Lajm25 Mar 2020

Qytetarët vazhdojnë të thyejnë rregullat e lëvizjes gjatë epidemisë COVID-19

Qindra qytetarë, drejtues mjetesh dhe biznesmenë vazhdojnë të thyejnë rregullat e përcaktuara për kufizimin e lëvizjes dhe ushtrimit e aktiviteteve tregtare; ndërkohë, ka edhe nga ata që nuk respektojnë vetëkarantinimin.

Autor: Edmond Hoxhaj BIRN Tiranë
Printo

Forca policie e ushtrie në Tiranë me maska e doreza kanë ngritur postblloqe për të kontrolluar kalimtarët e makinat që thyejnë rregullin e karantinimit, | Foto : LSA

Policia e Shtetit njoftoi të mërkurën masat e marra gjatë 24 orëve të fundit ndaj shkelësve të rregullave të përcaktuara për parandalimin e përhapjes së infeksionit nga COVID-19.

Në njoftimin e policisë thuhet se një banor i kryeqytetit që ka thyer rregullin e vetëkarantinimit është ndëshkuar me masë administrative 700 mijë lekë. “Shtetasi K. B., banues në Tiranë, ka hyrë në Shqipëri më datë 11.03.2020 dhe është konstatuar nga shërbimet e Policisë jashtë banesës së tij”, sqaron policia.

Në të gjithë vendin janë ndëshkuar 65 persona me masë administrative  në vlerën 10 mijë lekë pasi janë konstatuar duke lëvizur në këmbë apo me biçikleta pa ndonjë arsye apo emergjencë. Në njoftim thuhet se një prej tyre është shoqëruar në komisariat dhe është procedua penalisht për kundërshtim të urdhrit të punonjësit të Policisë.

Ndërkohë, 76 drejtues mjetesh që kanë shkelur urdhrin e ndalim qarkullimit janë ndëshkuar me heqje të lejes së drejtimit dhe bllokim mjeti.

Sipas policisë, në të gjithë vendin janë konstatuar 9 subjekte tregtie që nuk kanë respektuar orarin e mbylljes dhe ndaj administratorëve është marrë masë administrative në vlerën 100 mijë lekë për secilin

Policia e Shtetit apelon për të gjithë qytetarët që të respektojnë masat kufizuese dhe të mos lëvizin as në oraret e lejuara pa ndonjë arsye. “…Ndërsa pensionistët nuk lejohen në mënyrë kategorike të dalin nga banesa”, citohet në njoftimin e policisë.

Pas përcaktimit të orarit për lejimin e lëvizjes në fashën 05:00-13:00, të shtunën më 21 mars, policia nisi të ushtrojë kontrolle në gjithë vendin dhe të vendosë masa administrative për gjithë qytetarët dhe drejtuesit e mjeteve që thyejnë rregullat e përcaktuara për kufizimin e lëvizjeve. Gjatë kësaj periudhe janë konstatuar dhe proceduar dhe gjobitur edhe tregtarë që kanë abuzuar me çmimet dhe nuk kanë respektuar oraret e përcaktuara për ushtrimin e aktivitetit.