe administratën, të përmirësojë teknologjitë e komunikimit në arsim, dhe të përmirësojë infrastrukturën kombëtare të transmetimit broadband.
Gjithashtu në Shqipëri, ligjet që rregullojnë teknologjitë elektronike, u krijuan rreth vitit 2008-2010, dhe aktualisht duhet të azhornohen, të tilla si Ligji mbi komunikimin elektronik në Republikën e Shqipërisë, Ligji për vulën elektronike, Ligji për dokumentat elektronike, për tregtinë elektronike, si dhe Ligji për databazat e operuara nga shteti.
Misa Bojovic, studiuese pranë CRTA (Qendra për Kërkime, Transparencë dhe Llogaridhënie) në Serbi, citoi se tashmë në rang Ballkani shtrirja e internetit, që mundëson dhe progresin e dixhitalizimit, varion nga 74-93% të popullatës në shtetet përkatëse, ndërkohë që Shqipëria dhe Mali i Zi janë dy vendet me përqindjen më të ulët të penetrimit të rrjetit të internetit në vend.
Sipas publikimit të Metamorphosis, në Shqipëri kjo përqindje përllogaritet të jetë 73,5%, shifra më e ulët në Ballkanin Perëndimor.
Bardhyl Jashari, drejtori ekzekutiv i Fondacionit Metamorphosis në Maqedoninë e Veriut, u shpreh se si dëshmitarë të pandemisë që kaploi botën gjatë vitit 2020, duket se dixhitalizimi ka qenë një nevojë dhe një zgjidhje për të gjithë.
“Gjithsesi teknologjitë dixhiale duhet të përdoren në mënyrë të përgjegjshme, si edhe siguria dhe privatësia në shërbimet elektronike duhet të jetë pjesë e këtyre shërbimeve elektronike”, shtoi Jashari.
Ai theksoi gjithashtu rolin e shoqërisë civile në formimin dhe promovimin e axhendave dixhitale për komunitetet e tyre, çfarë mund të bëhet për nevojat e këtyre komuniteteve si edhe mënyrën e advokimit nëpërmjet axhendave dixhitale.
Aldo Merkoci, drejtor ekzekutiv i Lëvizjes Mjaft në Shqipëri u shpreh se Shqipëria pavarësisht se jo në nivelet e duhura, përsëri ka bërë përparime në axhendën dixhitale.
“Na duhej një vit i vështirë si 2020-ta për të kuptuar avantazhet e dixhitalizimit”, u shpreh Merkoci.
“Ndërkohë, ndër vitet e fundit ka ndryshuar dhe mentaliteti mbi dhënien e informacionit ndaj publikut, prandaj jam optimist pasi kemi katapultuar deri në 3-4 vite përpara”, shtoi drejtori ekzekutiv i “Mjaft”.
Gjithsesi ai shprehu se një pjesë e konsiderueshme e qytetarëve në Shqipëri janë akoma skeptikë mbi përdorimin e sistemeve online, apo disa prej tyre nuk kanë as aftësitë për t’i përdorur ato, duke preferuar akoma format e vjetra të dokumenteve të lëshuara nga zyrat e shërbimit.