Lajm28 May 2021

Radovan Karaxhiçi transferohet në Britani për të vuajtur dënimin e tij

Ish-udhëheqësi politik serb i Bosnjës Radovan Karaxhiç, i cili u dënua me burgim të përjetshëm për gjenocid dhe krime të tjera lufte, është transferuar në Britani për të vuajtur dënimin e tij, konfirmoi avokati i tij.

Autor: Danijel Kovacevic BIRN Banja Luka
Printo

Radovan Karaxhiç në gjykatë në Hagë. Foto: GJPNJ.

Radovan Karaxhiç u transferua të mërkurën nga Njësia e Paraburgimit e Kombeve të Bashkuara në Scheveningen në Hagë në Britani, tha për mediat boshnjake avokati i ish-presidentit serb të Bosnjës, Goran Petronijeviç.

Petronijeviç shtoi se ai kishte biseduar me Karaxhiçin shkurtimisht të mërkurën kur ai zbriti në Londër, por nuk ka informacione të mëtejshme mbi vendndodhjen e tij.

Gjykata e KB në Hagë e dënoi Karaxhiç me burgim të përjetshëm në mars 2019 për gjenocidin e boshnjakëve nga Srebrenica, përndjekjen e boshnjakëve dhe kroatëve në të gjithë vendin gjatë kohës së luftës, terrorizimin e popullsisë së Sarajevës gjatë rrethimit të qytetit dhe marrjen peng të paqeruajtësve të Kombeve të Bashkuara.

Karaxhiç e kundërshtoi vendimin nga Mekanizmi për Gjykatat Penale Ndërkombëtare në Hagë për ta dërguar atë në Britani për të vuajtur dënimin e tij, duke pretenduar se ai mund të bëhej shënjestër e një sulmi potencialisht vdekjeprurës nga të burgosurit e tjerë.

Ekipi i tij i mbrojtjes argumentoi se Karaxhiçi, 75 vjeç, “do të rrezikohej nga ekstremistët myslimanë”.

Ai tha gjithashtu se për ta mbajtur Karaxhiçin të sigurt nga sulmi, ai do të duhej të mbahej në kushte të ngjashme me izolimin.

Ai citoi një sulm në burgun Wakefield në Britani në vitin 2010 ndaj gjeneralit të Ushtrisë Serbe të Bosnjës Radislav Krstiç, të cilit tre të burgosur myslimanë i prenë fytyrën dhe qafë në qelinë e tij.

Krstic, i cili si Karaxhiçi u dënua për gjenocidin e boshnjakëve nga Srebrenica, u transferua përsëri në Holandë dhe më pas në një burg polak.

Megjithatë, gjykata e Kombeve të Bashkuara i rrëzoi kundërshtimet e tij.