Kryeministri Edi Rama shpalli shkarkimin e katër ministrave të tij në qeveri, ndërsa u përpoq të siguronte opinionin publik se këto shkarkime janë përgatitje për fushatën elektorale dhe jo pasojë e presioneve brenda koalicionit qeverisës apo lëshim ndaj opozitës protestuese.
Ministrat e Brendshëm, të Shëndetësisë, të Mirëqenies Sociale dhe ai i Çështjeve Vendore nuk do të jenë më në postet e tyre, ndërkohë që zëvendësuesit nuk njihen për momentin.
Në një deklaratë në Facebook, kryeministri Edi Rama deklaroi se Sajmir Tahiri, Ministër i Brendshëm që nga viti 2013, Ilir Beqaj, Ministër i Shëndetësisë, Blendi Klosi, Ministër i Mirëqenies Sociale që nga viti 2014 dhe Blendi Çuçi, Ministër i Çështjeve Vendore, nuk do të jenë më ministra. Por në deklaratën e shkurtër, Rama hodhi poshtë supozimet se ndryshimet në qeveri vijnë si pasojë e presioneve të brendshme në koalicionin qeveritar apo si pasojë e kërkesave të Partisë Demokratike në opozitë për qeveri teknike.
“Ministrat largohen me konsideratën time më pozitive,” deklaroi Rama, i cili lavdëroi një nga një ministrat e larguar. Sipas tij, ndryshimet në qeveri po kryhen për shkak se këta ministra do të angazhohen në zona të ndryshme të Shqipërisë për fushatën elektorale të zgjedhjeve parlamentare të 18 qershorit.
Saimir Tahiri, 38 vjeç, drejtoi Ministrinë e Brendshme gjatë katër viteve të fundit, kohë gjatë së cilës është akuzuar vazhdimisht si përgjegjës për shkallën e gjerë të kultivimit të kanabisit gjatë vitit të fundit. Ai ka qenë deputet në vitet 2009-2013 dhe dha dorëheqjen nga mandati i dytë në vitin 2013 kur u emërua ministër. Tahiri qe ministër gjithashtu kur policia mori në kontroll fshatin e Lazaratit në gusht të vitit 2014, hera e parë që nga viti 1997 që policia hyri në këtë fshat të njohur si kryeqyteti europian i kanabisit.
Ilir Beqaj 49 vjeç, ka qenë deputet në periudhën 2009-2013 dhe ministër i Shëndetësisë që nga viti 2013. Gjatë detyrës së tij si ministër, ai ka dhënë tre koncesione të mëdha dhe të shumëdebatuara me vlerë të përbashkët prej 29.7 miliardë lekësh (212 milionë euro) ndërsa së fundmi ka përgatitur edhe një koncesion tjetër me vlerë 8.9 miliardë lekë.
Blendi Klosi, 46 vjeç, ka qenë ministër i Ministrisë së Mirëqenies Shoqërore dhe Rinisë që nga pranvera e vitit 2015, kur paraardhësi i tij, Erion Veliaj, dha dorëheqjen për të kandiduar për postin e kryetarit të Bashkisë Tiranë.
Blendi Çuçi, ministër pa portofol që nga viti 2013, ka pasur për detyrë njëkohësisht reformën administrative dhe territoriale të miratuar në vitin 2014 dhe luftën kundër korrupsionit, në kuadër të së cilës hapi një faqe interneti të quajtur Stopkorrupsionit.al.
Sipas Kushtetutës, Presidenti i Republikës do të duhet të dekretojë shkarkimin e ministrave brenda 7 ditëve, ndërsa zakonisht bashkë me dekretet e shkarkimit, merren edhe dekretet e emërimit të ministrave të rinj. Por për momentin, ministrat e rinj nuk dihen se cilët do të jenë. Kryeministri Rama deklaroi vetëm shkarkimin.