Kryeministri Edi Rama deklaroi se paketa e tij kundër medias online do të shqyrtohet në parlament në shtator ndërsa i pyetur mbi kritikat e OSBE shtoi se “nuk ishte në dijeni të detajeve”.
Kryeministri Edi Rama deklaroi se nuk ka ndër mend të tërhiqet nga projektligjet e shumëkritikuara për median online duke këmbëngulur se projektligjet “janë rakorduar me OSBE-në”, pavarësisht se në mënyrë të përsëritur ato janë kritikuar pikërisht nga OSBE.
Pyetur nga gazetari Bledi Hoti nga GazetaSi në konferencën për shtyp të 30 korrikut 2019, Rama këmbënguli se e ashtuquajtura paketë anti-shpifje “është në proces” dhe se “do të futet në procedurë [parlamentare] në shtator.”
Pyetur mbi kritikat e OSBE, e cila thotë se, ndryshe nga sa parashikojnë projektligjet, Autoriteti i Medias Audiovizive nuk duhet të zëvendësojë gjykatat në shqyrtimin e çështjeve të shpifjes, Rama deklaroi: “Nuk jam në dijeni të detajeve por di t’ju them që ligji është punuar ngushtësisht me ekspertë të OSBE-në”.
Rama ka propozuar ndryshime të dy projektligje si pjesë e asaj që e prezanton si “paketë antishpifje”, por që për organizatat e të drejtave të njeriut në Shqipëri dhe nëpër botë përbëjnë një “paketë cenzure” ndaj medias online.
Projektligji i parë, ai për Mediat Audiovizive, [link] parashikon krijimin e një regjimi kontrolli administrativ nga AMA të mediave online për çështje të “dinjitetit dhe privatësisë”, ndërsa projektligji i dytë, ai i Komunikimeve Elektronike dhe Postare, ngarkon Autoritetin e Komunikimeve Elektronike dhe Postare me detyrën e kontrollit të internetit për llogari të AMA. Të dyja projektligjet parashikojnë gjoba deri në 100 milionë lekë ndaj medias online.
Projektligjet synojnë të shtojnë një kontroll administrativ mbi çështje që aktualisht shqyrtohen në rrugë gjyqësore, por ndryshe nga legjislacioni aktual shqiptar kundër shpifjes dhe fyerjes, riformulon përmbatjet e paligjshme si “çështje të dinjitetit dhe privatësisë”, gjë që kritikohet nga OSBE dhe organizatat e të drejtave si një hapësirë tepër e madhe në duart e qeverisë, e cila mund të keqpërdoret për të kërcënuar apo mbyllur median kritike ndaj qeverisë.
Pas publikimit të projektligjeve, të cilat qeveria i prezantoi si të hartuara në bashkëpunim me OSBE-në, përfaqësuesi për lirinë e medias në këtë organizatë, Harlem Desir ka dhënë tre deklarata publike në të cilat ka përsëritur se AMA nuk mund të zëvendësojë gjykatat në trajtimin çështjeve të shpifjes dhe të fyerjes, duke shpërbërë atë që është thelbi i projektligjeve të propozuara.
Më 11 korrik, në Londër, Desir dha deklaratën e parë [link] ndërsa pak orë më vonë publikoi edhe një vlerësim kritik të projektligjeve. Më 23 korrik, Desir publikoi një rivlerësim të dytë ligjor të projektligjeve, ku shprehu shqetësimin se përkufizimet ligjore të dhëna nga qeveria janë tepër të gjera dhe “mund të bien në kundërshtim me standardet ndërkombëtare të sigurisë juridike, proporcionalitetit dhe domosdoshmërisë, si dhe nuk përfshijnë rregulla specifike për të garantuar mbrojtjen e lirisë së shprehjes”.
Në 26 korrik, Desir dha një intervistë te Zëri i Amerikës ku përsëriti të njëjtat shqetësime. [Link]
Por pavarësisht këtyre deklaratave, Rama këmbënguli të martën më 30 korrik: “E kemi harmonizuar ligjin me OSBE-në dhe në shtator ligji do të futet në procedurë,” ndërsa shtoi se “nuk ishte në dijeni për detajet”.
Ndryshe nga sa mendon OSBE se ligjet duhen përmirësuar, dhjetë organizata shqiptare të të drejtave të njeriut dhe lirisë së medias si dhe katër organizata ndërkombëtare i kanë kërkuar Ramës në mënyrë specifike të tërheqë projektligjet e propozuara duke i quajtur ato “të paprecedenta në botën demokratike” dhe që nisma përbën një “paketë cenzure”.
“Projektligjet në mënyrë të paprecedentë në vendet demokratike, synojnë të krijojnë një regjim kontrolli administrativ mbi median online,” shkruhet në deklaratën e dhjetë organizatave shqiptare.
“Projektligjet i japin fuqi një enti administrativ shtetëror për të rregulluar përmbajtën e mediave online, ndërkohë që nuk adresojnë problemin e gjithpërhapur të propagandës së kamufluar si informacion dhe dizininformimit të sponsorizuar nga qeveria, njësitë e qeverisjes vendore dhe partitë politike,” vijon më tej deklarata. [Link]
ARTICLE 19, Qendra Europiane për Liri të Shtypit dhe të Medias, ECPMF, Reporterët pa Kufij dhe Organizata e Medias së Europës Juglindore, SEEMO i bënë gjithashtu thirrje parlamentit që të mos i miratojë projektligjet, duke e konsideruar paketën legjislative “një rishikim kozmetik i amendamenteve të shumëkritikuara të dhjetorit 2018”.
Amendamentet e rishikuara të 3 korrikut vazhdojnë të jenë larg standardeve të OSBE-së, Këshillit të Europës dhe praktikave më të mira ndërkombëtare,” thuhet në deklaratë. “Ne i bashkohemi shoqërisë civile në Shqipëri dhe mediave të pavarura në thirrjet ndaj qeverisë për t’i tërhequr këto dy drafte dhe i bëjmë thirrje parlamentit që të mos i miratojë ato,” shtohet aty.[Link]