Lajm14 Sep 2018

Raporti: Transparenca e qeverisë e ulët dhe në përkeqësim

Një raport monitorimi në rajonin e Ballkanit vëren se qeveria shqiptare ka një nivel të ulët transparence dhe se gjatë vitit 2018, situata është përkeqësuar.

Autor: Gjergj Erebara BIRN Tiranë
Printo

Drejtori i Mjaft Aldo Merkoçi duke prezantuar rezultatet e monitorimit të transparencës së qeverisë në Tiranë më 14 shtator 2018. Foto: BIRN

Transparenca e qeverisë shqiptare, ministrive dhe agjencive të ndryshme u përkeqësua gjatë vitit 2018 duke rënë më tutje nga një nivel sakaq i ulët, bëri të ditur një raport rajonal i prezantuar në Shqipëri nga Lëvizja Mjaft.

Raporti i zbatuar në të gjitha vendet e rajonit, mat transparencën aktive të qeverive duke parë se çfarë të dhënash financiare ose të tjera këto qeveri publikojnë në faqet e tyre zyrtare dhe se çfarë të dhënash ia vënë në dispozicion publikut në format të lehtë për t’u kuptuar dhe në formatin Open Data, i cili mundëson përpunimin e të dhënave bazë nga vetë përdoruesit, duke ulur mundësinë e keqinterpretimeve statistikore nga ana e zyrtarëve të qeverisë.

Monitorimi në rastin e Shqipërisë përfshiu 80 tregues për secilin nga 275 institucionet e monitoruara për të mbledhur në total rreth 15 mijë të dhëna.

“Niveli i përgjithshëm i hapjes institucionale ra nga 48% në vitin 2017 në 55% këtë vit,” bëri të ditur Aldo Merkoçi, drejtor ekzekutiv i Lëvizjes Mjaft, në prezantimin e rezultateve të monitorimit. Nga të katër grupindikatorët e matur, transparenca shënoi nivelin më të ulët me 40%.

Qeveria shqiptare rezulton veçanërisht jotransparente kur vjen puna për publikimin në kohë të projektbuxhetit të shtetit si dhe buxhetit të miratuar apo raporteve të ekzekutimit të buxhetit.

“Është vënë re se nuk ka asnjë dokument që vërteton depozitimin në kohë nga kryeministria të draftit të buxhetit vjetor pranë administratës së Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, kohë kjo e përcaktuar tre muaj përpara fillimit të diskutimeve në komisione parlamentare”, shkruhet në raport.

Qeveria aktuale e kryeministrit Rama vendosi një standard të ri të  ulët transparence që nga viti 2013, kur miratoi buxhetin e vitit 2014 pa e publikuar atë më parë, ndryshe nga sa kishte qenë praktika e qeverive të mëparshme që prej së paku një dekade. Përveç kësaj, ligjet buxhetore u ndryshuan gjatë viteve të fundit në mënyrë të përsëritur me Akt Normativ, i cili mësohej nga publiku vetëm pasi ishte botuar në Fletoren Zyrtare dhe kishte hyrë në fuqi.

Merkoçi shtoi se ndërsa qeverisja qendrore ka një nivel të caktuar transparence, hapja e institucioneve është edhe më e ulët në nivele më të ulëta të qeverisjes, të tilla si ministritë apo agjencitë qeveritare.

“Në faqen zyrtare të qeverisë shqiptare nuk gjenden informacione për transparencën buxhetore të qeverisë, tabelat fillestare të buxhetit, raportet e ndërmjetme të shpenzimeve buxhetore, gjendjen e borxhit publik apo shpenzimeve faktike vjetore në krahasim me planifikimet e bëra,” theksoi Merkoçi.