Mali i Zi, Serbia, Bosnja dhe Hercegovina, Maqedonia dhe Kosova janë ndër 25 vendet kryesore në botë përsa i takon përqindjes së armëve të zjarrit në pronësi të civilëve, sipas organizatës “Small Arms Survey”.
“Small Arms Survey”, e publikuar të hënën, renditi Malin e Zi, Serbinë, Bosnjën dhe Hercegovinën, Maqedoninë dhe Kosovën midis 25 vendeve të para kur bëhet fjalë për përqindjen të armëve të zjarrit për 100 persona.
Mali i Zi dhe Serbia ndanë vendin e tretë, pas Shteteve të Bashkuara dhe Jemenit, tha raporti.
Bosnja ishte në vendin e dhjetë dhe Maqedonia në vendin e dymbëdhjetë. Kosova u rendit e 17-ta.
Ndërsa në Malin e Zi dhe Serbi norma është rreth 39 armë zjarri për 100 persona, në Bosnje është rreth 31, në Maqedoni 30 dhe në Kosovë rreth 24, vlerësohet anketa.
“Small Arms Survey” është një organizatë me bazë në Gjenevë e cila përpiqet të mbledhë “njohuri të paanshme dhe të bazuar në prova mbi të gjitha aspektet e armëve të vogla dhe të dhunës së armatosur”, sipas faqes së saj të internetit.
Raporti i tij tha se në fund të 2017, rreth 857 milion civilë mbanin armë zjarri në 230 vendet dhe territoret e botës.
Mali i Zi, me një popullsi prej 626,000 banorësh në vitin 2017, kishte rreth 245,000 armë zjarri që posedoheshin nga civilët.
Në Serbi, me 6,946,000 banorë në 2017, numri i vlerësuar i armëve të zjarrit në posedim civil ishte 2,719,000.
Në Bosnjë dhe Hercegovinë, me një popullsi prej 3,793,000 banorësh në vitin 2017, numri i vlerësuar i armëve të zjarrit në posedim civil ishte 1,185,000.
Në Maqedoni, me 2,083,000 banorë në vitin 2017, numri i vlerësuar i armëve të zjarrit në posedim civil ishte 621,000.
Në Kosovë, me një popullsi prej 1,831,000, numri i vlerësuar i armëve të zjarrit në pronësi të civilëve ishte 436,000.
“Armët e zjarrit të rishikuara në këtë dokument informues variojnë nga armë artizanale të improvizuara deri te pistoleta, pushkë, shotganë dhe në disa vende madje edhe mitralozë,” thuhet në raport.
“Shifrat e dhëna këtu përfshijnë të gjitha armët e zjarrit në duart e civilëve, si të ligjshme dhe të paligjshme,” shtoi ai.
Edhe vende të tjera të Ballkanit gjithashtu treguan nivele të konsiderueshme të pronësisë private të armëve, thuhej në anketim.
Me një popullsi prej 7,045,000 banorësh në vitin 2017, Bullgaria kishte rreth 590,000 armë zjarri në posedim civil.
Në Kroaci, me një popullsi prej 4,210,000 banorësh, numri i armëve të zjarrit ishte 576,000.
Në Shqipëri, ku popullsia ishte 2,911,000 banorë, numri i armëve të zjarrit ishte 350,000.
Në Rumani, popullsia ishte 19,238,000 banorë dhe numri i armëve të zjarrit ishte 506,000, sipas vlerësimeve të anketës.