Familjet shqiptare, por edhe institucionet publike si shkollat dhe zyrat shtetërore, janë viktima të një ambienti jetese, studimi dhe pune që ka mangësi të shumta në fushën energjetike dhe pengon aktivitetet jetësore – zbulon një raporti i ri nga Qendra EDEN.
Një raport, i cili pritet të botohet së shpejti nga Qendra mjedisore EDEN zbuloi se vështirësitë financiare të lidhura me energjinë elektrike detyrojnë familjet dhe institucionet publike në Shqipëri të konsumojnë më pak energji nga sa është e nevojshme, ndërsa mungesa e izolimit të ndërtesave duket se e shton barrën e temperaturave të papërshtatshme në ambientet e shtëpive dhe institucioneve.
Vlerësimi i varfërisë energjetike u krye nga EDEN gjatë periudhës korrik-shtator 2017 në 5 qytete: Shkodër, Tiranë, Elbasan, Vlorë dhe Berat.
Ai u shtri në 1954 subjekte që variojnë nga familjet vulnerabël, te familjet e zgjedhura në mënyrë rastësore, institucionet e edukimit publik, administrata publike, institucionet shëndetësore publike dhe hotelet.
Anketuesit i mblodhën të dhënat përmes intervistave të drejtpërdrejta në kuadër të një pyetësori që përmbante pyetje me karakter socio-ekonomik dhe energjetik.
Zbulimet kryesore të raportit qenë veçanërisht shqetësuese lidhur me familjet në qytetet kryesore, por edhe me institucionet publike, të cilat paraqitën probleme me pagesën e energjisë, masa të ashpra kursimi, prani të mykut dhe lagështisë, si dhe mungesë izolimi në ndërtesat e vjetra, por për befasi dhe në investimet e fundit publike.
“Pavarësisht moshës që kanë banesat e marra në shqyrtim, ato nuk përputhen me parimet e termoizolimit,” sugjeron studimi, bazuar në parimin që kushtet e brendshme të një ndërtese duhet të jenë optimale dhe të sigurojnë ambient të përshtatshëm për zhvillimin e aktiviteteve jetësore.
Familjet
Plot 62% e familjarëve të intervistuar pranuan se kanë vështirësi për të paguar faturën e energjisë elektrike, një faturë kjo që familjeve me të ardhura të ulëta mujore deri 10.000 lekë i merr jo më pak se 36% të totalit të burimeve të tyre financiare.
Vështirësia për të paguar prek në përqindje të larta familjet e të gjitha fashave të të ardhurave. (Shiko grafikun)
“Është e kuptueshme që familjet me të ardhura nën 10.000 lekë janë më të prekura, por është interesant fakti që edhe fasha të tjera me të ardhura 10.000 deri në 50.000 hasin vështirësi në nivele të larta,” thotë raporti.
Kjo vështirësi për të paguar përkthehet në konsum më të ulët energjetik për të përballuar faturën, pra në më pak ngrohje gjatë stinës së dimrit.
Forma të tjera të kursimit janë fikja e dritave në shtëpi, përdorimi i më pak uji të ngrohtë, konsum më pak i ushqimeve dhe pijeve të ngrohta gjatë dimrit, apo ngrohja e vetëm një dhome.
Këto veprime megjithatë duket se prekin familjet e varfra në masën 94%, por praktikohen në mbi 57% të rasteve edhe te familjet me të ardhura mbi 50.000 lekë.
Studiuesit vlerësojnë përdorimin e burimeve alternative të energjisë si energjia diellore, që ndonëse në masë të ulët prej 3% konsiderohet si një arritje dhe vullnet të banorëve për të kaluar në energji të rinovueshme.
Një zbulim interesant i studimit tregon se energjia elektrike përdoret në rreth 60% të rasteve për pompim të ujit, gjë që tregon për keqinformimin e shërbimeve të tjera si furnizimi me ujë, duke i detyruar kështu familjet shqiptare të rrisin konsumin e energjisë për të kompensuar mangësitë e sistemit.
Duke e cilësuar studimin si një thirrje nga realiteti i hidhur që vendimmarrësit duhet ta dëgjojnë, Lira Hakani nga Qendra EDEN tha për BIRN se tema e energjisë është e një nevoje jetësore.
“Qytetarët shqiptarë në dimrin e vitit 2016, për shkak të kushteve të rënduara atmosferike u përballën me vështirësi deri në mbijetesë. Kjo situatë vuri në dukje për anëtarët e rrjetit të vigjilencës mjedisore rëndësinë e eficencës së energjisë në ndërtesa dhe emergjencën e sigurimit të saj në vendin tonë”, tha Hakani.
“Rezultatet e studimit janë përfaqësuese në nivel kombëtar të situatës në zonat urbane të vendit. Ato nuk përfaqësojnë matje teknike apo kalkulime te komplikuara për energjinë, por janë reale dhe sjellin zërin qytetar për këtë tematike,” shtoi ajo.
“Përfaqësojnë një mesazh të fortë për vendimmarrësit në fushën e mjedisit dhe energjisë për politikat e ardhme në këtë sektor, por edhe për zbatimin e atyre aktuale,” përfundoi Hakani.
