Duke shpallur veten përfaqësues të një vendi sovran, kryeministri Edi Rama dhe parlamenti i dominuar prej tij miratuan ndryshime në sistemin zgjedhor të vendit të cilat, për herë të parë në dy dekada, u ndërmorën në mënyrë të njëanshme pa marrëveshje me opozitën kryesore.
Kryeministri Edi Rama shpalli veten të enjten përfaqësues të një vendi sovran para se deputetët e partisë socialiste dhe mbështetësit e tyre nga e ashtuquajtura “opozita e re”, votuan ndryshime në Kushtetutën e Shqipërisë, për të cilat, kritikët thonë se do t’i japë Ramës dhe partisë së tij një avantazh arithmetik në zgjedhjet e ardhshme parlamentare që pritet të zhvillohen në pranverën e vitit të ardhshëm.
Votimi u krye i hapur emër për emër. Sipas procesverbalit, 106 vota ishin pro ndryshimeve kushtetuese ndërsa 6 deputetë nuk morën pjesë në votim.
Seanca jo shumë solemne që solli ndryshime kushtetuese në mënyrën se si shqiptarët votojnë dhe qeverisen, u shoqërua me një numër incidentesh. Një deputete dërgoi në kutitë e votimit votat e hedhura nga deputetët e tjerë, gjë për të cilën iu tërhoq vërejtje.
Vetë Rama shkëmbeu batuta të shumta me disa deputetë të opozitës parlamentare në një fjalim të gjatë, në të cilin u përpoq të mbronte ndryshimet kushtetuese, për të cilat është përballur me kritika jo vetëm nga opozita jashtëparlamentare por edhe nga faktori ndërkombëtar.
“Ta dëgjojnë mirë miqtë dhe partnerët tanë… Kjo që bëjmë sot e fut sistemin zgjedhor shqiptar në kornizën e botës me 1 miliardë banorë të OSBE/ODIHR,” deklaroi Rama pasi shpalli sistemin aktual zgjedhor, të cilën ai ka dakordësuar me Sali Berishën në vitin 2008, një sistem i keq dhe që nuk ekziston në asnjë vend tjetër.
Sipas Ramës, Komisioni i Venecias thotë se çështjet e sistemeve zgjedhore i takojnë të caktohen nga vendet anëtare sipas dëshirës së këtyre të fundit dhe duke qenë se kuvendi i Shqipërisë është sovran dhe ai është kryeministër i një vendi sovran, atëhere ai lejohet të miratojë ndryshimet kushtetuese.
Rama foli gjithashtu për ballistë dhe zogistë dhe komunistë, ndërsa deklaroi se ai vetë nuk është diktator, siç akuzohet.
Ndryshimet kushtetuese sanksionojnë heqjen e të drejtës së partive për të krijuar koalicione parazgjedhore, sipas modelit në të cilin PS, PD e LSI konkurruan në zgjedhjet e vitit 2009 dhe 2013 ndërsa ruan sistemin aktual llogaritës të njohur si formula D’Hondt, e cila i jep avantazh arithmetik në ndarjen e mandateve partisë që del e para në zonën përkatëse zgjedhore.
Rama akuzohet se ka ndërmarrë këto ndryshime të njëanshme posaçërisht për shkak se kundërshtarët e tij politikë kryesorë, PD dhe LSI, nëse garojnë më vete, ka pak gjasa të dalin të parat në shumicën e qarqeve që përbëjnë zona zgjedhore në vend, gjë që mund të sigurojë disa deputetë plus për socialistët qoftë edhe në situatën kur socialistët mund të marrin edhe vetëm një votë më shumë se sa kundërshtarët. Nga ana tjetër, garimi me koalicione parazgjedhore, mund të krijonte situatën që së paku në një pjesë të qarqeve të vendit, një koalicion opozitar të renditej i pari në rezultat, duke përfituar edhe avantazhin arithmetik të formulës së D’Hondt.
Kushtetuta u ndryshua edhe në dy aspekte të tjera. Njëra lidhet me heqjen e kriterit të pragut zgjedhor për ndarjen e mandateve në kushtetutë dhe transferimit të këtij diskutimi për shqyrtim në kuadër të Kodit Zgjedhor ndërsa në tjetrën, qytetarëve u jepet e drejta të japin një “votë parapëlqyese” për një numër të kufizuar deputetësh përmes listave të hapura.
Sipas përkufizimit të miratuar, listat hapen në “jo më pak se dy të tretat”, gjë që nënkupton që partitë do të përcaktojnë në lista një të tretën e kandidatëve fitues dhe, nëse fitojnë më shumë mandate se sa kaq, pjesa tjetër e mandateve merren nga kandidatët e secilës parti që ka marrë më shumë “pëlqime” nga votuesit e partisë së tij. Në një llogari arithmetikore, nëse në Tiranë dalin 34 deputetë dhe, fjala vjen, partia socialiste fiton 18 mandate, nga këto, 11 janë nga listat e mbyllura dhe 7 nga listat e hapura.
Opozita akuzoi Ramën se ka marrë rrugën e një autokrati që përcakton vetë në mënyrë të njëanshme rregullat e lojës.
“Njëanshmëria nuk është rruga demokratike për përcaktimin e rregullave të zgjedhjeve në një vend anëtar të OSBE-së,” deklaroi opozita jashtëparlamentare në një postim në Facebook.
“Njëanshmëria është rruga e autokratëve që i kanë braktisur qytetarët dhe kanë frikë nga vullneti qytetar,” shtoi ajo.
Shqipëria ka ndryshuar rregullat e lojës elektorale në shkallë të ndryshme disa herë përgjatë dy dekadave të fundit dhe në të gjitha rastet, ndryshimet janë bërë me kompromis së paku mes dy partiive kryesore, PD dhe PS.
Përgjatë eksperiencës tridhjetëvjeçare me zgjedhje shumëpartiake, Shqipëria ka njohur edhe dy raste të ndryshimeve zgjedhore të njëanshme: Në vitin 1996, kur Partia Demokratike ndryshoi hartën zgjedhore dhe rregullat zgjedhore për avantazh të vet politik dhe në vitin 2000 kur Partia Socialiste bëri të njëjtën gjë. Në të dyja rastet, pasojat nuk ishin shumë pozitive për vendin.