Një marrëveshje e mundshme mes palëve politike për reformë zgjedhore, parakusht ky për hapjen e bisedimeve të integrimit europian, duket se u hodh në erë të premten nga vendimi i papritur i Partisë Socialiste për të ndërmarrë ndryshime kushtetuese jashtë marrëveshjes së arritur me PD dhe LSI më 5 qershor.
Bisedimet e ndërmjetësuara nga partnerët perëndimorë të Shqipërisë, të cilat synonin t’i jepnin vendit një marrëveshje politike për reformë zgjedhore që plotëson një nga kushtet më të rëndësishme të vendosura nga Bashkimi Europian për hapjen e negociatave për anëtarësim nga Shqipëria, duket se u hodhën në erë të premten kur kryeministri Edi Rama deklaroi në emër të Partisë Socialiste se ka një plan për të kryer ndryshime kushtetuese në kompromis me disa deputetë të të ashtuquajturës “opozitë parlamentare” për të cilat nuk është rënë dakord me PD dhe LSI – të cilave kryeministri i referohet tashmë si “opozita jashtëparlamentare”.
Kryeministri Edi Rama shpalli në një konferencë për shtyp që zgjati më shumë se dy orë të premten pasdreke se ai dhe partia e tij mbështesin propozimin për vendosjen e një pragu zgjedhor në masën 5% dhe heqjes së të drejtës së partive politike për koalicione parazgjedhore, dy lëvizje këto që duket se synojnë të krijojnë një avantazh elektoral për Partinë Socialiste në zgjedhjet e ardhshme parlamentare të planifikuara për verën e vitit 2021.
Paralelisht me pragun dhe heqjen e koalicioneve, Rama u shpreh i gatshëm parimisht të mbështesë atë që e prezantoi si “hapje të listave” apo “hapje të pjesshme të listave”, por diskutimi për këtë çështje mbetet parimor dhe mënyrat se si e qysh duhet të realizohet kjo duket se do të përcaktohen në të ardhmen.
Partia Demokratike në opozitë deklaroi qëndrimin kundër ndryshimeve kushtetuese duke i quajtur ato të njëanshme. Kryetari Lulzim Basha i konsideroi ndryshimet si një shkelje të marrëveshjes së 5 qershorit, ndërsa tha se prezantimi i ndryshimeve kushtetuese si çështje e listave të hapura është një alibi e kryeministrit për të fshehur qëllimin e vet kryesor, atë të heqjes së koalicioneve parazgjedhore.
“Rama e mendon politikën si një Pazar,” deklaroi Basha.
Po kështu u shpreh edhe Oliver Varhelyi, komisioneri i zgjerimit në Komisionin Euroopian.
“Reforma e rëndësishme e rënë dakord në 5 qershor duhet të miratohet në parlament sa më parë në sesionin aktual në mënyrë që të lejohet zbatimi i saj në zgjedhjet e ardhshme parlamentare,” deklaroi ai.
Ndryshimet kushtetuese dhe listat e hapura
Edi Rama dhe Sali Berisha arritën në vitin 2008 një marrëveshje për ndryshimin e sistemit elektoral, në të cilin shqiptarët votojnë një parti të caktuar ndërsa kjo e fundit përcakton listat e deputetëve apo të anëtarëve të këshilleve bashkiake. Sistemi me lista të mbyllura argumentohet se ka fuqizuar kryetarët respektivë të partive, Ramën dhe Bashën, në atë nivel sa ka hedhur në erë parimin kushtetues të kontrollit parlamentar të qeverisjes së vendit. Ndërsa në kushte normale një qeveri votëbesohet nga parlamenti dhe mbahet përgjegjëse për veprimtarinë e vet nga deputetët, në sistemin aktual, për shkak se listat e deputetëve përcaktohen nga kryetari përkatës, parlamenti është në varësi të kryeministrit dhe jo anasjelltas.
Një numër deputetësh të “opozitës parlamentare” ka propozuar ndryshime në nenin 64 të Kushtetutës, ku përcaktohet që koalicionet parazgjedhore të mos lejohen dhe që partitë që marrin më pak se 5% të votave, të përjashtohen nga llogaritja e mandateve. Propozimi kërkon gjithashtu që zgjedhësit të kenë një “votë parapëlqyese” për kandidatët e listave shumëemërore, por mënyra se si do të funksionojë kjo “votë parapëlqyese” do të duhet të përcaktohet në Kodin Zgjedhor në të ardhmen. [Link propozimi]
Në dy fjalimet e mbajtura veçmas të premten pasdreke, si Rama ashtu edhe Basha pranuan se në fakt vendi ka një problem me përfaqësimin politik dhe se listat e mbyllura janë përgjegjëse për këtë krizë.
“Na rezulton që shqiptarët duan jo vetëm që shprehin një votë për partinë dhe kryetarin por duan edhe një votë parapqyese për secilin nga kandidatët,” deklaroi Taulant Balla të premten.
Rama, i cili përballet që prej vitesh për akuzat se ka prirje autoritariste dhe kërkon të ketë të gjitha pushtetet pa limite kushtetuese, shtoi pas deklaratës së Ballës: “Partia Socialiste të reflektojë shoqërinë dhe ambiciet e shoqërisë. Kërkesa për lista të hapura është nga shumë përtej një shumice elektorale.”
Megjithatë, si Rama ashtu edhe Balla thanë se mënyra se si do të mund të zbatohet kjo hapje e listave është një “çështje teknike” për t’u diskutuar më vonë. Problemi është se “më vonë” ka gjasa që do të thotë pas zgjedhjeve të vitit 2021.
Basha u tall si me nismën ashtu edhe me qëndrimin e Ramës. “Nuk ka budalla që ta besojë se Edi Rama do listat e hapura,” deklaroi ai. “Kjo e sotmja nuk është për listat e hapura por për koalicionet,” shtoi Basha.
Ai vuri në dukje edhe çuditë e krijuara nga situata ku deputetët e opozitës parlamentare, të cilët i përkasin praktikisht partive të vogla, kërkojnë një prag të lartë që favorizon në fakt partitë e mëdha dhe kërkojnë gjithashtu heqjen e koalicioneve paraelektorale, një masë që dëmton pikërisht partitë e vogla. Këto ishin argumentet që sipas Bashës tregojnë se opozita parlamentare është një sajesë politike e kontrolluar nga Rama.
Fati i reformës në pikëpyetje
Bashkimi Europian ka kërkuar që maxhoranca dhe opozita të bien dakord për një reformë zgjedhore dhe e ka vendosur këtë si kusht për hapjen e bisedimeve për anëtarësim me Shqipërinë. Reforma e rënë dakord më 5 qershor pas presionit të hapur të ndërkombëtarëve ndaj opozitës jashtëparlamentare prek disa aspekte të menaxhimit të zgjedhjeve ndërsa konsiderohet nga shumë opinionistë si një e tillë që është shumë larg interesave të votuesve. Por reforma duket se mbështetet nga ndërkombëtarët njëkohësisht si një masë për të lejuar hapjen e negociatave dhe si një masë për të tërhequr opozitën jashtëparlamentare sërish në jetën politike institucionale pasi ajo u tërhoq nga parlamenti gati dy vjet më parë. Në të gjitha rastet, një votim parlamentar do të duhet të kryhet brenda datës 30 korrik, kur mbyllet sezoni parlamentar aktual.