Analize11 Oct 2019

Rama dhe Meta kërkojnë legjitimitet në Venecia duke lexuar raportin në mënyrë selektive

Shumica dërrmuese e shqiptarëve duhet të presin deri ditën e hënë për të lexuar dy raporte të ekspertëve të Këshillit të Europës për çështje kushtetuese, por ndërkohë, kryeministri i vendit Edi Rama dhe presidenti Ilir Meta po lexojnë në publik paragrafë të përzgjedhur prej tyre me shpresë se do të mund të legjitimojnë sjelljen e tyre gjatë këtij viti.

Autor: Gjergj Erebara BIRN Tiranë
Printo

Presidenti Ilir Meta, Kryeministri Edi Rama, gjatë një pritje në ambasadën gjermane në Tiranë | Foto : LSA

Komisioni Europian për Demokraci Përmes Ligjit, siç njihet ndryshe Komisioni i Venecia, publikoi një deklaratë të pazakontë të premten më 11 tetor për dy çështje të nxehta të politikës shqiptare, hetimin parlamentar ndaj presidentit dhe ligjin kontrovers të qeverisë “Rama” për shpronësimin e fshatarëve në bregdet, ndërsa theksoi se deklarata vjen pas “rrjedhjeve në media” të dy raporteve, të cilat pritet të publikohen zyrtarisht të hënën.

“Të dyja draft-opinionet rrodhën te media shqiptare para se ato të miratoheshin, por vetëm opinionet e miratuara – tekstet e plota do të publikohen në faqen e internetit të Komisionit të Venecias të hënën – reflektojnë pozicionin zyrtar të Komisionit të Venecias,” shkruhet në deklaratë. [Link]

Në fakt, paragrafë nga draft-raportet e komisionit u publikuan në median shqiptare që më 27 shtator dhe ishin tërësisht ndëshkuese për sjelljen e Metës, i cili dekretoi fillimisht anulimin e datës së zgjedhjeve të shpallura më parë prej tij dhe më pas, një datë të re zgjedhjesh. Rrjedhja e pjesshme u pasua nga disa shkrime në faqe të ndryshme interneti, në të cilat pretendohej se komisioni i Venecias është kapur nga Sorosi. Ndonëse nuk ka fakte që të lidhin Metën me këto shkrime, presidenti është i njohur publikisht si denoncues i “komplotit sorosian”.

Deklarata e Venecias e publikuar të premten, duket se është më pak e prerë, pasi e konsideron tërheqjen e dekretit të zgjedhjeve si tejkalim të kompetencave të presidentit, por njëkohësisht sugjeron se kjo nuk përbën “shkelje të rëndë” të kushtetutës, gjë që përbën edhe kriterin kushtetues për të nisur procedurën e shkarkimit të tij.

Për Tedi Blushin, zëdhënës i presidentit Ilir Meta, nuk ka dyshim se kush i ka rrjedhur në media paragrafët e përzgjedhur nga raportet ende të papublikuara të Venecias. Ai ia hodhi fajin për rrjedhjen e tyre kryetarit të grupit parlamentar socialist Taulant Balla duke e akuzuar atë se kishte shpërndarë informacion të rremë. Sipas Blushit, Venecia ka konkluduar se “Presidenti ka kryer ZERO shkelje të kushtetutës”.

Vetë Balla vendosi ta lexojë edhe pas publikimit të deklaratës së Venecias, sërish në mënyrë selektive. Sipas Ballës, Venecia ka dalë në konkluzionin se Meta e shkeli kushtetutën ndërsa se sa rëndë e shkeli, kjo është punë që i përket parlamentit të Shqipërisë dhe Gjykatës Kushtetuese.

Edhe kryeministri Edi Rama vendosi gjithashtu të zgjedhë çfarë i pëlqen nga raporti i Venecias. Sipas Ramës, Venecia i dha të drejtë atij të zhvillojë zgjedhjet për pushtetin vendor në mënyrë të njëanshme. Rama nuk e pa të arsyeshme të komentojë për çështjen tjetër të shqyrtuar nga komisioni, atë të pronave të bregdetit.

Çështja ka të bëjë me propozimin e një ligji nga qeveria “Rama”, me të cilën Rama i jep të drejtë vetes të mos regjistrojë në hipoketë tokat e shpërndara me ligjin 7501 në zonat bregdetare dhe në vend të kësaj, t’i sekuestrojë pa shpërblim këto toka për t’ia vënë në dispozicion të ashtuquajturve “investitorë strategjikë” për zhvillime në turizëm. Venecia shpreh shqetësimin për atë që e quaj “fuqi të tepërt rregulluese” që Këshilli i Ministrave merr nga ky ligj.

Fati i projektligjit, i cili vijon të jetë në procedurë parlamentare, është i paqartë, por ky është vetëm një nga shumë masa dukshëm antikushtetuese të ndërmarra nga qeveria e Ramës. Në një nismë tjetër kontroverse, në mars 2018, Rama urdhëroi hipotekat në të gjithë Shqipërinë të mos regjistronin aktet e marrjes së tokës në zonat bregdetare përmes një vendimi të Këshillit të Ministrave. Përballur me kritikat se po shkelte kushtetutën duke pezulluar me VKM një të drejtë që i është dhënë qytetarëve me ligj, ministrja e Drejtësisë Etilda Gjoni deklaroi në atë kohë se kjo ishte një “masë e përkohshme”. Afro një vit e gjysmë më pas, masa vijon të mbetet në fuqi.