Në lidhje me termoizolimin e banesave, ndonëse 60% e të intervistuarve janë shprehur të kënaqur me temperaturën e banesës së tyre, pjesa tjetër i vlerësojnë banesat e tyre si shumë të nxehta (8.6%) dhe si shumë të ftohta (31.4%).
Studiuesit e tërheqin veçanërisht vëmendjen te dyert dhe dritaret që lejojnë kalimin e rrymave të ajrit dhe ulin efiçensën e energjisë në ndërtesë dhe theksojnë nevojën për masa konkrete në ngrohjen dhe ftohjen e banessave.
Ky problem u has në 37% të rasteve te të intervistuarit, çka do të thotë pamundësi të familjeve për të kontrolluar ngrohjen apo ftohjen e tyre.
Hulumtimi zbuloi se pakënaqësia me temperaturën e ftohtë të banesave rritet me moshën e këtyre të fundit, ndërsa pronarët e banesave të reja janë në 80% të rasteve të kënaqur me temperaturën e ambientit ku jetojnë gjatë dimrit.
Në lidhje me gjendjen shëndetësore të ndikuar nga lagështia e ajrit dhe prania e mykut në banesë, ndërtesat e vjetra mbi 60 vjet shfaqen më problematiket, ku 45% e të intervistuarve që jetojnë në banesa të tilla ankohen për mykun në shtëpi.
Kjo shifër ulet në rreth 35% te ndërtesat 36-60 vjeçare; në 32% për ndërtesat 25-35 vjeçare dhe afërisht 20% për ato të ndërtuara në 6 deri 25 vitet e fundit dhe 10% në ato të ndërtuara në këtë pesëvjeçar.
Studimi megjithatë zbuloi se 25% e banesve të të intervistuarve nuk kanë izolim, ndërsa një përqindje e ulët e banesave te familjet e varfra paraqiten të mbrojtura nga plastmasët apo kartonët në dritare.
Institucionet
Mungesa e ngrohjes së mjaftueshme, kursimi i energjisë, prania e lagështisë dhe mykut – qenë disa nga shqetësimet kryesore të lidhura me institucionet publike të marra në shqyrtim nga studimi i qendrës EDEN.
Në 54% të ndërtesave të vlerësuara, përdorej më pak energji elektrike nga sa duhej për të siguruar një ambient të përshtatshëm pune.
Këtu shkollat, çerdhet, kopshtet dhe universitetet vuajnë më shumë pasi kursejnë në masën 63%, pasuar nga administrata në masën 62 për qind.
Institucionet e shëndetit publik paraqiten në studim si të izoluara, ndonëse se në shifrën më të madhe vetëm pjesërisht.
Veçanërisht problematike shfaqen institucionet e edukimit publik, si çerdhet, kopshtet, shkollat dhe universitetet të cilat në 20% të rasteve nuk kanë asnjë izolim, problem që prek ky dhe administratën publike në shifrën 24%.
Një tjetër zbulim shqetësues është trendi për të mos izoluar shkollat dhe kopshtet e ndërtuara në pesë vitet e fundit në masën 33%, shifër kjo që do të thoshtë se për shembull një çerdhe e ndërtuar së fundmi, është më e ftohtë se një çerdhe e ndërtuar deri 60 vite më parë.
Kjo sipas studiuesve vjen për shkak të uljes së investimit në izolim.
Myku është po ashtu një problem i institucioneve publike (shkolla, spitale, administratë) në masën 30 për qind, ku ndërtesat më të vjetra janë në gjendjen më të keqe, por fenomeni është po ashtu shqetësues te ndërtesat e reja të shkollave dhe spitaleve në masën 35%.
“Vlen të theksohet se institucionet e edukimit publik dhe administrata publike shprehen se është shumë ftohtë në dimër (44.3% dhe 24%) dhe se ajri është shumë i lagësht” thotë studimi.
Nga ana tjetër, ndërtesat e hoteleve të marra në shqyrtim në qytetet e ndryshme rezultuan me përqindje më të lartë izolimi, por gjithashtu raportuan masa reduktuese të energjisë së nevojshme për të kursyer.
Në përpjekje për të përafruar ligjin e vendit me atë të Bashkimit Europian, ku Shqipëria synon të anëtarësohet, vendi ynë ka miratuar vitet e fundit një sër ligjesh për efiçensën e energjisë, burimet e rinovueshme energjetike, si dhe për performancën e energjisë së ndërtesave.
Të pyetur nëse kishin dëgjuar ndonjëherë për ligjin që adreson nevojën dhe standardet e ndërtesave për të rritur performancën e tyre të energjisë, miratuar në 2016, të anketuarit u përgjigjën negativisht.
Projekti “Së bashku një sy për mjedisin” synon të nxisë zbatimin e politikave dhe praktikat më të mira që sigurojnë efiçencën e energjisë, diversifikimin e burimeve për energji të pastër dhe me kosto të përballueshme nga qytetarët e shtresave të varfra dhe të mesme në Shqipëri.