Një 59-vjeçar vdiq ndërsa ishte duke punuar në një serë pemësh dekorative. Policia tha se ai ka rënë nga lartësia.
Një punëtor mbeti i vrarë të mërkurën pasi ra nga lartësia e një peme dekorative në serën ku punonte në rrethina të Lezhës. Policia njoftoi se ngjarja ka ndodhur në mesditë në periferi të qytetit të Lezhës, ndërsa viktima është identifikuar me iniciale I.T 59-vjeç banues në Lezhë.
Sipas policisë 59-vjeçari po punonte në një serë pemësh dekorative dhe gjatë punës është rrëzuar nga pema, duke rënë nga një lartësi e konsiderueshme. Punëtorët e tjerë brenda serës kanë njoftuar spitalin dhe policinë në lidhje me ngjarjen. Pavarësisht reagimit të shpejtë të bluzave të bardha të cilët e morën me ambulancë 59-vjeçarin, ai mbërriti pa shenja jete në spitalin rajonale të Lezhës.
Policia njoftoi se kanë nisur hetimet për sqarimin e shkaqeve dhe rrethanave të aksidentit në punë. Gjithashtu Inspektorati Shtetëror i Punës njoftoi se po verifikon kushtet e punës brenda serës ku punonte 59-vjeçari. As policia as Inspektorati nuk e kanë përmendur emrin e kompanisë ku ndodhi ngjarja.
Aksidentet në pune kane qenë të shpeshta në zonën e Lezhës, teksa në gjykatë po gjykohen dy çeshtje për shkelje gë rregullave të sigurisë në punë me pasoje vdekjen, ndërsa janë marrë të pandehur 5 persona për dy ngjarje të ndryshme.