Lajm18 Sep 2021

Rama rilind ministrinë e propagandës

Në një rekord të ri negativ në marrëdhëniet me publikun, kryeministri Edi Rama shpalli krijimin e një “agjencie për media dhe informim”, e cila dukshëm pritet të funksionojë si një ministri propagande, me komunikim të kontrolluar të të gjitha ministrive përmes një zyrtari “në nivel ministri shteti” që është njëkohësisht “zëdhënës i kryeministrit”.

Autor: Gjergj Erebara BIRN Tiranë
Printo

Edi Rama duke dhënë deklaratë per media. Foto: Xhemali Moku/ Reporter.al

Kryeministri shqiptar Edi Rama shpalli në mbledhjen e tij të parë të punës si kryetar i qeverisë në mandatin e tretë, krijimin e një agjencie të centralizuar, nën kontrollin e zëdhënësit të tij, për kontrollin e marrëdhënieve publike të të gjitha institucioneve të qeverisë qendrore, përfshirë ministrat, një tregues tjetër i dëshirës së tij për të pasur nën kontroll të gjithë qeverinë.

Një nga vendimet e para të qeverisë “Rama 3” është për krijimin e kësaj agjencie, për të cilën Rama thotë, pa ofruar fakte, se mbështetet në modele të suksesshme në Itali dhe Gjermani.

Sipas vendimit, agjencia do të kontrollojë emërimin dhe shkarkimin nga puna të zëdhënësve të institucioneve qendrore, të cilët deri më sot emëroheshin dhe shkarkoheshin nga ministrat përkatës dhe mbanin zakonisht statusin e këshilltarit. Kjo agjenci do të kontrollojë gjithashtu aktivitetin publik të ministrave, përfshirë konferencat e tyre për shtyp.

“Drejtori i Përgjithshëm, statusi i të cilit barazohet me atë të ministrit të shtetit, është zëdhënës i Këshillit të Ministrave,” thuhet në vendim, i cili krijon në këtë mënyrë një ministri propagande për herë të parë që nga viti 2001, kur një nga qeveritë e drejtuara në atë kohë nga Pandeli Majko, kishte një ministër “për informacionin”.

“Në përbërje të Agjencisë, pranë secilës ministri dhe institucion qendror në varësi të Kryeministrit apo ministrave krijohen struktura apo përcaktohen nëpunës përgjegjës për informimin, komunikimin mediatik, të ngarkuar nga Agjencia me përfaqësimin e institucioneve respektive në komunikimet dhe raportet me publikun dhe mediat apo me çdo detyrë tjetër të ngarkuar nga drejtori i Përgjithshëm,” vijon më tej vendimi.

Dukshëm për t’i dhënë dorë të lirë kryeministrit dhe drejtorit të agjencisë të punësojë dhe pushojë nga puna këdo që dëshiron, pika 6 e vendimit sanksionon që “Marrëdhëniet e punës së drejtorit të Përgjithshëm, zëvendësdrejtorit të përgjithshëm, nëpunësve dhe punonjësve administrativë të Agjencisë rregullohen në bazë të Kodit të Punës.” Në këtë mënyrë, zëdhënësat nuk do të kenë privilegjet e statusit të nëpunësit civil, i cili është ligji kryesor shqiptar që synon të krijojë një administratë publike civile. Kjo thekson gjithashtu karakterin politik të “Agjencisë”.

Big brother ju vrojton

Sipas vendimit, agjencia do të ketë për detyrë jo vetëm që të përcjellë në publik propagandën e qeverisë, por duhet edhe të “monitorojë median” për të parë reagimin e publikut ndaj qeverisë.

Agjencia “vëzhgon publikimet e mediave dhe mjetet e komunikimit masiv, për të evidentuar perceptimin dhe qëndrimin e publikut ndaj veprimtarisë së institucioneve të administratës shtetërore,” thuhet në vendim.

 

Kjo është hera e parë që qeveria shqiptare miraton një strukturë, e cila, ndërsa paguhet me paratë e taksapaguesve, ka për detyrë të monitorojë “mediat dhe mjetet e komunikimit masiv”, një term që dukshëm përfshin median sociale, dhe që i jep të drejtë një punonjësi shteti të përgjojë se cili qytetar e shau qeverinë dhe cili e lavdëroi.

Vendimi për krijimin e agjencisë sanksionon gjithashtu që asnjë nga zëdhënësat e qeverive nuk mund të komunikojë me median ndërsa të gjitha marrëdhëniet publike të qeverisë duhet të kalojnë përmes “zëdhënësit të kryeministrit”.

“Përgjegjësi për shtypin në zyrën e zëdhënësit të Këshillit të Ministrave është pika e parë e komunikimit me gazetarët, sipas parashikimeve të rregullores së Agjensisë,” thuhet në vendim.

Hera e fundit kur Shqipëria ka pasur një “Ministri Informacioni” ka qenë viti 1999. Personi i fundit që ka mbajtur një pozicion të tillë ka qenë Musa Ulqini.

Kryeministri Edi Rama është kritikuar nga organizatat vendëse dhe ndërkombëtare të të drejtave të njeriut për dhunim lirisë së medias përmes kontrollit strikt të marrëdhënieve publike, moszhvillimin e konferencave të rregullta për shtyp dhe ndalimin e gazetarëve dhe kameramanëve të ndjekin aktivitetet e qeverisë apo të Partisë Socialiste. Shumica dërrmuese e “lajmeve” që shqiptarët shohin sot nga aktivitetet e qeverisë, nuk përgatiten nga gazetarë dhe kameramanë të medias, por nga zyrat e propagandës së qeverisë.

Në mbledhjen e tij të parë të qeverisë, Rama bëri gjithashtu një kërcënim tjetër për ministrat “të mos e shkelin kodin e etikës”, një instrument tjetër kontrovers që ndalon ministrat të kenë një opinion të ndryshëm nga kryeministri.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *