Me përjashtim të sllovenëve, popujt e Ballkanit nuk janë aspak të lumtur me jetët e tyre aktuale, sipas një raporti të ri.
Shumica e banorëve të shteteve ballkanike nuk do të habiten kur të mësojnë se vendet e tyre renditen mjaft ulët në Raportin Botëror të Lumturisë të këtij viti.
Sondazhi i përvitshëm i 156 vendeve realizohet nga Rrjeti i Zgjidhjeve të Zhvillimit të Qëndrueshëm të Kombeve të Bashkuara në partneritet me Fondacionin Ernesto Illy dhe shkruhet nga një grup ekspertësh të pavarur.
Vendet skandinave – të gjithë të famshëm për standardin e tyre të lartë të jetesës dhe bilancin e mirë të punës dhe të jetesës – zunë katër vendet e para: Finlanda, Norvegjia, Danimarka dhe Islanda. Më pas vinte Holanda, duke ia kaluar Zvicrës që nga viti i kaluar.
Afganistani i shkatërruar dhe i varfër, Republika e Afrikës Qendrore dhe Sudani i Jugut zunë vendet e fundit në raport.
Nga ish-republikat jugosllave, Sllovenia paqësore dhe relativisht e pasur – atdheu i zonjës së parë të Amerikës Melania Trump – renditej e para, duke zënë vendin e 44-të në renditje.
Kosova bëri një shfaqje të mirë duke u renditur në vendin e 46-të, duke reflektuar faktin se perceptimet e kënaqësisë kanë më shumë rëndësi sesa paratë në këtë sondazh. Rumania renditet në vendin e 48-të.
Shtete të tjera të Ballkanit renditen kryesisht në grupin e 70-ces. Serbia renditet e para në këtë grup, në vendin e 70-të, e ndjekur nga Mali i Zi, në vendin e 73-të, dhe Kroacia, në vendin e 75-të. Bosnja dhe Hercegovina vjen më pas në vendin e 78-të dhe Maqedonia e Veriut vijon pas kësaj në vendin e 84.
Bullgaria, megjithatë, është shumë më poshtë, në vendin e 97-të, dhe Shqipëria, në mënyrë të turpshme, renditet në vendin e 107-të, vetëm pak më lart se Venezuela dhe Palestina që janë të shkatërruara ekonomikisht – një reflektim, ndoshta i politikës së saj të hidhur dhe të polarizuar.
Nga vendet e tjera në botë, Mbretëria e Bashkuar renditet në vendin e 15-të, SHBA-ja në të 19-tin dhe Rusia në vendin e 68-të.
Sondazhi përcakton një rezultat për vendet duke u bazuar në një gamë të gjerë faktorësh – jo vetëm pasuria – që nga interesi në zgjedhje deri te sjellja pro-sociale, si bujaria dhe trajtimi i emigrantëve, liria e medias dhe madje edhe normat e përdorimit të teknologjisë digjitale.
Qeveria e Finlandës deklaroi me kënaqësi se renditej në vendin e parë.
Ajo vuri në dukje se “pavarësisht se një vend i ftohtë, Finlanda renditet si një nga kombet më të lumtura në Tokë” dhe duke shtuar se Helsinki tani ishte zyrtarisht “një nga qytetet më të papara të planetit”.