Një raport nga Impunity Watch thotë se gjendja “shumë e trazuar” e drejtësisë tranzicionale duhet të trajtohet urgjentisht në Ballkan, ku ndjekjet penale të krimeve të luftës janë në rënie dhe retorika nacionaliste vazhdon.
Një raport nga OJQ-ja për të drejtat e njeriut me bazë në Holandë, Impunity Watch, publikuar të premten, thotë se mosndëshkimi për krimet e luftës është ngulitur në të gjithë Ballkanin, duke përfituar nga sistemet politike që operojnë duke përdorur ideologji nacionaliste dhe përfshijnë kriminelë lufte në radhët e tyre.
“Këto struktura deri më tani kanë arritur me sukses të drejtojnë diskutime publike në të kaluarën dhe të shmangin llogaridhënien,” thotë raporti me titull “Mbajtja e Premtimit: Trajtimi i Mosndëshkimit në Ballkanin Perëndimor”.
Sipas raportit, ndjekjet penale janë në rënie, kërkimi i së vërtetës është sfiduar nga një diskutim publik i njëanshëm mohimi dhe revizionizmi dhe dëmshpërblimet kanë qenë kryesisht selektive dhe të politizuara.
Në nivel institucional, gjyqësori dhe organet e tjera mbikëqyrëse janë shumë të dobëta për të përmbushur funksionin e tyre në garantimin e mos përsëritjes së shkeljeve, thotë Impunity Watch.
“Shoqërisë civile, si edhe mediave, i mungon fuqia ose është shumë e kompromentuar për të bërë një ndryshim në shoqëri, ndërkohë që edukimi është i ndarë dhe historia manipulohet për të treguar narrativa nacionaliste që shkojnë kundër çdo përpjekjeje serioze për të trajtuar përgjegjësinë për të kaluarën.” paralajmëron raporti.
Rekomandimet për qeveritë në Ballkanin Perëndimor përfshijnë promovimin e politikave të përfshirjes, ndërsa partitë politike nuk duhet të lejojnë të bëhen anëtarë të tyre kriminelë lufte të akuzuar ose dënuar të cilët minimizojnë krimet e kaluara.
Qeverive u kërkohet të mbështesin ngritjen e komisionit rajonal për të vërtetën KOMRA dhe të bashkëpunojnë më mirë në rastet e krimeve të luftës dhe personave të zhdukur.
Raporti bën thirrje Bashkimit Europian dhe shteteve anëtare të tij që të rrisin përpjekjet për drejtësinë tranzicionale.
Ai thotë se strukturat që mundësojnë mosndëshkimin duhet të sfidohen vazhdimisht nga BE-ja dhe shtetet anëtare të saj, si në mënyrë publike, por edhe joformale, në takimet bilaterale.
Organizatat ndërkombëtare dhe ato rajonale janë thirrur të rrisin rolin e tyre të monitorimit në drejtësinë tranzicionale në shtetet e Ballkanit Perëndimor.
“Investimet në fushën e drejtësisë tranzicionale nga BE-ja, por gjithashtu edhe nga komuniteti ndërkombëtar në përgjithësi, duhet të përqendrohen në forcimin e shoqërisë civile,” thotë raporti.
Organizatat e shoqërisë civile janë thirrur të zhvillojnë strategji që sigurojnë pjesëmarrjen domethënëse të viktimave në proceset e drejtësisë tranzicionale.
“Në mes të përpjekjeve të saj për të mbledhur mbështetje nga politikanët dhe komuniteti ndërkombëtar, nisma e KOMRA duhet të promovojë përfshirjen dhe pjesëmarrjen. Ajo duhet të vazhdojë të investojë në pronësinë dhe mbështetjen lokale,” shton raporti.
Organizatat e shoqërisë civile duhet gjithashtu të krijojnë rrjete për të përmirësuar bashkëpunimin, argumenton ai.
“Shoqëria civile duhet të kapërcejë shkëputjen urbane/rurale. Nismat e përbashkëta, të cilat janë pjesëmarrëse dhe gjithëpërfshirëse në natyrë, duhet të promovohen dhe vizionet e përbashkëta të zhvillohen,” thotë raporti.