Reportazh11 May 2021

Ramazani i dytë në pandemi, një sfidë për mylsimanët në Ballkan

Shumë myslimanë në Ballkan e konsiderojnë të vështirë të shënojnë një tjetër Ramazan nën masat kufizuese të COVID, por disa e shohin këtë si një mundësi për t'u përqendruar në kuptimin e vërtetë të këtij muaji të shenjtë dhe për të reflektuar. 

Autor: Hamdi Fırat Buyuk, Përparim Isufi BIRN Sarajevë, Prishtinë
Printo

Xhamia e Mbretit, Prishtinë. Foto: Wikimapia.

Muaji më i shenjtë i Ramazanit dhe Kurban Bajramit është një periudhë solidariteti social, tolerance dhe përsiatjeje. Gjatë këtyre ditëve të shenjta, besimtarët myslimanë agjërojnë nga lindja e diellit deri në perëndim të tij dhe ndihmojnë të varfrit dhe ata në nevojë.

Faljet, darkat e iftarit dhe mbledhjet në familje dhe lagje janë pjesë thelbësore e Ramazanit, përveç ngjarjeve të tjera të tilla si koncerte, panaire dhe konferenca.

Në fund, për Bajram, besimtarët mblidhen së bashku për të festuar fundin e muajit të shenjtë.

Megjithatë, për të dytin vit radhazi, falë masave të qeverisë për të ndaluar përhapjen e COVID-19, myslimanët e Ballkanit nuk kanë qenë në gjendje të organizojnë faljet masive, darkat e iftarit dhe shumë ngjarje të tjera.

Në Bosnjën afërsisht gjysmë-myslimane dhe në Kosovën me shumicë myslimane, qeveritë kanë vendosur masa për të ndaluar faljet masive, darkat e mbushura me njerëz në iftar dhe evente të tjera sociale, ose kanë lejuar vetëm disa të tilla nën kushte të rrepta.

Qeveria e Turqisë shkoi më tej dhe e futi vendin në një izolim të plotë gjatë muajit të Ramazanit dhe Bajramit.

Besimtarët myslimanë në rajon janë të pikëlluar pasi do të duhet të kalojnë një tjetër Ramazan dhe Bajram jo konvencional, me disa që e quajnë atë një zhvillim të paimagjinueshëm.

“Pandemia ka ndryshuar gjithçka që ne dimë për botën dhe fenë, si dhe mënyrën se si e përjetojmë muajin e Ramazanit”, tha për BIRN Vural Akcay, një hoxhë nga qyteti i Izmirit në Turqi.

Akcay shtoi se ishte e habitshme të mos kishte falje të premteve ose falje të taravisë, ose darka të mbushura me njerëz në iftar. “Askush nuk mund ta imagjinonte se do të përjetonim ditë të tilla”, shtoi ai.

Një Ramazan digjital nuk është e njëjta gjë

Pamje e brendshme e xhamisë së Gazi Hysref-Beut, Sarajevë, Bosnje. Foto: Wikipedia.

Megjithatë, Vural tha se besimtarët po i përgjigjeshin sfidës me ndihmën e teknologjisë moderne

“Autoriteti Fetar Turk, Dinajeti,  dhe institucionet e tjera fetare ishin ato që ishin më të largëta më parë nga teknologjia e informacionit, por tani ne po organizojmë leksione të Kuranit dhe recitime të Kuranit online”, shtoi Akcay.

Një nga praktikat e Ramazanit është që besimtarët të mblidhen në xhami dhe shtëpi për mukabalah dhe, duke cituar Profetin Muhamed dhe Engjëllin Gabriel, për të krijuar një ambient të shenjtë.

Muzafer Latic, një imam në Bugojno, Bosnja qendrore, tha për BIRN se hoxhallarët dhe besimtarët po bëjnë çmos për t’u përballur me sfidën e këtyre rrethanave të jashtëzakonshme.

“Pandemia e COVID-19 ka ndikuar në adhurim… Maskat në xhami dhe distancomi social janë të detyrueshme. Ne përpiqemi të qëndrojmë brenda në xhami dhe vende të tjera sa më shkurt që të mundemi dhe taravitë gjithashtu janë të ndaluara për shkak të kërcënimit të pandemisë”, rha Latic.

Megjithatë, myslimanët boshnjakë kanë rifilluar taravitë e tyre nën masa të rrepta pasi autoritetet e ndryshuan orën policore nga 21:00 në 23:00 më 7 maj.

Ashtu si në Turqi, autoritetet fetare boshnjake po mbajnë gjithashtu evente fetare online.

“Ne organizojmë mukabalah në internet në platforma të ndryshme dhe i ndajmë predikimet tona në rrjetet sociale dhe shkruajmë predikime në letër dhe i shpërndajmë në xhematin (kongregacionin) tonë. Në këtë mënyrë, ne mbajmë kontakte me anëtarët e kongregacionit”, shtoi Latic.

Përkundër kësaj, shumë besimtarë po e presin me padurim fundin e këtyre kohërave dhe dëshirojnë shumë t’i kthehen një jete normale dhe një përvojë normale të Ramazanit.

