Sipas Indeksit Global të Planetit të Gjallë për vitin 2020, të publikuar nga World Wildlife Fund (WWF) dekadat e fundit kanë sjellë rënie të ndjeshme të popullatës së specieve të ndryshme si edhe degradimin e ekosistemeve mjedisore në botë.
Indeksi Global i Planetit të Gjallë për vitin 2020, tregoi një rënie me 68% të popullatës globale të specieve të monitoruara të gjitarëve, shpendëve, amfibëve, reptilëve dhe peshqve, midis viteve 1970 dhe 2016.
Ky trend mbi popullatën e këtyre specieve është i rëndësishëm pasi shërben si tregues mbi ekosistemin e përgjithshëm në rang global.
Përmes këtij indeksi, Raporti mbi Gjendjen e Planetit 2020, paraqet një pasqyrë gjithëpërfshirëse të situatës së botës sonë natyrore, duke gjurmuar kështu tendencat në shumëllojshmërinë e botës së egër në planet.
“Raporti mbi Gjendjen e Planetit 2020 nënvizon se si shkatërrimi në rritje i natyrës nga njerëzimi po sjell ndikime katastrofike jo vetëm në popullatat e botës së egër, por edhe në shëndetin e njeriut dhe të gjitha aspektet e jetës sonë”, deklroi Marco Lambertini, Drejtori i Përgjithshëm i World Wildlife Fund International (WWF).
Sipas raportit mbi Gjëndjen e Planetit shkaku kryesor i kësaj rënie dramatike të numrit të specieve të gjalla është humbja dhe degradimi i habitatit, duke përfshirë shpyllëzimet e shkaktuara nga mënyra se si njerëzimi prodhon ushqimin,
Kohët e fundit një sërë ngjarjesh katastrofike në botë, të tilla si zjarret masive, pasuar edhe nga pandemia botërore, kanë tronditur ndërgjegjen mjedisore në rang global.
Sipas WWF këto ngjarje i treguan botës se ruajtja e biodiversitetit duhet të jetë diçka e panegociueshme, dhe për më tepër duhet investuar në të, me qëllim mbrojtjen e shëndetit dhe sigurisë së njerëzimit në të ardhmen.
“Që prej kohës së revolucionit industrial, aktivitetet njerëzore kanë ardhur gjithnjë në rritje drejt shkatërrimit dhe degradimit të pyjeve, fushave, ligatinave, dhe ekosistemeve të tjera të rëndësishme, duke rrezikuar kështu mirëqënien e njeriut. 75% sipërfaqes së lirë akullnajore në Tokë është prekur dhe ndikuar ndjeshëm, ndërkohë që oqeanet po ndoten gjithnjë e më shumë, dhe më tepër se 85% e ligatinave janë humbur”, citohet në raportin e vitit 2020 për planetin.
Rea Nepravishta, oficere e politikave pranë WWF Adria, theksoi rëndësinë e ndërmarrjes së hapave për një shoqëri të shëndoshë pa dëmtime të mëtejshme të habitateve natyrore.
“Ajo çka mësojmë nga Raporti mbi Gjendjen e Planetit, është se uji është jetë, dhe se biodiversiteti i ujërave të ëmbla, lumenjve dhe ligatinave të shëndetshme dhe përdorimi i qëndrueshëm i ujit janë parakushti për ndërtimin e një shoqërie rezistente dhe të shëndoshë,” tha ajo.
Sipas Nepravishtës kriza mjedisore e planetit në Shqipëri, në mënyrë të veçantë ka marrë formë me degradimin e lumenjve.
“Gjatë viteve të fundit, Shqipëria përjetoi disa periudha përmbytjesh të mëdha, të pasuara nga thatësira,” tha ajo.
“Këto ngjarje ekstreme janë simptoma të krizës klimatike dhe lumenjve të degraduar, pasi vendi mbështetet tek energjia hidrike për të prodhuar elektricitet. Ndërkaq, projektet për hidrocentrale vazhdojnë të shumohen në të gjithë vendin”, shtoi Nepravishta, duke pranuar se megjithatë komunitetet po reagojnë duke qenë të vetëdijshëm se burimi më i çmuar siç është uji duhet të mbetet e mirë publike dhe jo të shndërrohet në një gjenerator të ardhurash për investitorët e etur.
Gjithashtu përveç ujit, edhe bimësia është një nga bazat strukturore dhe ekologjike e të gjitha ekosistemeve tokësore, pasi bimët i japin një mbështetje jetës në tokë, duke qenë primare jo vetëm për shëndetin e njeriut por edhe për të ushqyerit dhe mirëqenien e tij.
Nga ana tjetër, Lambertini u shpreh se rënia serioze në numrin e specieve të botës së egër apo të bimësisë janë një tregues që planeti ynë po ndez shenjat e kuqe paralajmëruese të dështimit të sistemeve.
“Trendet aktuale tregojnë që ne duhet të veprojmë tani,” th ai. “Kemi akoma një shans që t’i rregullojmë gjërat. Është koha që bota të dakortësojë mbi një marrëveshje të re për natyrën dhe njerëzit, të përkushtuar për t’i dhënë fund shkatërrimit të natyrës deri në fund të kësaj dekade, dhe në ndërtimin e një ekonomie dhe shoqërie pozitive ndaj natyrës ,” pwrfundoi Lambertini.