Lajm12 Jun 2018

Raporti: Margjinalizimi lë pa shtetësi komunitetin rom në Shqipëri

Sipas një raporti të hartuar nga një grup organizatash në mbrojtje të të drejtave të njeriut, Shqipëria nuk po bën mjaftueshëm për të siguruar garantimin e të drejtave të komunitetit rom në vend ndërsa po e rrezikon atë nga mbrojtja ligjore e shtetësisë.

Autor: Ivana Dervishi BIRN Tiranë
Printo

Një vajzë e komunitetit rom gjatë një proteste përpara Bashkisë së Tiranës për më shumë mundësi strehimi për komunitetin rom te Bregu i Lumit. 7 gusht 2016. Foto: Ivana Dervishi/BIRN

Një raport i publikuar së fundmi nga Qendra Europiane për të Drejtat e Romëve (ERRC), Rrjeti Europian i Pashtetësisë (ENS) dhe Shërbimi Ligjor Falas Tiranë (TLAS), zbuloi se diskriminimi dhe margjinalizimi e lënë komunitetin rom në Shqipëri të përjashtuar nga shërbimet shtetërore.

Raporti “Pashtetësia, Diskriminimi dhe Margjinalizimi i Romëve në Shqipëri” vëren se kushtet socialo-ekonomike të romëve në vend, diskriminimi dhe burokracia institucionale, vakumet ligjore dhe mungesa e vullnetit të autoriteteve detyrojnë familjet rome të jetojnë jashtë kornizës ligjore dhe të jenë të rrezikuar ose pashtetësi.

Mungesa e dokumentacioneve të nevojshme dhe informaliteti çojnë në pamundësinë e romëve për të provuar shtetësinë, ndërsa pashtetësia i lë ata jashtë strukturave shtetërore si kujdesi shëndetësor, arsimimi, punësimi dhe programet e mbështetjes sociale, duke u kthyer kështu në një kurth varfërie dhe margjinalizimi.

Raporti u hartua përmes intervistave me 14 familje rome pa shtetësi shqiptare ose në rrezik pashtetësie, përmes intervistave me ekspertët dhe organizatat në mbrojtje të të drejtave të njeriut dhe duke analizuar të të dhënat ekzistuese.

Vetëm së fundmi, përmes një ligji të vitit 2017 për Mbrojtjen e Pakicave Kombëtare Komuniteti Rom në Shqipëri u njoh si pakicë kombëtare, pasi më herët njihej si pakicë gjuhësore.

“Mungesa e një vendbanimi të përhershëm, dëbimet me forcë, analfabetizmi dhe mungesa e të ardhurave të qëndrueshme, pengon regjistrimin nga romët të ngjarjeve jetësore në regjistrat civilë,” thotë raporti, duke nënvizuar se këta janë faktorë të rrezikut të pashtetësisë.

“Diskriminimi, i drejtpërdrejtë dhe i tërthortë, luan një rol kritik në braktisjen e romëve në ekstremitet dhe në vënien e tyre në rrezik për të qenë pa shtetësi,” shton raporti.

Mungesa e të dhënave të sakta zyrtare për komunitetin rom në Shqipëri dhe për pashtetësinë, i shton më shumë kompleksitetin problemit.

Sipas ekspertëve, vetë legjislacioni shqiptar për pashtetësinë bie ndesh me standardet ndërkombëtare, pasi ai nuk parashikon shkakun e pashtetësisë prej moszbatimit të ligjit ose zbatimit diskriminues të tij, siç mendojnë ekspertët se është rasti i romëve në Shqipëri.

Pashtetësia e romëve shpesh kalon edhe ndër breza, pasi dy prindër të paregjistruar ose dy prindër që kanë lindur fëmijët gjatë një emigrimi të paligjshëm në shtete fqinje, shpesh lënë edhe fëmijët jashtë sistemit, duke konsistuar në mungesë shërbimesh dhe barrë të rëndë për jetesën.

Raporti vëren gjithashtu se komuniteti rom e ka shpesh të vështirë të regjistrojë fëmijët në gjendjen civile dhe në disa raste gratë shtatzëna detyrohen të lindin në shtëpi, pasi ato mund të jenë edhe vetë pa dokumentacion, nuk mund të provojnë lindjen nga institucioni shëndetësor, duhet të kenë një vendbanim të përhershëm të regjistruar dhe të kenë ndihmë juridike.

ERRC thotë se strehimi i romëve në Shqipëri karakterizohet nga kushte shumë të këqija, ku 15% e tyre jetojnë në kasolle, çadra ose banesa të tjera pa tulla, gjë që nënkupton pamundësi për të provuar vendbanimin e përhershëm. Mungesa e ujit të rrjedhshëm, tualeteve dhe rrugët e pashtruara, citohen gjithashtu si barrë shtesë për komunitetin.

TLAS vlerëson se vetëm për vitin 2016 u identifikuan rreth 350 fëmijë romë të paregjistruar, problem ky edhe më i theksuar për komunitetet që jetojnë në zona rurale.

“Është e drejtë të thuhet që mungesa e shtetësisë nuk njihet si një çështje e rëndësishme nga autoritetet dhe palët e interesuara në Shqipëri,” thotë raporti.

“Drejtoria për Shtetësinë dhe Drejtoria e Gjendjes Civile janë autoritetet përkatëse që merren me dhënien e shtetësisë, por pak vëmendje i është kushtuar parandalimit dhe reduktimit të mungesës së shtetësinë dhe mbrojtjes së të drejtave të romëve pa shtetësi,” përfundon ai.