Mehdiu, 67 vjeç, nga Kosova, tha për BIRN se ai mezi po e pret ditën kur bota të kthehet në normalitet dhe ai mund të shijojë darkat e iftarit me anëtarët e familjes dhe miqtë e tij më të gjerë.

“Ky është Ramazani i dytë që nuk po mblidhemi me familjarët dhe miqtë. Po i konsumojmë darkat e Ramazanit vetëm me familjen tonë të vogël”, tha Mehdiu pak para se të hynte në një xhami të Prishtinës për faljen e pasdites.

Dino Softic, 30 vjeç, nga Sarajeva, tha se një Ramazan digjital nuk ishte njësoj me përvojën e zakonshme.

“Gjatë Ramazanit, Sarajeva bëhet një tjetër vend, madje një vend mistik, ku familjarë, miq dhe besimtarë mblidhen për darka iftari, taravitë dhe ngjarje të tjera”, tha ai.

“Kjo forcon lidhjet mes nesh. Për fat të keq, edhe këtë vit nuk po e kemi këtë lloj Ramazani, për shkak të pandemisë. Në vend të kësaj, dëgjojmë predikime në televizor ose ndjekim leksione fetare në internet”, tha ai për BIRN.

Një mundësi për të reflektuar

Pamje nga pjesa e brendshme e xhamisë Eÿup Sultan, Stamboll, Turqi. Foto: Wikipedia.

Kadiri, 33 vjeç, një mësues i kulturës fetare dhe njohurive morale nga Stambolli, u bëri jehonë atyre ankesave.

“Darkat e iftarit, mukabalahët dhe taravitë ishin mundësi kur familjarët, miqtë dhe fqinjët mblidheshin dhe rifreskonin lidhjet e tyre, por këtë vit nuk po i kemi këto praktika”, tha ai.

“Panairet kulturore dhe ngjarjet e tjera shoqërore ishin gjithashtu vende për t’u mësuar të rinjve kulturën dhe fenë tonë. Pa këto praktika, Ramazani është shumë pa ngjyra dhe i trishtueshëm”, tha Kadir për BIRN.

Zuhdi Hajzeri, një hoxhë nga Peja në Kosovë, ishte dakord me këtë. “Pandemia ka pasur një ndikim negativ te besimtarët që falen në xhami”, tha ai për BIRN.

“Pandemia ka kufizuar shumë aktivitete. Nuk i kryejmë dot lirshëm detyrimet tona në xhami, afërsia me besimtarët është shumë e kufizuar dhe mbledhjet familjare janë ndërprerë. Duket sikur Ramazani ka humbur bukurinë e tij”, shtoi ai.

“Po na mungon ai ndryshim që muaji i Ramazanit ka nga muajt e tjerë”, vazhdoi Hajzeri.

Megjithatë, disa janë më pak pesimistë. Akcay, nga Izmiri, këmbëngul se edhe nëse faljet dhe praktikat e zakonshme fetare janë anuluar, fryma e solidaritetit është akoma shumë e gjallë.

“Përveç agjërimit, tubimeve masive dhe faljeve, Ramazani është gjithashtu muaji i solidaritetit, tolerancës dhe ndihmës për të varfrit dhe ata që janë në nevojë”, tha ai, duke përmendur Zekat al-Fitr, ose Fitrah, dhe duke shtuar se solidariteti shoqëror është bërë më i rëndësishëm në këto kohë të një pandemie, e cila ka prekur negativisht kaq shumë njerëz në aspektin ekonomik.

Zekat el-Fitr ose Fitrah është një bamirësi për të varfrit që bëhet disa ditë para se të mbarojë agjërimi i Ramazanit.

Si një nga “Pesë Shtyllat” e Islamit, Zekat al-Mal është një detyrë fetare për të gjithë myslimanët që plotësojnë kriteret e posedimit të pasurisë së mjaftueshme për të ndihmuar nevojtarët.

Akcay tha gjithashtu që njerëzit duhet të pyesin veten se përse na goditi kjo pandemi.

“Kur’ani thotë se Allahu i përmirëson kushtet e njerëzve të tij vetëm kur ata ndryshojnë sjelljen e tyre të gabuar. Ne të gjithë duhet të pyesim veten se çfarë kemi bërë gabim”, tha ai.

“Ramazani është muaji i përsiatjes dhe reflektimit, dhe ne kemi shumë kohë për ta bërë këtë në këtë Ramazan, nën masat parandaluese kundër përhapjes së pandemisë”, shtoi ai.

Kadiri, nga Stambolli, tha se shumë myslimanë para pandemisë kishin filluar ta humbnin kuptimin e vërtetë të Ramazanit përsa i takon faljeve dhe solidaritetit shoqëror që e shoqërojnë këtë muaj të shenjtë.

“Në këtë kuptim, pandemia po na jep një mundësi për t’u menduar dhe për të reflektuar për veten, besimin dhe shoqërinë tonë”, përfundoi ai.