Lajm20 Oct 2021

Rama i quan alarme fallco shqetësimet ndërkombëtare për Ministrinë e Propagandës

Kryeministri shqiptar ka kundërshtuar shqetësimin e ngritur nga organizatat ndërkombëtare për lirinë e medias për ngritjen e Agjencisë për Media dhe Informim, MIA, e cila është krahasur me një ministri propagande.

Autor: Blerina Gjoka BIRN Tiranë
Printo

Kryeministri Edi Rama dhe Ambasadori i BE, Luigi Soreca

Kryeministri Edi Rama foli të mërkurën për herë të parë për Agjencinë për Media dhe Informim,MIA, gjatë konferencës për shtyp me ambasadorin e Bashkimit Europian në Tiranë, Luigi Soreca, i cili i dorëzoi progres-raportin vjetor Komisionit Europian për Shqipërinë.

Duke iu përgjigjur një pyetje të drejtuar nga BIRN për ambasadorin Soreca në lidhje me MIA, Rama tha se mekanizmi i ndërtuar nga qeveria e tij do të jetë një mekanizëm për të garantuar transparencën e çdo institucioni ndaj medias.

“Është një mekanizëm për të garantuar transparencën maksimale në raport me ju,” tha kryeministri për agjencinë e re qeveritare.

“Për të garantuar që nëse ju hasni një problem në një institucion dhe pengoheni që të merrni informacionin zyrtar në dispozicion t’i drejtoheni këtij mekanizmi,” shtoi ai.

Në mënyrën se si Rama e përshkroi MIA, ai duket sikur me ose pa qëllim po përshkruante rolin e Komisionerit për të Drejtën e Informimit dhe jo agjencinë e re, e cila jo vetëm do të kontrollojë emërimin dhe shkarkimin nga puna të zëdhënësve të shtypit në institucioneve qendrore, por do të monitorojë mediat dhe mjetet e tjera të komunikimit masiv si rrjetet sociale.

Rama kërkoi dialog me organizatat ndërkombëtare që kanë ngritur alarmin për krijimin e këtij institucioni propagande me paratë e taksapaguesve, por në të njejtën kohë ai akuzoi ato se po shpëndanin alarme fallco.

“Unë ju jap fjalën, nëse ju nga dialogu që do kemi do të arrini në përfundimin se kjo agjenci duhet hequr, unë do ta heq fare, ju jap fjalën, por pasi të dëgjoni argumentet dhe pasi të sillni një fakt, një provë që bën sens,” tha kryeministri shqiptar.

“Po në të kundërt ju duhet t’u shkruani të gjithë këtyre që keni alarmuar; na falni po është alarm fallco,” shtoi Rama.

Javës që shkoi gjashtë organizata ndërkombëtare për lirinë e shprehjes – përfshirë Artikulli 19, Qendra Evropiane për Liri të Shtypit dhe të Medias (ECPMF), Instituti Ndërkombëtar i Shtypit (IPU), OBC Transeuropa, Federata Evropiane e Gazetarëve dhe Free Press Unlimited, e cilësuan vendimin e qeverisë shqiptare për krijimin e kësaj agjencie si një mjet kontrolli që kufizon punën e gazetarëve dhe i kërkuan Bashkimit Evropian që t’i bëjë presion qeverisë kundër krijimit të kësaj agjencie.

Ndërkohë, progres-raporti i Komisionit Europian i prezantuar të martën, thekson se Shqipëria nuk ka bërë hapa përpara për sa i përket lirisë së shprehejes.

“Atmosfera e sulmeve verbale, fushatave shpifëse dhe aktet e frikësimit kundër gazetarëve nuk është përmirësuar,” shkruhet në raport. “Sulmet kundër gazetarëve nuk kanë sjellë asnjë dënim final [të personave përgjegjës,” vijon më tej raporti.

Gjatë konferencës ambasadori Luigi Soreca ripërsëriti qëndrimin e shprehur në progres-raport, sipas të cilit liria e medias ishte një shqetësim për BE-në dhe kërkoi që media të ketë akses të plotë në punën e qeverisë, por nuk mbajti një qëndrim të qartë për ngritijen e MIA-s.

“Sot kemi diskutuar gjatë për lirinë e fjalës dhe të shprehurit dhe besoj se në raport do të gjeni dhe përgjigjen tuaj që ka të bëjë pikërisht me Agjencinë e Medias dhe Informimit,” tha ai.

“Ajo që ne themi është se medias duhet t’i jepet akses në aktivitetet e qeverisë, tek institucionet e qeverisë, në një mënyrë të tillë që e lejon median të kryejë detyrën e saj, një detyrë që është thelbësore për demokracinë,” përfundoi Soreca.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *